E MARTA E MADHE
Të nderuar miq, të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin, të Martën e Madhe në shërbesën e Mëngjesores në mbrëmje të së hënës dhe të Liturgjisë të Dhuratave të Parashenjtëruara që kryehet të martën në mëngjes lexojmë në kishë dy paravolitë e mrekullueshme të “10 Virgjëreshave” dhe të “Talantave”.
Ungjilli sipas Mateut: Parabola e Dhjetë Virgjëreshave
“Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre dhe dolën të presin dhëndrin. 2 Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra. 3 Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete. 4 Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre. 5 Edhe si u vonua dhëndri, dremitën të gjitha edhe flinin. 6 Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë. 7 Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre. 8 Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse llambat tona po shuhen. 9 Edhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Jo, se ndoshta nuk do të na mjaftojë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj. 10 Edhe kur po shkonin të blinin, dhëndri erdhi; edhe ato që ishin gati hynë bashkë me të në dasmë, edhe u mbyll dera. 11 Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna. 12 Por ai u përgjigj e tha: “Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh” 13 Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut”. (Math. 25:1-13)
Pesë virgjëreshat e mençuara përfaqësojnë nxënësit e vërtetë të Krishtit. Llambadhat flasin për besimin e tyre të drejtë dhe vaji për veprat, kurse virgjëreshat e marra përfaqësojnë të krishterët hipokritë dhe dembel, të cilët kurrë nuk janë kthyer me të vërtetë tek Zoti, ata kanë një besim sipërfaqësor pa vepra.
Dhëndri është Krishti dhe vonesa është koha nga ardhja e parë deri në ardhjen e dytë. Ardhja e Dhëndrit në mesnatë tregon një kohë të papritur dhe zgjimi i virgjëreshave tregon ngjalljen e të vdekurve që do paraprijë ardhjen e Zotit.
Atë ditë të gjithë do të dalin përpara Zotit Jisu Krisht dhe do bëhen gati për gjykimin e përbotshëm.
Të marrat pra besimtarët hipokritë dhe të papërgatitur pa vepra do të jenë shumë të shqetësuar. Do të kërkojnë t’i rregullojnë gjërat por do jetë shumë vonë dhe e pamundur.
Mospranimi i virgjëreshave të mençuara për të mos ju dhënë vaj, (vepra) duket si egoizëm në pamje të parë, por në të vërtetë askush nuk mund të mburret dhe të shfajësohet me veprat e të tjerëve, çdo kush do gjykohet dhe shpërblehet për veprat e tij, këtë e thotë vetë Zoti tek Zbulesa: “Dhe ja unë vij shpejt, dhe shpėrblimi im është me mua, për t`i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.” (Zbulesa 22:12)
Dasma e Dhëndrit Krisht me Kishën (besimtarët) do të bëhet në qiell, ashtu siç thotë edhe apostull Pavli tek Efesianët: “Krishti e deshi Kishën dhe e dha veten e Tij për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit, me anën e fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së Tij, si një Kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha, a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27)
Tek letra e Selanikasve na sqaron:
“Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin”. (1Selanikasve 4 15-17)
Dhe tek Zbulesa na thuhet:
“Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve. “Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”(Zbulesa:19,7-9)
Mbyllja e derës tregon se do të përfundojë koha për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë dhe ata që do mbeten jashtë, do të mbeten se nuk u përgatitën duke mos shfrytëzuar kohën që Zoti iu dha me tepri, për ata nuk do të kenë më mundësi të hyjnë në gëzimin e Zotit.
Ky është mesazhi i paravolisë të 10 Virgjëreshave, i përmbledhur në troparin e Kishës: “Më zuri gjumi i ngathtësisë, o Dhëndër Jisu Krisht, dhe nuk kam llamballe virtytash që të dal dhe të pres. Mos më lër jashtë, po qasmë brënda me virgjëreshat e mënçura, ku gëzohen kremtonjësit, edhe thërresin pa rreshtur: O Zot, lavdi më Ty”. (Thirrtore)
Në paravolinë e talantave sipas Ungjillit të Matheut lexojmë:
“Sepse do të vijë pikërisht si një njeri, që kur po largohej në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dorëzoi atyre pasurinë e tij. 15 Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; secilit sipas fuqisë së tij; edhe menjëherë iku në dhe të huaj. 16 Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e tregëtoi me ato, edhe bëri pesë talanta të tjera. 17 Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera. 18 Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit. 19 Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, edhe bën llogari me ta. 20 Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera. 21 I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti. 22 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, edhe tha: 23 Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti. 24 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave. 25 Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden. 26 Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava. 27 Duhej pra ta vije argjendin tim te bankjerët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën. 28 Merrni pra prej atij talantën, edhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat. 29 Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; edhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij. 30 Edhe shërbëtorin e pavlerë hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve”. (Mateu 25:14-30)
Në Paravolinë e Talantave njeriu që udhëton në një vend të largët është vetë Zoti Jisu Krisht i cili mbasi mbaroi punën që i kishte caktuar Ati në tokë, u ngjit në qiejt me premtimin që do të kthehet përsëri. Ndërsa kthimi i papritur i zotërisë parafiguron ardhjen e dytë të Krishtit, për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Shërbëtorët janë njerëz që Zoti i caktoi t’i shërbejnë.
Talantat janë dhuratat që Ai u jep njerëzve p.sh. urtësi, shëndet, pasuri ose dhurata mendore, shpirtërore dhe fizike.
Që të gjithë duhet që këto dhurata t’i vënë në punë në shërbim të Zotit edhe të afërmit. Ata që do t’i shumëfishojnë dhuratat do të bekohen nga Zoti me bekim të përjetshëm dhe do të hyjnë në gëzimin e Zotit (parajsë), kurse të pabesët dhe përtacët do të dënohen, do t’ju merret edhe ajo që ata mendojnë se kanë dhe do përfundojnë në mallkim të përjetshëm, në errësirë e jashtme (Ferri), atje do të ketë të qara dhe kërcëllitje dhëmbësh.
Por, kur themi se Zoti vjen papritur, nënkuptojmë vetëm Ardhjen e Tij të Dytë? Natyrisht jo.
Nënkuptojmë edhe orën e vdekjes, që shpesh vjen papritur në jetën e njeriut, prandaj duhet të jemi të përgatitur dhe të nxitojmë ta presim Zotin tonë. Nuk e dimë ditën kur do të vijë Zoti, por do të vijë, sigurisht. “Dhe i lumtur shërbëtori që do ta gjejë të zgjuar dhe mjerë ai të cilin do ta gjejë mendjefjetur”. (Tropari i Dhëndrit)
Të dashur më Krishtin duhet të shfrytëzojmë kohën dhe të bëhemi gati duke mos e shtyrë për nesër pregatitjen tonë, e nesërmja nuk është e jona dhe ndoshta nuk mund të vijë asnjëherë. Të rrish zgjuar dhe të jesh gati do të thotë të jesh i bashkuar me Zotin, me misterin e Pagëzimit, Mirosjes dhe Kungatës Hyjnore. Të jesh i pajtuar me Zotin me misterin e Pendim-Rrëfimit. Të jesh i pajtuar me të afërmin dhe armikun tënd, t’i kërkosh falje dhe ta falësh, të shlyesh borxhet dhe padrejtësitë dhe të presësh me gëzim ardhjen e Zotit.
Kisha Othodhokse na fton: “Ejani o besnikë, le të punojmë dhe le ta rritim pasurinë që na ka dhënë Zoti, secili sipas fuqisë dhe dhuratës, kush me urtësinë e mendjes, kush me veprat e mira, kush me predikimin e fjalës, që ta trashëgojmë gëzimin zotëror, për të cilin vlersona o Krisht, o Perëndi njeridashës.”
Le të vazdojmë me frikë Perëndie, falenderim dhe mirënjohje të thellë ndaj Zotit Jisu Krisht, udhëtimin e bekuar përgjatë Javën së Madhe të Pësimeve të Tij.