Shën Dhionis Përdëllimtari : 28 Mars
Për Shën Dhionis Përdëllimtarin, Mitropolitin e Larisës dhe ndërtuesin e manastirit të Shën Nikollës në Meteora, nuk janë shpëtuar tekste agjiografike, shërbesa, apo sinaksarë.
Shën Dhionisi ikonizohet në një afresk të vitit 1627 në klitin e majtë të Kishës së Anargjendëve në Trikalla, ku sipas kronologjiës nga e majta në të djathtë ikonizohen shtatë “Kryepiskopë të Shenjtë të Larisës”. Shën Thoma Gorianiti, Shën Qiprian Mrekullibërësi, Shën Andon Logiotatos dhe Teolog i Ri, Shën Visarioni, Shën Dhionis Përdëllimtari, Shën Marko Hezikasti dhe Shën Vizarion Sotiri.
Mbishkrimi në afresk (Shën Dhionis Përdëllimtari, Kryepiskop i Larisës), dëshmon se Shenjti u denjësua në ndërgjegjen e grigjës së tij besnike si edhe u bashkua në vallen e Shenjtorëve vendas të zonës. Madje edhe mbiemri Përdëllimtar që i’u dha dëshmon padiskutim kontributin e tij të pasur, si në atë kishtar ashtu edhe në atë shoqëror, si shërbëtor i mëshirshëm ndaj atyre që ishin në një status të ulët shoqëror dhe si ngushëllues për ata që vuanin.
Në bazë të radhës kronologjike të shtatë Mitropolitëve të Shenjtë të Larisës që përmendëm më sipër, kryepriftëria e Shën Dhionis Përdëllimtarit, duhet të vendoset pas viteve 1489 – 1490 dhe para vitit 1499. Rreth vitit 1499 Shën Dhionisi tërhiqet nga grada e tij dhe në vend të tij vjen Shën Marko Hezikasti. Pas tërheqjes së tij shkon dhe murgëron në Manastirin e Shën Nikollës Anapavsa, i të cilit ishte edhe ndërtuesi i parë.
Gjithashtu Shën Dhionisi i Larisës kujtohet shumë herë në “Kronikën e Meteorëve”, e cila duhet të jetë shkruar pak pas vitit 1529.
Oshënar Dhionisi fjeti me paqe, të Enjten e Madhe të vitit 1510.