Shën Nikita Nisirios : 21 Qeshor
Shën Nikita lindi në zonën Mandhraki të Nisiros në vitin 1716, nga prindër të pasur. Babai i tij ishte dhimojerond i ishullit, por ra në disfavor të turqve dhe që t’i shpëtonte dënimeve, u islamizua me gjithë familjen e tij dhe u transferua në Rodos. Aty, djali i vogël, Mehmeti, u informua se më parë ishte i krishter dhe e quanin Nikita. Menjëherë, Nikita në moshën 14 vjeçare shkoi në Manastirin e Ri të Kiosit ku rrëfeu tek igumeni rastin e tij. Igumeni e la në dorën dhe në kujdesin e ish mitropolitit të Tebës Makarit, i cili e mirosi dhe i dha këshilla të dobishme. Nikita qëndroi në manastir si katikumen dhe aty e kapi dëshira e martirizimit dhe me këshillat e asketit të famshëm Anthim Agjiopatriti dhe me bekimin e etërve të tjerë u largua për në Kios. Kur mbërriti, turqit i kërkuan taksën e kokës, të cilën Nikita nuk mund ta paguante.
U kap nga nënpunësi turk, i quajtur Krimlis, për t’u shoqëruar në burg në vendin e quajtur Vunaki. Në atë moment, kaloi prej aty një prift, i quajtur Daniel, ai përshëndeti Nikitën me emrin Mehmet. Krimilisi kur e dëgjoi, mësoi se për çfarë bëhet fjalë dhe e çoi tek Agai. Aty Nikita pohoi me shumë guxim besimin e tij tek Krishti. Turqit me premtime dhe joshje u munduan që ta tërhiqnin martirin në besimin e tyre. Por duke qenë se nuk ia dolën dot, filluan kundër tij torturat e tmerrshme, të cilat zgjatën dhjetë ditë e net. Pastaj e tërhoqën zvarrë në një cep të qytetit, të quajtur "Kato Gialos", ku xhelatët e vendosën nën Metoqin Ivritik dhe filluan përsëri me lajka e premtime, që ta bindin. Por Shenjtori u përgjigj: “I Krishter jam, Nikita quhem dhe si Nikita do të vdes”. Atëherë Krimlisi i preu kokën më 21 Qershor 1732, kur martiri ishte 17 vjeç. Turqit, e hodhën lipsanin e shenjtit të det, në mënyrë që të krishterët të mos merrnin diçka prej tij. Sot në vendlindjen e Shenjtorit në Mandraki të Nisiros, ngrihet një kishë bizantine, që nderon kujtimin e shenjtorit.