Krishti u ngjall! A me të vërtetë u ngjall ?

Publikuar dhe botuar në Dt 01/05/2016 Gazeta Shqiptare & Balkan Web & Tirana Observer
Nga Miron Çako: Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit KOASH
Sot në botë ka rreth 2.1 miliardë të krishterë që besojnë dhe pohojnë se Krishti me të vërtetë u ngjall. Por a është e vërtetë kjo ngjarje sa madhështore aq edhe dyshuese, për ne njerëzit e vdekshëm?
Përpara se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje le të sqarojmë, pse ngjallja e Krishtit prej shekujsh festohet në data të ndryshme nga konfesionet e krishtera. Katolikët dhe protestantët e festojnë zakonisht më përpara se orthodhoksët, ka raste që e festojnë në një ditë. Disa njerëz për këtë situatë përgjigjen me nxitim dhe me naivitet duke thënë se katolikët kanë besuar më shpejt se orthodhoksët. Kuptohet është një përgjigje e gabuar që vjen nga një padije e madhe.
Përgjigjja e saktë është kjo: Pashka që do të thotë kalim, festohej në fillim nga izraelitët për gati 1500 vjet para Krishtit dhe ishte e kremte e veçantë në vitin liturgjikal të hebrenjve, që i kujtonte atyre largimin nga Egjipti. Kjo ditë festohej në datën 14 të muajit Nissan, një ditë e matur me kalendarin hënor që binte ndërmjet muajve mars-prill. Atë ditë sakrifikohej qengji i Pashkës. Kur erdhi Mesia (Krishti) te populli i Izraelit, Ai nuk u besua prej tyre dhe ata e kryqëzuan me anë të paganëve romakë në ditën e premte, një ditë përpara pashkës së tyre që binte të shtunën. Kryqëzimi i Tij ishte përmbushja e Pashkës judaike por që u bë edhe Pashka jonë, e të krishterëve (populli i ri i Zotit). Në rastin e Pashkës judaike kujtojmë kalimin nga skllavëria e Egjiptit në tokën e premtuar Palestinën, ndërsa në Pashkën e krishterë kemi kalimin nga robëria e mëkatit dhe vdekjes në ringjallje dhe shenjtëri. Prandaj qengji që thernin judenjtë simbolizonte vetë Krishtin, i Cili u quajt nga Joan Pagëzori që ishte profeti i fundit për Izraelin si: “Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës”(Joani 1-29).
Kisha e hershme e krishterë në Sinodin I Ekumenik të mbajtur në Nikea 325 pas Krishtit vendosi si kanon (rregull) se: “Pashka e krishterë nuk duhet të paraprijë ose të bjerë në një ditë me pashkën judaike. Po ashtu Sinodi vendosi që Pashka do të kremtohej në të dielën e parë, pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror që zakonisht bie ndërmjet muajve mars dhe prill. Kështu e llogarit Pashkën Kisha Orthodhokse në të gjithë botën, kurse Kisha Romano-Katolike nuk i përmbahet këtij vendimi të Sinodit të I-rë Ekumenik, sepse ata e llogarisin Pashkën me kalendarin diellor ose Gregorian i vitit 1582. Kalendarin Gregorian e aplikojnë edhe disa Kisha Orthodhokse që nga viti 1924, por meqenëse Pashka është festa qendrore e vitit liturgjikal të Kishës, në marrëveshje të gjitha kishat orthodhokse e llogarisin Pashkën me kalendarin hënor, prandaj kjo ditë është e njëjtë për të gjithë orthodhoksët në të gjithë botën dhe tregon unitetin e Kishës që është një dhe e pandarë.
Por le të vijmë tek pyetja kryesore: A u ngjall Krishti me të vërtetë? A ka prova bindëse, apo është një trill ngushëllues, përballë armikut të përbashkët dhe të pamëshirshëm që është vetë vdekja? Që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duhet të kërkojmë. Filozofi Seneka thotë: “kërko sa të mundesh”. Të kërkosh nuk është gabim, përkundrazi edhe kur bëhet fjalë për ngjalljen e Krishtit. Vetë një nxënës i Krishtit Thomai dyshoi për ngjalljen e mësuesit të Tij, por ai nuk pushoi së kërkuari derisa e pa Krishtin e gjallë, e preku në shenjat e mundimit (në brinjë) dhe kur u bind se Ai ishte ngjallur me të vërtetë i ra në gjunjë e adhuroi edhe tha: “Zoti im dhe Perëndia im”. Por Krishti i tha: “Thoma, ti besove se më pe, por lum ata që do besojnë pa më parë” (Jn. 21:29).
Po ata që dyshojnë sot si Thomai, si mund ta shohin dhe prekin Krishtin, që t’ju largohet çdo hije dyshimi se Ai u ngjall me të vërtetë? Metoda më e mirë për të kërkuar për ngjalljen e Krishtit është ajo historiko-gjyqësore. Thuhet historike, sepse merret me veprimet që kanë lidhje me historinë e kaluar dhe gjyqësore, sepse ndodh ashtu si në një gjyq që gjykon dhe nxjerr vendime në bazë të fakteve.
Vendi ku mund të gjejmë fakte të shumëanshme për personin e Krishtit është vetë Bibla, Dhjata e Vjetër dhe e Re e shkruar në një hapësirë kohore për gati 1600 vjet. Në Dhjatën e Vjetër Krishti është paralajmëruar nga profetët, ndërsa në Dhjatën e Re Ai është përshkruar nga nxënësit, nga katër ungjillorët. Por përsëri dikush mund të thotë se Bibla ka fakte të trilluara nga të krishterët. Pavarësisht se kjo akuzë qarkullon akoma dhe sot në rrethe të ndryshme filozofike, akademike dhe fetare, është një akuzë pa një bazë shkencore. Me gjetjet e ndryshme arkeologjike të Shkrimit të Shenjtë, p.sh. ai i shkretëtirës së Kumranit (Qumran 1947-1956) ku u gjetën 900 fletushka papiruse dhe pergamenë të kopjuar nga kaligrafët në shek. II ps.K. që sot ndodhen të ekspozuara në një muze të veçantë në Jerusalem, faktet janë në favor të Biblës. Në këto dorëshkrime gjenden profecitë për Krishtin të njëjta, ashtu siç janë të shkruara në Biblën që sot lexojnë dhe përdorin të krishterët. Pra, ky fakt publik, i përbotshëm hedh poshtë këtë akuzë të falsifikimit të Biblës.
Por për mos t’u zgjatur, do të kërkojmë fakte të tjera historike nga ata që ishin kundra Krishtit. Shpesh armiqtë janë më të vërtetë se miqtë se e thonë të vërtetën edhe kur nuk na pëlqen. Këta janë historianë, filozofë, pushtetar, bashkëkohës ose në një kohë shumë të afërt me atë të Zotit Jisu Krishtit si njeri.
Një ndër këta është Josifi (Josephus), hebre historian i shek. I-rë që shkruan: “Ai (Kryeprifti Ana) mblodhi sinedrin në gjyq dhe vuri para anëtarëve të tij Jakobin, vëllain e Jisuit që quhej Krisht dhe disa të tjerë, të cilët janë akuzuar se kanë shkelur ligjin dhe i dorëzuan të vriten me gurë në këtë mënyrë deri në vdekje. Jakovi ishte biri i Josifit kujdestar i Krishtit dhe vëlla ligjor i Krishtit, episkop i parë i Jeruzalemit, që u martirizua në vitin 62 ps.Kr.
Një tjetër burim historik na vjen nga Taciti, historian romak, nëpunës civil dhe konsull Publius Cornelius. Në veprën e tij historike “Analet”, që ai shkroi midis viteve 115 dhe 117, thotë se perandori Neron (54-68) ia hodhi fajin për zjarrin shkatërrues në Romë të krishterëve. Taciti shkruan: “Neroni imponoi në mënyrë të rafinuar dënimin për të krishterët”. Ata e morën emrin e tyre nga Krishti, i cili ishte ekzekutuar me urdhër të guvernatorit romak Pontit Pilat gjatë sundimit të mbretërimit të Çezar Tiberit (14-39 ps.K) (Analet, XV, 44). Në fund të shek. I-rë historiani romak Suetoni shkruan se perandori Claudius në 49 kishte ndaluar të gjithë hebrenjtë që jetonin në qytetin e Romës (një ngjarje e cila gjithashtu është përmendur në Bibël, në Veprat 18:2). Ai shkruan se hebrenjtë vazhdimisht shkaktonin trazira në Romë duke u nxitur nga Christus. Këto trazira ishin ndoshta si rezultat i ardhjes së krishtërimit në Romë dhe shkaktonin konflikt brenda kolonisë hebreje atje, si kudo ku hebrenjtë ballafaqoheshin me krishtërimin. Suetoni, i cili ka shkruar disa vite më vonë mbas Krishtit si shumë të tjerë sqaron se fjala Christus për Jisuin vjen nga greqishtja sinonim i titullit herbraik Mesia, që do të thotë i vajosuri, Mbreti i Izraelit. Të tjerë që kanë shkruajtur për Krishtin janë Lucian e Samosata, shkrimtar grek dhe satirist, Celsus, filozof romak, etj. Nga burimet izraelite janë Talmud ose Toledoth Jesua, të shkruara në mesjetë. Në këto libra u shkrua me një ndjenjë armiqësore kundër Krishtit, aty na tregohet se Jisu Krishti ekzistoi, që bëri shumë çudira të mëdha, që u kryqëzua, por për ngjalljen e Tij, japin shpjegime të kundërta me ato që besojnë të krishterët dhe nuk kanë përputhje kohore dhe historike.
Sipas këtyre fakteve është e lehtë për të besuar se Krishti ka ekzistuar si njeri, por që është ngjallur prej së vdekurësh a mund të gjejmë fakte? Shën Agustini (354-430) thotë: “Nuk është asgjë për ne që të besojmë se Krishti vdiq, këtë e besojnë edhe paganët edhe judenjtë, edhe njerëz të tjerë të këqinj. Të gjithë besojnë se ka vdekur, besimi i të krishterëve është Ngjallja e Krishtit. Kjo është për ne më e madhja.“Ne besojmë se Krishti u ngjall”. Këtë gjë e thotë në të kundërtën në fundin e jetës së tij i madhi kompozitor Richard Shtraus viti 1864: “Përderisa nuk besoj në ngjalljen e Krishtit, nuk jam i krishterë”.
Por të gjithë njerëzit mbas Krishtit deri më sot kanë një fakt të dukshëm të prekshëm dhe nëpërmjet zhvillimit të tekonologjisë mediatike është shumë e lehtë për t’u parë nga të gjithë njerëzit në çdo cep të globit, vetëm n.q.s e injorojnë me ndërgjegje. Ky fakt është varri bosh që nderohet nga të krishterët në Jerusalem, në kubenë (kuvuklin) e Kishës së madhe të Ngjalljes ndërtuar në shek IV-të nga Perandori I-rë i krishterë, Kostandini i Madh 272-337.
Shumë njerëz të mëdhenj, faraonë, perandorë, ushtarakë, profetë, reformatorë kanë jetuar në këtë botë dhe kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, por që të gjithë u mundën nga një armik i përbashkët, vdekja. Eshtrat e tyre në varret ku ato prehen e bëjnë të padiskutueshëm faktin, që njeriu është një qenie e vdekshme. Vetëm varri i Krishtit është bosh. Arsyeja pse është bosh është se Ai u ngjall pas tri ditësh dhe la në varr si shenjë të ngjalljes, rizën e palosur bashkë me pëlhurat (qefinin). Kur e dëgjuan në fillim, këtë fakt ata që e kryqëzuan Krishtin pra judenjtë thanë: “Këto janë gënjeshtra sepse erdhën nxënësit natën dhe e vodhën trupin e tij dhe pastaj thonë që Ai u ngjall.” Ka dy mijë vjet që qarkullon kjo alibi dhe shumë veshë kanë dëshirë ta dëgjojnë dhe ta besojnë dhe kur dëgjojnë se Krishti u ngjall nënqeshin duke thënë: “sa naivë që janë, trupin e tij e vodhën nxënësit natën.”
Por thamë që do kërkojmë derisa të marrim përgjigjen e plotë sipas metodës historiko-gjyqësore.
Alibia e judejve mosbesues thotë që erdhën natën dhe e vodhën. Por lind pyetja si e vodhën? Varri ishte i vulosur nga ushtarët me vulën e Pilatit, guvernatori i Romës dhe që nga ai moment, ai ishte një objekt i një rëndësie të veçantë. Kustodija, truproja me 16 veta legjionarë të cilët u ngarkuan me detyrën që të ruanin varrin, objekt i një rëndësie të veçantë, e organizonin këtë detyrë me katër ndërresa herë katër ushtarë d.m.th. katër rrinin tek varri, katër të gatshëm dhe tetë rreth varrit për t’u çlodhur. Ligji ushtarak i Romës caktonte se ushtari që nuk kryen detyrën për arsye se e ka zënë gjumi ose është larguar nga vendi i truprojës duhet të dënohet me vdekje në kryq. Si është e mundur që t’i kishte zënë gjumi të 16 ushtarët, me të tillë ligj ushtarak? Dhe në qoftë se i zuri gjumi pse nuk u zgjuan kur nxënësit lëvizën gurin e varrit sepse ai ishte një gur i rëndë si një gur mulliri që për ta lëvizur duhej forca e dy burrave së bashku me leva?
Po mire. Ta zëmë se e vodhën, për çfarë ta donin? Shën Joan Gojarti (354-407) thotë që “ata nuk duhet ta donin, por duhet ta urrenin, sepse iu kishte thënë se ishte i pavdekshëm dhe Perëndi i gjithëfuqishëm, u kishte premtuar gjithë qiellin dhe u tregua si një njeri i thjeshtë, i varur në drurin e kryqit, dënim vetëm për kriminelët.”
Për të bërë një fe, – mund të thonë disa. Çfarë feje do përhapnin apostujt kur kjo fe e re, se Krishti u ngjall, do të binte ndesh me porosinë e IX të Degalogut: “Mos gënje!” Si do të guxonin të gënjenin në emrin e Perëndisë shumë të shenjtë që i urren dhe i dënon gënjeshtarët, siç thotë Shkrimi i Shenjtë: “Buza gënjeshtare është e neveritshme për Zotin.” (Fj. Urta 12:22) Dikush mund të thotë që e bënë për fitim, famë. Por çfarë fitimi dhe fame kishin apostujt? Apostull Pavli shkruan në emër të të gjithë apostujve: “deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur, jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi dhe mundohemi duke punuar me duart tona, duke qenë të fyer bekojmë, duke qenë të përndjekur durojmë, duke qenë të sharë lutemi, jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot” (1 Kor. 4: 11-13).
Por fakti që na bind se apostujt e panë Krishtin e gjallë dhe u urdhëruan të përhapin këtë fakt në të gjithë botën, është vetë fundi martirik i apostujve. Apostull Petro i cili nga frika e mohoi Krishtin tri herë u pendua për këtë duke shpresuar tek mëshira e Zotit, Krishti e fali dhe e bëri përsëri apostull por si shlyerje përfundimtare të këtij mohimi ai dha jetën si martir i Krishtit, i kryqëzuar me kokë poshtë në kodrën e Vatikanit në vitin 67, duke pohuar se Krishti u ngjall. Apostull Pavli, i luftoi në fillim pasuesit e Krishtit që besonin në ngjalljen e Tij, mbasi Krishti iu shfaq i gjallë rrugës për në Damask, u pendua dhe nga përndjekës, pranoi të përndiqet për Krishtin derisa dha edhe ai jetën si martir, me prerje koke në rrugën ‘Apia’ të Romës viti 67. Apostull Pavli thoshte: “N.q.s. Krishti nuk është i ringjallur predikimi ynë është i kotë” (I Kor. 15:14). Të gjithë apostujt u martirizuan, i vetmi që pati vdekje natyrale ishte Joani, nxënësi i dashur i Krishtit, i cili jetoi gjatë gjithë jetës si martir duke vuajtur vështirësitë e internimit. Jo vetëm apostujt dhe dishepujt u martirizuan duke pohuar se Krishti u ngjall por edhe ata që besuan nëpërmjet tyre dhe pohuan ngjalljen e Krishtit në shekuj u martirizuan. Vetëm tre shekujt e parë u martirizuan 11 milionë të krishterë dhe ky martirizim vazhdon deri edhe në ditët e sotme dhe do të vazhdojë deri në fund, deri sa të plotësohet numri i martirëve (Zbulesa. 6:11)
Filozofi Paskal tha: “Prandaj janë lehtësisht të besueshme ato ngjarje për të cilat ata që i panë pranuan të bëjnë një vdekje martirike.”
Por përsëri edhe pse i dëgjojmë këto fakte historike akoma mund të ketë skeptikë që nuk i besojnë dhe duan të dëgjojnë më shumë fakte edhe pse jo të mbinatyrshme, Hyjnore që vërtetojnë se me të vërtetë Krishti u ngjall. Duan apo s’duan ta besojnë njerëzit, vit për vit në Jerusalem ndodh një mrekulli Hyjnore, e dukshme për të gjithë, që vërteton ngjalljen e Krishtit.
Patriarku orthodhoks në vigjilje të Pashkës në Jerusalem futet në varrin e Krishtit i cili është në juridiksionin e Kishës Orthodhokse duke mbajtur 33 qirinj, simbol I moshës së Krishtit. Patriarku nuk ka asnjë mjet ndezës dhe as në kishë nuk ka asnjë lloj flake. Kjo gjë kontrollohet imtësisht nga autoritet shtetërore, të pranishmit e kishave të tjera dhe të përkthyesit armen që e shoqëron patriarkun brenda në varr. Të Shtunën e Madhe që kremtohet zbritja e Zotit Jisu Krisht në hadh (bota e të vdekurve), rreth orës 12:00 të drekës, zbret prej qiejve Drita (zjarri hyjnor) që ndez qirinjtë e patriarkut orthodhoks. Këtë Dritë e marrin pastaj të gjithë besimtarët që janë në Kishë, të cilët brohorasin me gëzim duke thirrur: Drita e Orthodhoksëve-Drita e Orthodhoksëve!! Drita e shenjtë që shfaqet si gjuhë zjarri, ka raste që kalon tejpërtej kishës duke ndezur kandilet e Kishës ose qirinjtë e besimtarëve. Në fillim kjo dritë nuk të djeg, pastaj ajo kthehet në një dritë të zakonshme. Ky fenomen hyjnor përsëritet çdo vit prej shekujsh në varrin e Krishtit. Dhe kanë të drejtë ta marrin prej Zotit vetëm orthodhoksët me përfaqësuesin e tyre patrikun e Jerusalemit. Të gjitha kishat orthodhokse në botë brenda mundësive me përfaqësuesit e tyre e marrin këtë Dritë të shenjtë dhe me mjete të shpejta e dërgojnë në kishat katedrale në botë për të ndezur në orën 12 të mesnatës kandilet e altarëve, dhe prej asaj Drite nëpërmjet priftërinjve marrin dritë gjithë besimtaret duke kënduar troparin: “Eni merrni dritë nga drita që s’perëndon dhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurësh.”Të tjerë konfesione të krishtera n.q.s. duan, e marrin Dritën e Pashkës prej Kishës Orthodhokse.
Në vitin 1759 armenët e blenë varrin e shenjtë nga sulltan Murati. Atë vit nuk u lejua të hynte në Kishë patriarku orthodhoks por ai armen, (heretik monofizit). Edhe atë vit erdhi drita, por nuk i ndezi qirinjtë e patriarkut armen, por kaloi tejpërtej Kishës, çau kollonën e derës kryesore dhe ndezi qirinjtë e patriarkut orthodhoks të Jerusalemit Sofroni IV. Kjo histori ka ndodhur më datën 18 prill 1759. Kollona është dhe sot e kësaj dite e çarë si dëshmi e pakundërshtueshme. Që atëherë sulltani me ferman urdhëroi që vetëm orthodhoksët kanë të drejtë të hyjnë në varrin e Krishtit dhe të marrin Dritën e Shenjtë.
Ky fakt hyjnor, i prekshëm dhe i dukshëm nga të gjithë ata që janë të interesuar me mendje të hapur, tregon se Kisha Orthodhokse duke mos devijuar gjatë shekujve as majtas as djathtas e ka të plotë Hirin e Perëndisë dhe ajo ka të drejtën e Zotit të dëshmojë botërisht dhe me fakte Hyjnore se Krishti me të vërtetë u ngjall! Për shumë vjet Pashkën!