HISTORIA KISHTARE (P.21) Pavli në Romë. Arrestimi i tij (Veprat e Apostujve 28. 16-31)
Burgosja e Pavlit në Romë
Në Romë, Pavlin e lejuan që të qëndrojë në një shtëpi private pranë burgjeve bashkë me një ushtar, që e ruante. Për këtë gjë kontribuan edhe rekomandimet e kryeqindëshit Julio, i cili kishte shoqëruar Pavlin gjatë udhëtimit, por edhe raporti i Festit guvernatorit të Palestinës. Kështu i lidhur me zinxhirë të lehtë, siç i quan edhe ai vetë kaloi dy vite në Romë. Gjykata perandorake u vonua shumë që të merrej me të.
I lidhuri i madh predikon Krishtin
Perëndia e bëri burgun e Pavlit në Romë, amvonë të Ungjillit. Aty e vizituan bashkpunëtorët e tij të dashur, Llukai, Timotheu, Marku, Aristarku dhe shumë të krishterë të tjerë. Madje e vizitonin edhe njerëz nga pallati i Neronit, ushtarakë, të lirë, skllevër, etj. Tek të gjithë këta fliste gjithmonë për Krishtin. Kështu në atë shtëpi të varfër, ku qëndronte i lidhuri i madh, shumë njohën hirin e Perëndisë dhe gjetën shpëtimin. Tek të gjithë këta Apostulli i nderuar predikonte për Mbretërinë e Perëndisë dhe mësonte për Zotin Jisu Krisht. Me këto fjalë përfundon edhe rrëfimin e tij në “Veprat e Apostujve”, dëshmitari okular dhe Ungjillori Lluka.
Letrat e robërisë
Tani që Pavli ishte i burgosur, më tepër mendonte për Kishat, të cilat i kishte themeluar me hirin e Perëndisë. Çfarë po bëhej me të krishterët e tij të dashur? Sa shumë do të dëshironte që të gjendej përsëri pranë tyre! Por, duke qenë se kjo gjë ishte e pamundur, vendosi që të komunikojë me to nëpërmjet “Letrave”. Kështu burgu i Romës u bë vend i shkrimit të frymëzuar prej Perëndisë. Me ndriçimin e Perëndisë aty u shkruan Letrat: 1) Drejtuar Kolosianëve, 2) Drejtuar Efesianëve, 3) Drejtuar Filipianëve, 4) Drejtuar Filimonit. Ato quhen edhe Letrat e robërisë. Në zinxhirin e artë të Letrave të tjera të Apostull Pavlit shtohen edhe këto, për mësuar të gjitha, 14 në total, fjalën e Perëndisë për brezat e panumërta të njerëzve.
Lirimi i Pavlit nga burgu
Ps dy vitesh gjykata perandorake u mor me Pavlin. Ende krishtërimi ishte një fe e ndaluar. Por askush nuk guxonte që të ngrihej kundër tij. Por edhe raporti i guvernatorit Fest ishte i favorshëm. Të gjitha këto bënë që të ndriçonte e vërteta, të pafajësohej Pavli dhe të lirohej nga burgu. Kështu mbaroi burgosja e Pavlit, që zgjati rreth 5 vite. Gjatë gjithë kësaj periudhe Apostulli i madh duroi vuajtje të panumërta për Kishën dhe Ungjillin e Krishtit.