HISTORIA KISHTARE (P.23) APOSTULL PETRO
Autori: Vasil Skiadha
Petro, nxënës i Zotit
Petro ishte i bir i Jonait dhe vëlla i Apostull Andreas. Me origjinë ishte nga Betsaida e Galilesë dhe ishte peshkatar në liqenin Gjenisaret. U bë një prej nxënësve të parë të Zotit, të cilin e ndoqi me përkushtim dhe dashuri. Petro shumë herë foli edhe në emër të Apostujve të tjerë. Dallohej për guximin e tij. Por edhe Zoti e donte në mënyrë të veçantë Petron, së bashku me vëllezërit Jakov dhe Joan. Petro e mohoi Mësuesin e tij në oborrin e kryepriftit, por e lau këtë mëkat me lotët e pendimit të tij të sinqertë. Zoti, Perëndisë i dashurisë, e fali Petron dhe e çmoi pendimin e tij madhështor. Për të rikthyer dinjitetin e tij përpara syve të nxënësve të tjerë dhe për ta rivendosur në gradën apostolike, ju tha grave miroprurëse, që Petron ta njoftonin veçmas për Ngjalljen e Tij. E njëjta gjë edhe në liqenin Gjenisaret, përpara nxënësve të tjerë, e urdhëroi për të predikuar fjalën hyjnore.
Petro predikon dhe bën mrekulli
Pamë se gjatë ditës së Pentikostisë peshkatari i dikurshëm, Petro, me rrjetën e fjalës hyjnore solli tek Krishti tre mijë besimtarë. E pamë që të predikonte edhe në Samari dhe shumë besuan tek Zoti. Guximi dhe zelli i Petros nxitën edhe të tjerët në veprën e Perëndisë. Përndjekja kundër të krishterëve, që u bë pas vrasjes së Stefanit, kishte ndaluar. Të krishterët të pashqetësuar më përparuan në devotshmëri dhe shtoheshin vazhdimisht. Gëzimin e të gjithëve e rriti akoma edhe më shumë turneu i Petros në Palestinë. Shën Joan Gojarti shkruan se:”Petro si një gjeneral i mire shkonte gjithandej dhe inspektonte rrjeshtat e të krishterëve. Atëherë Petro shkoi edhe në qytetin Lida, ku forcoi besimtarët në vullnetin hyjnor. Aty me fuqinë e Perëndisë shëroi dikë, që quhej Enea, i cili ishte tetë vite i paralizuar. Me këtë mrekulli shumë besuan tek Zoti.
Petro ngjall Tabitën
Në qytetin e bukur bregdetar të Jopës, Jafën e sotme, kishte shumë besimtarë. Mes tyre, si një pemë e lulëzuar e mbushur me fryte dallohej për veprat e saj të mira, vajza e devotshme Tabita. Një ditë, Tabitaja u sëmur rëndë dhe megjithë kujdesin e besimtarëve, vdiq. Atëherë shpresa e të gjithëve u kthye nga Petro, që gjendej në qytetin fqinj të Lidës. Ai me ndihmën e Perëndisë, a nuk do të mund ta ngjallte? Pa hezitim dërguan në Lidë dy burra, të cilët ju lutën që të shkonte në Jopë. Petro shkoi dhe u prek shumë kur pa jetimët dhe vejushat që ta lutnin me lotë për Tabitën. Tregonin edhe rrobat, që ajo ju kishte përgatitur. Atëherë kërkoi që të gjithë të dilnin jashtë dhomës së të vdekurës. Dhe pasi u gjunjëzua ju lut Zotit nxehtësisht. Në një moment e ndaloi lutjen e tij dhe thirri “Tabita, ngrihu”. Mrekullia, që të gjithë prisnin u bë. Gëzimi i tyre ishte i papërshkrueshëm. Mrekullia u përhap si një shkëndijë dhe u bë shkak që të besonin tek Zoti shumë judenj dhe idhujtar.