HISTORIA KISHTARE (P.24) Petro në Qesari (Veprat e Apostujve 10.1-48)
Autori: Vasil Skiadha
Korneli, oficeri besimtar
Në qytetin bregdetar të Qesarisë ishte rezidenca e administratorit romak të Palestinës. Për këtë arsye aty gjendej edhe një fuqi ushtarake e madhe me shumë ushtarë dhe oficerë. Midis tyre dallohej për devotshmërinë dhe veprat e tij të mira kryeqindëshi Kornel. Ai edhe pse ishte idhujtar, besoi tek Perëndia i vërtetë, përdelleu të varfërit dhe ju lut Perëndisë që ta ndriçonte. Shembulli i mirë i Kornelit e kishte sjellë të gjithë familjen e tij drejt Perëndisë së Vërtetë.
Korneli fton Petron
Një ditë, rreth orës tre të pasdites, ndërsa Korneli po lutej, pa në një vizion Ëngjëllin e Zotit që t’i thotë: “Kornil, lutjet e tua dhe përdëllimet e tua arritën në fronin e Perëndisë, për t’i kujtuar shembullin tënd. Dërgo pra burra në Jopë dhe fto këtu Simonin, që quhet Petro. Ai është duke qëndruar në shtëpinë e Simonit, që përpunon lëkurë dhe banon pranë detit”. Më pas Ëngjëlli u zhduk. E kishte bërë detyrën e tij. Kornili, i mbushur tashmë me gëzim dhe mirënjohje për Zotin për nderin që i bëri, zbatoi menjëherë urdhërin hyjnor. Dërgoi në Jopë dy shërbëtorë të tij bashkë me një ushtar të devotshëm dhe ftoi Petron që të vijë në Qesari.
Vizioni i Petros
Gjatë kohës kur Petro qëndronte në shtëpinë e Simonit, pa një vizion. Ishte mesditë dhe gjendej në pjesën e sipërme të shtëpisë dhe po lutej. Papritur pa që prej qiellit të zbriste diçka që ngjasonte me një çarçaf. Varej prej katër cepave dhe brenda tij gjendeshin të gjitha kafshët e tokës, bisha, zvarranikë dhe shpendë. Shumë prej tyre judenjtë nuk i hanin si ushqime të papastra. Me ato simbolizonin idhujtarët, të cilët duhet t’i shmangnin, që të mos tërhiqeshin prej tyre në mëkat. Njëkohësisht Petro dëgjoi një zë që i thoshte: “Merr nga këto Petro, ther edhe ha”. Por Petro u përgjigj: “Kurrë, Zot, nuk do të ha kafshë të papastër, sikurse nuk kam ngrënë deri më tani”. Por përsëri u dëgjua i njëjti zë: “Ato që ka pastruar Perëndia, mos mendo se janë të ndotura”. Pasi kjo gjë u përsërit tre herë, çarçafi me kafshët u zhduk drejt qiellit. Petro i habitur po mendonte, se çfarë nënkuptonte ky vizion i çuditshëm? Mos ndoshta me atë Perëndia donte që të tregonte ndonjë të vërtetë të madhe?
Petro në Qesari, pagëzimi i Kornelit
Atëherë arritën njerëzit e Kornelit dhe i treguan Petros qëllimin e udhëtimit të tyre. Shpirti i Shenjtë e ndriçoi që të kuptojë se çfarë nënkuptonte vizioni dhe që t’i ndiqte këta njerëz. Kështu ditën tjetër u nisën për në Qesari. Aty Petron e priti Korneli besëmirë bashkë me të afërmit e tij dhe me miqtë e tij të ngushtë. Korneli e priti Petron me respekt të madh madh dhe i tregoi të gjitha sa kishte dëgjuar prej Ëngjëllit. Më pas Petro ju tha se, edhe pse ishte jude, erdhi tek këta paganë se ky ishte vullneti i Perëndisë. Në vijim me mirësi dhe dashuri ju foli për Zotin dhe për mënyrën e shpëtimit. Ky mësim i rëndësishëm i Petros kishte rezultate mahnitëse. Ndërsa Petro ishte duke folur, Shpirti i Shenjtë “zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin”. I bëri edhe ata të aftë për të folur gjuhë të huaja dhe të lavdërojnë Perëndinë. Të gjithë mbetën të mahnitur. Tashmë e panë qartësisht se Perëndia ftonte edhe paganët në çlirim dhe në shpëtim. Në vijim Petro i pagëzoi në emrin e Zotit. Ishin prej paganëve të parë që pranuan Pagëzimin e shenjtë. Të gjithë ata dhe në veçanti Korneli, me gëzim dhe ngazëllim e ftuan Petron që të qëndronte me ta edhe për disa ditë. Më pas Petro shkoi në Jerusalem, ku tregoi aty përpara “të krishterëve judenj” se ishte vullnet i Perëndisë që besimi i ri të përhapet edhe tek kombet. Të gjithë u gëzuan dhe lavdëruan Perëndinë.