HISTORIA KISHTARE (P.25) Petro në burg, lirimi nga burgu, udhëtimet dhe vdekja e tij (Veprat e Apostujve 12. 1-17)
Petro në burg
Mbret i judenjve nga viti 41 deri në vitin 44 ishte Herod Agripa, nip i Herodit që theri foshnjat gjatë Lindjes së Zotit. Ai, pra që të zbuste antipatinë e hebrenjve kundër tij, pasi i qeveriste në mënyrë tiranike, nisi një përndjekje kundër të krishterëve. Me urdhërin e tij në vitin 44 Apostull Jakovit, vëllait të Joanit ju pre koka. Ai ishte i pari nga Apostujt që dha jetën e tij për besimin e Krishtit. Herodi pa se ky veprim kënaqi shumë hebrenj dhe vendosi të vijojë dënimet me vdekje. Kështu, gjatë ditëve të Pashkës, arrestoi Apsotull Petron dhe e mbylli në burg të lidhur rreptësisht. Ditë dhe natë 16 ushtarë e ruanin duke qëndruar 4 ushtarë për turn. Dëshironte që ta vriste pas Pashkës. Petro e ja besoi veten e tij mbrojtjes së Perëndisë. Por edhe të krishterët i luteshin me zjarr Zotit që ta shpëtonte. Derisa sa arriti mbërmja e fundit, para ekzekutimit të Apostullit.
Petro shpëton
Shumë të krishterë, në atë moment kritik të natës u mblodhën në shtëpinë e Marisë, nënës së Ungjillorit Marko. Gjithë natën u lutën për shpëtimin e Petros. Dhe ja përgjigja për lutjet e tyre të nxehta: Ëngjëlli i Zotit u shfaq në burg, zgjoi Petron dhe i tha të bëhej gati. Në të njëjtën kohë në një mënyrë të mrekullueshme ranë zinxhirat nga duart e Petros. Dyert e burgut u hapën dhe kaloi, Ëngjëlli bashkë me Petron, përpara rojeve, pa u vënë re prej tyre. Pasi u larguan nga burgu, Ëngjëlli u zhduk. Nuk kishte më rrezik. Atëherë Petro erdhi në vete dhe kuptoi se kishte shpëtuar nga goja e ujkut. Shpejt shkoi në shtëpinë ku luteshin besimtarët. Si e panë, të gjithë u gëzuan dhe falenderuar Perëndinë. Mësuan kështu, përsëri, se Perëndia dëgjon lutjen e besimtarëve dhe ju fal mbrojtjen e tij. Petro menjëherë u largua për një vend tjetër. Kështu shmangu maninë e Herodit si edhe do të predikonte Ungjillin nëpër vende të tjera.
Udhëtimet dhe vdekja e Apostull Petros
Petro pas vdekjes së Herodit u rikthye në Jerusalem. Μë pas u takua përsëri me Apostull Pavlin në Antioki. Bëri udhëtime dhe predikoi Ungjillin në Galati, në Bitini, në Kapadoki, etj. Por tradita e vjetër e Kishës na thotë se Roma ishte vendi i fundit i veprimtarisë hierapostolike të Apostullit Korife. Aty gjatë përndjekjes së Neronit arrestuan Petron dhe e vranë në mënyrë martirike. Sipas traditës Petro u kryqëzua me kokën poshtë. Kështu me vdekje kryqi mbaroi jeta e Petros, një jetë që u karakterizua prej dashurisë she përkushtimit për Zotin.
Por Petro vazhdon që të na predikojë edhe sot me anën e dy “Letrave të tij të Përgjithëshme” të frymëzuara nga Perëndia. Kështu quhen Letrat e Dhjatës së Re, të cilat ju drejtohen të gjithë të krishterëve. Kisha jonë i nderon bashkë Apostujt Korifenj, Petron dhe Pavlin, më 29 qershor.