HISTORIA KISHTARE (P.27) Andrea i Parëthirruri
Autori: Vasil Skiadha
Andrea, i pari që pranon gradën aspostolike
Andrea ishte vëllai i vogël i Petros dhe ushtronte bashkë me të profesionin e peshkatarit. Të dy vëllezërit, prej zellit besëmirë shkuan pranë Shën Joan Pararendësit dhe u bënë nxënës të tij, bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Jakovin dhe Joanin. Kur Zoti i thirri që ta ndjekin, Andera i pari pranoi me gëzim ftesën hyjnore. Për këtë arsye quhet edhe i “Parëthirruri”. Më pas, pranë Zotit solli edhe vëllanë e tij Petron, në mënyrë që tashmë të bëhen “peshkatarë njerëzish”. Dmth., tani, me rrjetën e predikimit do të tërhiqnin njerëzit pranë Perëndisë.
Andrea drejton edhe të tjerët tek Krishti
Andrea solli tek Krishti edhe bashkëqytetarin e tij dhe apostullin e mëvonshën, Filipin. Dikur disa grekë besëmirë, që donin të shikonin Jisuin, zbuluan këtë dëshirë të tyre tek Filipi. Dhe ai bashkë me Anderan i paraqitën ata përpara Zotit. Më vonë, Andrea predikoi dhe vdiq në Greqi. Shikojmë pra se Andrea, jo vetëm ishte i pari që ndoqi Jisuin, por u kujdes që të drejtonte edhe të tjerë pranë Perëndisë. Kjo gjë tregon zellin e tij të madh hierapostolik.
Andrea udhëton dhe vdes për Krishtin
Sipas traditave kishtare të lashta, pas Pentikostisë, Andrea udhëtoi dhe predikoi nëpër vende të ndryshme. Shkoi në Siri, në Kapadhoki, në Vithini, në Skithi, etj. Në qytetin e Bizantit hirotonisi dhe caktoi episkopin e parë, Stahin. Për këtë arsye ai përmendet si themelues i Kishës së madhe të Krishtit në Kostandinopojë.
Prej Bizantit, Andrea shkoi në Trakë, në Maqedoni, në Epir dhe përfundoi në Patra të Ahaisë. Në Patra, Apostull Andrea bëri shumë mrekulli dhe predikoi Ungjillin. Rezultatet ishin të mrekullueshme. Shumë besuan tek Zoti, duke përbërë kështu Kishën e krishterë aty. Mes tyre ishte edhe bashkëshortja e guvernatorit të Ahaisë, Maksimilla dhe vëllai i saj. Kjo gjë acaroi guvernatorin, i cili urdhëroi që të kapnin dhe të burgosin Andrean. Pak më vonë ai e dënoi me vdekje në kryq. Pamë se Andrea ishte i pari që ndoqi Krishtin. Tani shikojmë se ai denjësohet që ta ndjekë Zotin edhe në Kryq. Në moshë të moshuar, rreth 80 vjeç, duroi me burrëri vdekjen në kryq, i cili kishte formën e një X-i.
Kisha nderon apostull Andrean
Lipsani i shenjtë i apostull Andreas, në shekullin IV u transferua në Kostandinopojë dhe u vendos në Kishën e Apostujve të Shenjtë. Në Patra ai konsiderohet si mbrojtës i qytetit. Sot, në Patra ruhet edhe “koka e nderuar” e Apostullit. E gjithë bota e krishterë dhe në veçanti Kostandinopoja dhe Skocia, nderojnë Shën Andrean e Parëthirrur. Kujtimin e tij e nderojmë më 30 nëntor.