HISTORIA KISHTARE (P.28) Tetë Apostujt e tjerë
Autori: Vasil Skiadha
Apostujt e tjerë
Dimë se 12 Apostujt pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë u bënë predikues të tërëfuqishëm të fjalës Hyjnore dhe nisën veprimtarinë e tyre apostolike. Por veprimtari apostolike përveç 12 Apostujve dhe apostull Pavlit, bënë edhe ndihmësit dhe bashkpunëtorët e tyre. Deri tani njohëm apostull Pavlin dhe apostujt Petro, Joan dhe Andrea. Pamë se në vitin 44 Jakovit, të birit të Zevedheut ju pre koka. Tani na mbetet për të parë se çfarë bënë tetë apostujt e tjerë.
Veprimtaria e Apostujve të tjerë
Tetë Apostujt e tjerë përbëjnë një fenomen unik në historinë e njerëzimit. Këta njerëz të thjeshtë dhe të parëndësishëm Perëndia i bëri të denjë dhe të aftë që të shembnin idhujt. I tregoi si ndriçues të botës. Madje i denjësoi që të vulosnin predikimin e tyre me jetën e tyre. Kështu sipas traditave të vjetra mund të ndjekim veprimtarinë e gjithësecilit.
1. Filipi
Ishte me origjinë nga Betsaida e Galilesë dhe ishte prej nxënësve të parë të Zotit. Predikoi Ungjillin në Frigji të Azisë së Vogël, ku edhe u martirizua. E nderojmë më 14 nëntor. Një ditë para fillimit të kreshmës së Krishtlindjeve.
2. Nathanaili apo Bartholomeu
Ishte me origjinë nga Kana e Galilesë. Zoti e quajti Izrailit të vërtetë, pa ligësi. Nathanaili sipas traditës së Kishës, predikoi Ungjillin në Indi dhe në Armeni. Vujati edhe ai një vdekje martirike.
3. Thomai
Ishte ai, që mungoi, kur Zoti ju shfaq nxënësve të Tij për herë të parë pas Ngjalljes së Tij. Megjithatë, Thomai i tha, “Zoti im dhe Perëndia im” kur e pa edhe ai Zotin pas tetë ditësh. Këtë ngjarje e kujtojmë të Dielën e parë pas Pashkës. Atëherë nderojmë edhe kujtimin e tij. Thomai predikoi Ungjillin në Parthë dhe në Indi, ku edhe u martirizua. Për këtë arsye të krishterët e Indisë quhen “Thomaitë”.
4. Mattheu
Ishte me origjinë nga Galilea. Ishte tagrambledhës, pra mblidhte taksat në Kapernaum. Mattheu ndoqi me dëshirë Zotin, kur e ftoi për t’u bërë nxënës i Tij. Fillimisht predikoi tek judenjtë e Palestinës. Shkroi edhe Ungjillin e parë dhe të frymëzuar nga Perëndia për të Krishterët, të cilët më parë ishin judenj. Më pas predikoi tek Parthët dhe tek Etiopasit. Edhe ky u martirizua për Krishtin.
5. Jakovi, biri i Alfeut
Quhej edhe i vogël, për t’u dalluar nga Jakovi, i biri i Zevedheut. Predikoi Ungjillin në Egjipt, ku edhe u martirizua.
6. Tade Leviu
Ky quhej edhe Juda dhe ishte i biri i Jakovit. Predikoi Ungjillin në Siri, në Armeni, në Arabi dhe në Persi. Vdiq në mënyrë martirike.
7. Simon Kananiti apo Zelloti
Ky Apostull, sipas traditës predikoi në Mauritani dhe nëpër vende të tjera të Afrikës. Thuhet se shkoi edhe në Britani të Madhe, ku edhe vdiq në mënyrë martirike.
8. Matthia
Dimë se ky, zuri vendin bosh të Judë Iskariotit në gradën apostolike. Thuhet se predikoi në Egjipt dhe në Etiopi, ku gjeti edhe vdekje martirike. Kisha jonë nderon në veçanti çdo Apostull, por i nderon edhe të gjithë bashkë më 30 qershor.