HISTORIA KISHTARE (P.31) ADMINISTRIMI I KISHAVE TË PARA TË KRISHTERA
Autori: Vasil Skiadha
Kleri dhe sinodet
A) Kleri. Meshtarët kishtarë
Në kohën kur jetuan Apostujt, me bekimin e Perëndisë Kishat e krishtera shtoheshin vazhdimisht. Administrimin e të gjitha kishave në fillim e kishin vetë Apostujt. Por më vonë Apostujt duke patur administrimin e të gjitha këtyre kishave, nuk do të mund të kryenin veprimtarinë e tyre apostolike. Kishin nevojë edhe për ndihmës dhe bashkpunëtorë të tjerë. Ata u quajtën meshtarë kishtarë dhe me kalimin e kohës u ndanë në dy rangje: karizmatikët dhe meshtartët e përhershëm kishtarë. A) Karizmatikët. Në këtë rang hynin të gjithë ata që nga Perëndia kishin marrë një dhunti të veçantë. Përveç gradës Apostolike, ata ishin Ungjilltarë ose predikues të Ungjillit dhe Profetë. Ungjilltarët, ashtu si edhe Apostujt, kishin si detyrë kryesore udhëtimin nëpër vende të ndryshme dhe themelimin aty të kishave të reja. Ndërsa Profetët udhëtonin nëpër Kishat që ishin themeluar dhe forconin besimtarët në jetën e krishterë. B) Meshtarët e përhershëm kishtarë. Ishin ata që qëndronin vetëm pranë besimtarëve. Μe kalimin e kohës u ndanë në tre shkallë, dhjakonët presviterët dhe episkopët, të cilët përbëjnë edhe klerin e shenjtë.
Klerikët dhe veprimtaria e tyre
Klerikët në fillim u hirotonisën prej Αpοstujve. Kështu u hirotonisën shtatë dhjakonët në Jerusalem. A) Dhjakonët. Fillimisht ndihmonin në ushtrimin e filantropisë. Por mbizotëronte edhe zakoni që të ndihmonin edhe në Liturgjinë Hyjnore. B) Presviterët. U kufizuan në detyrat e tyre priftërore. Më të rëndësishmet prej tyre ishin: Celebrimi i të gjithë mistereve, përveç priftërisë, të kryenin të gjitha shërbesat e shenjta, përveç shenjtërimit të miros dhe shenjtërimit të kishave, të baritonin popullin e Perëndisë dhe të predikonin fjalën hyjnore. C) Episkopët. Apostujt, pushtetin për administrimin e Kishës, e kaluan më pas tek episkopët. Tashmë episkopët do të vijonin veprimtarinë e Apostujve. Pushtetin e tyre, episkopët jua kaluan pasardhësve të tyre. Kështu me një transmentim apostolik të pandërprerë ka arritur deri më sot hiri hieratik (priftëror). Episkopët, në veçanti vijuan që të hirotonisin klerikë të tjerë dhe të celebrojnë të gjitha misteret dhe shërbesat e shenjta. Vazhduan që të predikojnë edhe Fjalën Hyjnore dhe të administrojnë Kishën. Ishin dhe janë “goja” dhe përfaqësues të rregullt të Kishës.
B) Sinodet, lokale dhe krahinore
Në Kishën e hershme, shumë herë në të njëjtën zonë ekzistonin edhe zona të tjera edhe më të vogla me episkopë të veçantë. Por të gjithë ata përbënin shoqërinë kishtare. Shumë herë shfaqeshin çështje me interes të përbashkët, të cilat zgjidheshin prej Sinodeve lokale. Në këto Sinode merrnin pjesë episkopët e një zone, bashkë me episkopët e zonave fqinje. Merrnin pjesë edhe klerikë dhe laikë të tjerë. Kryetar ishte episkopi i qytetit më të rëndësishëm. Sinodet lokale me ndriçimin e Perëndisë zgjidhnin çështjet që shqetësonin Kishën. Pas vitit 325 nisën të zhvilloheshin edhe Sinodet krahinore. Në këto Sinode merrnin pjesë episkopët e së njëjtë zonë me kryetar episkopin e qytetit më të rëndësishëm, që tashmë filloi të quhej “mitropolit”. Prej mitropolitëve të qyteteve të mëdha disa u quajtën eksark apo kryepiskop. Që prej shekullit V kryepiskopët e Romës, Kostandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jerusalemit u quajtën Patriarkë.