Uji i bekuar - Ajazma e Madhe - Theofania - 5 & 6 Janari !. Shkrim nga Teologu : Aleksandros Kristudhulo
October 21, 2021 at 12:55 pm,
No comments
Për Etërit e Kishës numri “Shtatë”, që tregohet për Misteret është i panjohur. Ata konsiderojnë si Mister çdo veprim të shenjtë që kryet prej meshëtarëve kanonikë për shenjtërimin dhe shpëtimin e besimtarëve.
“Çdo veprim i shenjtë dhe teleturgji në Kishë është një mister i saj, dhe çdo mister i saj është i madh siç është edhe misteri i Kishës, sepse çdo veprim misterik në organizmin Perëndinjerëzor të Kishës gjendet në një lidhje jetësore me misterin qëndror të Kishës, Perëndinjeriun Krisht”, shkruan Shën Justin Popoviç.
Dhe ajazma e Theofanisë ose Ajazma e Madhe, është një veprim i Kishës por mrekullia e shenjtë që kryehet me të është shumë e madhe, sa vetë Kisha. Kjo mrekulli e dashur, viziton tani dhe për 2000 vjet miliona shpirtra të të krishterëve orthodhoksë, i pastron, i shenjtëron dhe ju fal shëndet dhe pavdekësi.
Rreth çështjes së Ajazmës së Madhe dominon një konfuzion i shumtë në popullin tonë. Të krishterët pyesin. “A pihet ajazma e vigjiljes së Theofanisë? A mund ta kemi Ajazmën e Madhe në shtëpinë tonë dhe ta përdorim?” Shumë japin një përgjigje të nxituar, duke krijuar konfuzion.
Pasi me të kremten e Theofanisë celebrohet shërbesa e Ajazmës së Madhe do të themi edhe disas fjalë për kuptimin dhe përdorimin e saj.
Shërbesa e shenjtërimit të ujërave në ditën e Theofanisë është një zakon i vjetër dhe i shenjtë i Kishës sonë. Uratat për shenjtërimin e ujit i gjejmë nëpër tekstet e lashta, si psh., tek Urdhërimet Apostolike, Tradita Apostolike e Ipolitit dhe tek Uratorja e Serapionit, Episkopit të Thmueos. Shembuj përdorimi të ujit të shenjtëruar i gjejmë edhe në “Historinë Filotheo” dhe “Historinë Kishtare” të Theodhoritit.
Librat e sotëm kishtar (Mujore, Uratore) si krijues të Uratave të shërbesës së Ajazmës së Madhe konsiderojnë shën Sofronin e Jerusalemit. E vërteta është ndryshe. Shën Sofroni mund të konsiderohet si “ndërhyrës në shërbesë, duke shtuar në fillim të saj troparet hyrëse”. Krijues i shërbesës me shumë mundësi mund të jetë Prokli. Dorëshkrimet tregojnë se urata bazike e shenjtërimit të ujërave, urata “I Madh je o Zot...” i përket Vasilit të Madh.
Shërbesa e Ajazmës së Madhe celebrohet sipas rendit të sotëm dy herë, në vigjilje të së kremtes së Theofanisë pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh dhe në ditën e Theofanisë. Në të dyja rastet celebrohet e njëjta shërbesë me ndryshimin e vetëm se, “prologu i uratës së madhe shenjtëruese, dmth., nga “Trini e Përmbiqënëshme...” deri tek “i shtrënguar nga frika të thërres zemërdërrmuar”, lexohet vetëm në ditën e Theofanisë. Pra, Ajazma e e vigjiljes dhe e ditës së Theofanisë janë që të dyja “Ajazmë e Madhe”.
Por pse ajazma e madhe celebrohet dy herë?
Për arsye praktike. Që të shërbehen besimtarët. Celebrimi i dyfishtë filloi që nga shekulli i pestë. Në fillim ajazma e madhe bëhej gjatë Tërë-natës së të kremtes së Theofanisë, menjëherë pas shërbesës së Mëngjesores, për kujtim të pagëzimit të Zotit. Pas shërbesës së Mëngjesores besimtarët spërkaten me ujë të shenjtëruar, pinë prej tij dhe në vazhdim me atë ujë pagëzoheshin edhe katekumenët. Në esencë ajazma e madhe është bekimi i ujit të pagëzimit. Në liturgjinë e së kremtes që vijonte pas Mëngjesores, merrnin pjesë edhe të sapondriçuarit, për këtë arsye psalet deri më sot, “Sa u pagëzuat më Krishtin...”.
Patriarku i Antiokisë Petro Gnafevs (465-475) urdhëroi që ajazma të celebrohej gjatë vigjiljes së Theofanisë “në mbërmje”. Kështu u ndanë shërbesat e shenjtërimit të ujit për pagëzim dhe për Ajazmën e Madhe.
Nuk është, pra, e çuditëshme, që në Liturgjinë Hyjnore të vigjiljes së Theofanisë dëgjojmë tropare të mbrëmësores, pasi Liturgjia më parë bëhej gjatë mbrëmjes ndërsa sot bëhet në mëngjes.
A pihet ajazma e vigjiljes së Theofanisë?
Sigurisht që pihet. Sepse prifti me këtë ajazmë spërkat popullin atëherë nuk duhet ta pijmë?
Vetë shërbesa e ajazmës na thotë se duhet ta pijmë, nëse vërejmë mirë lutjet dhe thirrjet e shërbesës do të shikojmë shumë shenja. Shërbesa e ajazmës presupozon se të krishterët do të pijnë ajazmë dhe prifti lutet që kjo ajazmë t’u bëhet shenjtërim, bekim dhe shëndet shpirtëror dhe trupor. Në një uratë prifti lutet, “Jepu të gjithëve sa prekin, sa lyhen e kungojnë, shenjtërimin, bekimin, pastrimin dhe shëndetin”.
Madje edhe një element prej praktikës moderne të manastireve të Malit të Shenjtë. Murgjit kungojnë Ajazmën e madhe jo vetëm gjatë ditës së Theofanisë, por sipas zakonit të tyre, ata pijnë ajazmë çdo ditë pas Liturgjisë Hyjnore, pijnë prej tij përgjatë gjithë tetëditëshit pas Theofanisë, deri në mbyjllen e së kremtes.
Pra, Ajazma e Madhe e vigjiljes pihet.
Por a nuk duhet të kreshmojmë një ditë më parë? Jo! Shumë, madje edhe priftërinj, mendojnë se në vigjilje të Theofanisë ne kreshmojmë për të pirë ajazmën të nesërmen. Kjo nuk është e saktë. Kreshmimi në vigjilje bëhet për të kremten e Theofanisë dhe jo për ajazmën. Pra, edhe nëse një i krishter nuk do të pijë ajazmë sepse p.sh., fshati i tij nuk ka prift ose për ndonjë arsye tjetër, ai duhet të kreshmoj në vigjilje të Theofanisë për të kremten e madhe të Pagëzimit të Zotit.
Le të shohim se çfarë shkruan për këtë temë profesori i lumur i Liturgjikës në Universitetin e Selanikut, I. Foundoulis. “Kreshmimi i vigjiljes të Theofanisë konsiderohet gabimisht se lidhet me pirjen e Ajazmës së Madhe. Sipas një zakoni të vjetër të Kishës, festave të mëdha u paraprinte një përgatitje, e cila përfshinte, ndër të tjera, edhe kreshmimin...Për Theofaninë nuk është e mundur të kreshmojmë edhe pse përgatitjet e saj fillojnë nga 2 Janari, sepse dymbëdhjetëditëshi i Krishtlindjes përbënte periudhë feste, si rezultat hahen të gjitha.
Nga ana tjetër, kreshmimi i Krishtlindjeve është përgatitor edhe për Epifaninë, pasi këto festa më parë përbënin një festë të vetme, e cila festohej më 6 Janar.
Vetëm pra, vigjilja e Theofanisë mbeti në kishën tonë si ditë kreshme, pa vaj... Por kreshmimi, sipas kanoneve të shenjta, është i ndaluar të shtunave dhe të dielave. Nëse vigjilja e Epifanisë përkon gjatë këtyre ditëve, kreshma prishet, sigurisht jo “me të gjitha”, por kemi një lejim “verë e vaj”.
Nëse pranojmë se për të pirë Ajazmën e Madhe duhet të kreshmojmë, atëherë askush nuk duhet të pijë nga ajazma e vigjiljes të Theofanisë, sepse dita e mëparshme, 4 Janari, nuk ka kreshmë. Prandaj, ose ajazma nuk duhet të bëhet në vigjilje ose nëse është kryer, besimtarët nuk duhet të pijnë prej saj. E dyta përjashtohet sepse të gjitha shërbesat e shenjta kryhen me qëllim që besimtarët të marrin pjesë në dhuratat shpirtërore, jo në marrjen e objekteve të shenjtëruara.
Pra kreshma e vigjiljes së Theofanisë nuk ka asnjë lidhje me ajazmën dhe mund të pijmë ajazmën e vigjiljes së të kremtes pa kreshmuar ditën e mëparshme.
Këto që u shkruan deri tani për Ajazmën e Madhe vlejnë për ditët e Theofanisë. Për ditë tjetër jashtë të kremtes nevojitet kreshmë përkatëse që të marrë dikush Ajazmën e Madhe.
A e ruajmë Ajazmën e Madhe në shtëpitë tona?
Sigurisht. Besimtarët e kohëve të mëparëshme, duke respektuar një traditë të shenjtë, e merrin Ajazmën e Madhe të Theofanisë ose të vigjiljes dhe e ruanin në shtëpitë e tyre. Shën Joan Gojarti përmend në fjalimin e tij "Për pagëzimin e shenjtë" (P.G. 49,366) për të krishterët e kohës së tij se ata kishin zakon të merrnin nga uji i bekuar dhe ta mbanin në shtëpitë e tyre një, dy ose tre vjet. Në fakt, Ati i Shenjtë mrekullohet që uji i bekuar nuk prishet, megjithëse qëndron i mbyllur për një kohë të gjatë, por është i pastër dhe i shëndetshëm.
Qëllimi i mbajtjes së Ajazmës së Madhe në shtëpi është që besimtarët të pinë ose të lyhen dhe të shenjtërohen nëse kanë ndonjë sëmundje shpirtërore ose fizike. Dhe sigurisht ata mund ta bëjnë këtë në një rast të ngjashëm, gjithmonë me nderim të madh për Ajazmën e Madhe.
Këtu duhet të shënojmë dhe të theksojmë se pas ditës së Theofanisë, duhet të kemi kujdes që në përdorimin e ujit të bekuar të mos derdhet asnjë pikë e tij. Në një dorëshkrim të Manastirit të Sinait të shek. XVI shkruhet në vijim. “Pas liturgjisë së Theofanisë së Shenjtë, nuk derdhet aspak nga uji i bekuar, por nderohet dhe përdoret me kujdes dhe konsiderohet i dyti pas kungimit të shenjtë.
Nga ky vënd që mori Ajazma e Madh, tek shumë të krishterë u krijua një keqkuptim: se edhe nëse marrin nga Trupi dhe Gjaku i Krishtit edhe nëse pijmë ujë të bekuar është e njëjta gjë.
Është një zakon shumë i vjetër që Ajazma e Madhe u jepet të krishterëve, të cilët ati shpirtëror i pengon të kungohen me Misteret e Shenjta, sepse kanë rënë në mëkate të rënda. Për Kungimin e Shenjtë ka pengesa, për ujin e bekuar nuk ka. Ata që marrin nga Ajazma e Madhe, natyrisht, marrin një bekim, por në ndërgjegjen e tyre Ajazma e Madhe nuk duhet të zëvendësojë Kungimin e Shenjtë, por duhet të besojnë se kanë mbetur të pakunguar dhe të trishtohen për këtë.
Ajazma e Madhe pihet, siç dihet, përpara se të marrim naforën apo diçka tjetër.
Nga: Aleksandros Kristodhulu, Theolog, 5 janar 2021!