Simbolika e Ujit ( Uji i bekuar - 6 Janari- Theofania)
January 5, 2022 at 9:23 pm,
No comments
Uji si substancë në formën e tij të pastër, është lëng pa shije dhe pa erë. Ai është i domosdoshëm për të gjitha format e jetës dhe njihet edhe si tretësi më i gjithanshëm. Pa të, jeta siç e njohim ne në planetin tonë, do të ishte e pamundur. Uji ka formulën kimike H2O që domethënë se një molekulë uji përbëhet nga 2 atome hidrogjen dhe një oksigjen.
Uji së bashku me zjarrin, dheun dhe ajrin është një ndër katër elementët bazë që përbëjnë token. Mbi 2/3 e sipërfaqes së lëmshit tokësor janë të mbuluara me ujë të kripur 97,2% e të cilit ndodhet në pesë oqeane. Shtresa e akullt në Antarktidë përmban 90% të të gjithë ujit të ëmbël të planetit. Uji avullues atmosferik mund të shihet në formë reshjesh të dëborës e cila shkakton bardhësinë e tokës. Dhe rreth 70% e planetit tonë është e mbuluar me ujë. Po ashtu edhe bimët dhe qëniet e gjalla kanë në përbërjen e tyre rreth 55-75% ujë dhe në mënyrë të veçantë trupi i njeriut si mikrobotë është i përbërë 75% ujë, prandaj njeriu mund të rrojë jo më pak se një javë pa ujë, sepse ai është elementi bazik i ekzistencës së trupit të tij. Por kjo substancë bazike për jetën gjendet në këtë sasi të domosdoshme vetëm në planetin Tokë, i cili duke qenë i mbuluar në shumicën e tij nga uji i parë nga hapësira, merr ngjyrën blu prandaj edhe toka jonë quhet ndryshe “Planeti blu”.
Sipas ligjeve të fizikës,me uljen e temperaturës rritet dendësia dhe kështu që ato pjesë që janë më të ftohta bëhen më të rënda. Për këtë arsye gjendjet e ngurta të lëgjeve janë më të rënda se gjendjet e tye normale të lëngëta. Uji në të kundërt të të gjitha lëngjeve tkurret deri në një rënie të caktuar temperature (+4*C) dhe më pas menjëherë në mënyrë të papritur fillon të bymehet. Kur ngrin bymehet edhe më tepër.Kjo sjellje anormale e ujit ka një rëndësi të madhe për mbijetesën e specieve, llojeve të gjallesave ujore gjatë dimrave shumë të ftohtë, kur temperatura rrotullohet rreth dhe nën zero (gradë Celsius).
Falë reagimit jo të zakonshëm të ujit nën 4oC, sipërfaqet apo vëllimet e mëdha ujore rrallë ngrijnë plotësisht. Kjo ndihmohet edhe nga shtresa e akullit që vepron si izolant për të reduktuar fluksin e ngrohtësisë së ujit drejt ajrit të ftohtë që qëndron sipër. Pa këtë veçanti, jeta në planetin tonë siç e njohim ne nuk do të ishte e mundur.
Por kushë e krijoi këtë substancë në përbërjen, sasinë dhe anomalin e tij, për të qenë elementi kryesor i nisjes, mbajtjes dhe zhvillimit të formave të jetës në tokë?
Asgjë e krijuar nuk mund të ekzistojë nga vetvetja, ose të jetë produkt i rastësisë, siç pohojnë materialistët ateist , hipotezë që bie poshtë nga kërkimet shkencore për të gjetur jetë në planetet e tjera, të cilat e kanë të pamundur ekzistencën e saj, sepse iu mungon kombinimi i i duhur i elementëve kimik dhe një ndër to uji shumë i rëndësishëm. Prandaj edhe uji në këtë tokë ka Krijuesin e vet ashtu si thotë edhe Bibla, Fjala e Zotit: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë endej mbi sipërfaqen e ujërave.” (Zan 1:1-2)
Sipas shën Vasilit të madh (330- 379) në librin e tij (Gjashtë ditëshi i krijimit), fjala hebraike “endej”për Frymën do të thotë në mënyrë metaforike; “ashtu si pula “kllocka” që i ngroh vezët duke i prekur me butësi në krahët e saj kështu dhe Fryma e Shenjtë endej mbi ujëra dhe gjallëronte për të nxjerrë jetë”. Ai vazhdon dhe sqaron: “ Natyra e parë e ujit ishte derdhur përreth tokës dhe nuk ishte në një masë me atë, por jashtëzakonisht më shumë sepse kështu e parashikoi Mjeshtri (Zoti)… për çfarë nevoje uji ishte kaq i bollshëm?
Sepse zjarri dhe uji janë armiq ndërmjet tyre dhe njëri prish tjetrin, zjarri prish ujin kur është më i fortë dhe uji prish zjarrin kur e tejkalon atë në sasi. Por s’duhej të ngriheshin njëri kundër tjetrit as me zhdukjen e plotë të njërit nga të dy që të shkaktohej shpërndarja e gjithësisë. Duke u kujdesur për natyrën e elementit të ujit, Perëndia e depozitoi të gjithë që të mjaftonte deri në kufijtë e caktuar të ekzistencës së botës duke u harxhuar pak nga pak nga forca e zjarrit. Ai pra i cili i rregulloi të gjitha me masa dhe nivele, që sipas Jobit: “i ka numëruar të gjitha pikat e shiut” (Jobi 36:27) e dinte se sa kohë i dha botës për të ekzistuar dhe sa ujë për t’u harxhuar duhet të rezervojë për zjarrin.”
Ky koment i shën Vasilit, për natyrën dhe sasinë e ujit në konflikt të hapur me zjarrin në brendësi të tokës, është vërtetuar sot nga zbulimet shkencore të pllakave tektonike kontinentale në fundet e oqeaneve, ku përditë uji dhe zjarri luftojnë me njëri-tjetrin, se kush do fitoj në fund të botës .
Pra Perëndia që ka krijuar ujin i cili gjendet si substancë e pastër në tre trajta të ndryshme të lëngët, të ngurtë, të gaztë, është edhe zotëruesi i ujërave siç thuhet: “Ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët e erës…Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërcenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.”(Ps. 104: 3:9-11).
Perëndia me anë të providences së Tij i mban ose i lëshon ujrat në dobi të tokës, bimëve, kafshëve dhe në mënyrë të veçantë njeriut. Ashtu siç thuhet përsëri në Bibël; “…do të ndodhë që unë do t`i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd; dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh” (LIP 11:14-15)
Kështu pra uji i bollshëm është pasoja dhe shenja treguese e bekimeve të Zotit ndaj atyre që i shërbejnë me besnikëri dhe e kundërta thatësira,mungesa e ujit, është pasojë e mallkimit hyjnor ndaj të pabesëve, ashtu siç e profetizon Ezekeli: Perëndia më tha: “Bir njeriu, unë do të bëj të mungojë baza e bukës në Jeruzalem; ata do ta hanë bukën me peshë dhe në hidhërim dhe do të pijnë ujin e racionuar në tmerr, sepse do t’u mungojë buka dhe uji dhe do të shikojnë njeri-tjetrin të tmerruar, duke u shkrirë në paudhësinë e tyre” (Ezek 4:16-17).
Sipas Biblës në ditën e pestë të krijimit Perëndia nëpërmjet ujit krijoi gjallesat e para; “Pastaj Perëndia tha: -Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla… Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet…Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve … “kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë” (Zan. 1:20-23). Kjo tregon se uji nuk krijoi nga vetvetja qenie të gjalla, ky një interpretim i gabuar nga teoria e evulucionit të Darvinit shek. XVIII, por u përdor me urdhërin e Perëndisë si një element i jetës, prandaj siç thamë në fillim uji ndodhet me shumicë te çdo qenie e gjallë. Uji është edhe një banesë për shumë qenie të gjalla, një botë ujore akoma e paeksploruar e gjitha edhe fsheh brënda shumë mistere dhe qenie të panjohura. Kështu ujërat habitati i qenieve ujore, janë furnizuese me produkt ushqimor shumë i nevojshëm për njerëzit,kjo vërtetë e shprehur në mënyrë poetike tek psalmi “ Ja deti, i madh dhe i gjërë, ku gëlojnë krijesa të panumërta” (Psal 104;25)
Përveçse ujërat janë shkak bekimi jete dhe sigurim ushqimi, ato mund të kthehen në element mallkimi dhe shkatërimi për mëkatarët dhe botën e mëkatit, ashtu siç na tregon Bibla për shkatërrimin që i erdhi njerëzimit dhe qytetërimit të tij në kohën e Noes: “Kështu Zoti tha: “Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar”. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit…Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën… Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit.”(Zan. 6; 7-10: 7;21)
Disa shkencëtarë ateistë të gjeologjisë modern, na thonë se kurrë nuk ka pasur një përmbytje mbarë botërore siç e përshkruan Bibla, ata përpiqen të thonë se dëshmia kaq e madhe e fosileve të vendosur në shtresa shkëmbore sedimentare për gjatë gjithë sipërfaqes së tokës, mund të shpjegohet shumë mirë prej miliona vjetësh proçesesh gjeologjike, megjithatë vitet e fundit po vërtetohet se këto shtresa shkëmbore sedimentare me fosile të shumëllojshme të kafshëve janë formuar nga katastrofa të mëdha të menjëhershme, përgjatë historisë së tokës, të cilat i dhanë asaj formën që ka dhe një ndër ato është ajo që thotë Bibla, në lidhje me përmbytjen globale të kohës së Noes.
Uji i turbullt dhe i vrullshëm ka edhe simbolikën shkatërruese të të ligut,demonëve, që me turbullimin dhe tundimet e tyre të përhershëm vërsulen papritmas si ujra të rrëmbyeshëm mbi njeriun besimtar, siç thotë psalmist;“Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve…” (Psal 144:7).
Në të tilla situata tundimesh dhe mundimesh duhet ndërhyrja e Perëndisë që të mbrojë të drejtin nga këto dallgë shkatërruese: “…edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai. (Psal 32:6). Edhe profetët e shikonin vërshimin shkretues të lumenjve të mëdhenj si “fuqinë” e perandorive që do të fundoste dhe shkatërronin popujt e vegjël, fuqia e Asiris krahasohet me Eufratin: “Prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij (Isaia 8:7). Po ashtu perandoria e Egjiptit krahasohet me atë të Nilit: “Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujërat e të cilit fryhen si ato të lumenjve? (Jer. 46:7)Ujërat u bënë simbol ndarës ndërmjet popullit të Zotit (Izraelit) dhe atë idhujtar (Egjipti), kur ebrejntë të udhëhequr nga Mojsiu, kaluan në këmbë detin e kuq dhe kështu shpëtuan nga skllavëria e faraonit. (Eks 14:31)
Uji përveçse është edhe një pastrues shumë i duhur i fizikut, ushqimeve dhe orendive, është përdorur nga njeriu edhe si një mjet pastrimi ritual dhe simbol i pastërtisë morale: “Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoj rrotull altarit tënd, o Zot” (Ps.26:6) Uji është përshkruar dhe si një element simbolik i pastrimit të Perëndisë që lan mëkatarin duke i falur fajet: “Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. (Ps. 51:7) Në Dhjatën e Vjetër rituali hebre parashikonte pastrime të shumta me ujë, këto pastrime të ndryshme të trupit dhe sendeve, do të tregonin pastrimin e brendshëm të “zemrës” e nevojshme për atë që donte t’i afrohej Perëndisë, tri here i shenjtë.
Por megjithë këto simbolika pastrimi me anë të ujit, ai nuk mund ta pastronte botën e brendshme, shpirtin e mëkatarit, sepse uji thjesht si element fizik mund të pastrojë trupa fizikë dhe jo shpirtin njerëzor, që është një qenie jofizike.
Uji e mori këtë fuqi pastruese kur Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anë të cilit u krijuan të gjitha të dukshmet edhe të padukshmet edhe vet natyra dhe sasia e ujërave, erdhi në tokë i bërë edhe Biri Njeriut midis njerëzve dhe kur mbushi moshën 30 vjeçare u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor, siç na njofton ungjilli: “Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Joani për t`u pagëzuar prej tij… Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejtë u hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”(Mt. 3: 13-16-17)
Krishti si Bir i Perënidsë dhe Bir i njeriut, zhytet (pagëzohet) në lumin Jordan jo se ishte mëkatar si të tjerët që pagëzoheshin si shenjë pendimi, mbasi rrëfenin mëkatet publikisht, por Ai me vetëzbrazjen dhe përulësinë e skajshme, e njësoi veten me mëkatarët dhe duke qenë i pafaj mori mbi vete fajet e njerëzve që t’i shlyente, shpagonte ato me vdekjen e Tij vullnetare në kryq, “…sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.” (Lev 17:11) Prandaj dhe Joan Pagëzori mbasi e pagëzoj Krishtin tha: “Ja qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës.”(Joani 1:29) Vetë pagëzimi i Krishtit është një ikonë, një paratregim i kësaj vdekje vullnetare kur ai të mbushte moshën 33 vjeç, sepse uji përveç simbolit të jetës siç thamë ka simbolin edhe të vdekjes.
Me pagëzimin e Krishtit vdekja e njeriut që e ka fuqinë tek mëkati asgjësohet me vet vdekjen e Krishtit ashtu siç themi në Pashkë;“ Krishti u ngjallë së vdekurish,me vdekje, vdekjen shkeli dhe të varosurve jetën ju fali” (Tropari i ngjalljes). Tashmë ujërat të bashkuara me Shpirtin e Zotit i Cili zbret si pëllumb mbi Krishtin, që pagëzohet në Jordan, bëhen mjetë pastrimi të shpirtit të mëkatarit nëpërmjet faljes dhe rilindjes të një jete të re në Zotin dhe pjesëtar i i Kishës, Mbretërisë së Perëndisë . Prandaj dhe Krishti i urdhëron apostujt e tij të pagëzojnë për ndjesën e mëkateve çdo njeri që beson, duke ju thënë: “ai që beson dhe është pagëzuar do të jetë i shpëtuar“(Mk. 16:16)
Mënyrë tjetër për t’u falur mëkatet,për t’u pajtuar me Perëndinë e shenjtë dhe për ti shpëtuar ferrit vdekjes së dytë, nuk ka.Prandaj dhe apostulli i kombeve Pavli thotë: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,”(Rom 6:3-5)
Krishti u pagëzua në lumin Jordan edhe për të shenjtëruar ujrat që përfaqsojnë krijesën, që të shkatërroj foletë e demonëve të cilët banojnë në ujëra siç thuhet tek psalmi : “Ja deti i madh dhe i gjerë.. atje është dragoi që krijove për të luajtur në të” (Ps. 103..) “Ti dërmove krerët e dragojnve mbi ujin.” (Ps 73) Demonët me anë të ujit të molepsur nga energjitë e tyre negative, ndyrësojnë gjithë krijesën dhe i japin asaj korruptim ,shkatërrim dhe vdekje, ndryshe nga ajo që e krijoi Perëndia në fillim të mire dhe plotë jetë. Kjo e vërtetë shprehet shumë qartë në lutjen që bënë Kisha Orthodhokse në ditën e bekimit të madh të ujit në 6 janar: “Perëndia ynë që u duke mbi dhe, dhe u shoqërove me njerëzit, ti shenjtërove dhe rrjedhjet e Jordanit duke dërguar prej qiellit Shpirtin tënd të shenjtë dhe dërrmove krerët e dragonjve që molepsnin atje”.
Kjo lutje që bën përpara Zotit, kleri orthodhoks bëhet realitet kur në ujërat hidhet kryqi, simbol i Krishtit dhe në atë moment ujërat shenjtërohen, ato nuk prishen më dhe mbeten në këtë gjendje gjithmonë, sepse Hiri i Shpirtit të Shenjtë qëndron tashmë në ujë duke i energjisuar me Hirin e jetës të përjetëshme, ashtu siç ishte në fillim të botës ku “Shpirti i Shenjtë vërtitej mbi ujëra” (Zan. 1:2).
Ky është argumenti më i fortë dhe i pakundërshtueshëm i besimit orthodhoks (I drejtë), se me Krishtin dhe në Krishtin dhe me anë të ujit dhe Shpirtit të Shenjtë, Perëndia At, jo vetëm i fal mëkatet e njerëzve dhe u jep atyre një jet të re nëpërmjet misterit të Pagëzimit dhe Mirosjes (vulosja me Shpirtin e Shenjtë), por do t’i ringjallë edhe trupat e tyre për jetë të përjetshme, së bashku me të gjithë krijesën që u vu në urdhër të kotësisë jo për faj të saj dhe pret të lirohet nga robëria e prishjes, e të shkojë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë në krijimin e ri, ashtu siç na thuhet në Zbulesën: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më” (Zb. 21:1..) “…dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja. Dhe më tha: Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike” (Zb. 21:4-5)
Gjithë këtë mister të fuqisë dhe mirësisë së Perëndisë për rilindjen e njeriut dhe krijesës në Krishtin për jetë të përjetshme, ne të krishterët orthodhoks kemi privilegjin nga Zoti, që ta kemi, që në këtë jetë, për ta parë, prekur, ndjerë edhe shijuar në ditën e bekimit të madhë të ujit, i cili shenjtërohet vetëm prej klerikëve të Kishës Orthodhokse, të cilët në këtë ditë njëzëri në çdo vënd përpara ujrave luten: “Ti o mbret njeridashës eja dhe tani me përmbindodhjen e Shpirtit të Shenjtë dhe shenjtëroje këtë ujë. Dhe jepi Hirin e shpërblimit, bekimin e Jordanit; bëje burim paprishjeje, dhuratë shenjtërimi, zgjidhje mëkatesh, largim sëmundjesh, rrëmujë për demonët të paafruar për fuqinë kundërshtare, të rrafshuar në fuqi engjëllore. Që gjithë sa marrin dhe pjesëtojnë prej saj ta kenë përfaqësim shpirtërash dhe trupash, për shërim sëmundjesh, për bekim shpirtërash dhe për çdo fitim të dobishëm. Se ti je Perëndia ynë që çlirove natyrën tonë të vjetëruar prej mëkatit me anë të ujit dhe Shpirtit.”
Këtë ujë të bekuar e marim në shtëpi edhe bekojmë veten, shtëpitë, çdo orendi, objekt dhe e mbajmë me respekt fetar për gjithë vitin për shejntërim, si një prove besimi për vete, por edhe për heretikët, gnostikët, ateistët.
Kështu në këtë ditë të shenjtë, përmbushet qëllimi rëndësia dhe simbolika e ujit, i cili në këtë botë si substancë fizike, bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin, sëbashku me krijesën. Ky Hir do të jetë i dukshëm në Krijimin e Ri dhe do të bëhet burim jete të përjetshme për besimtarët e pagëzuar në emrin e Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, ashtu siç thotë përsëri Zbulesa: “Dhe më tregoi lumin e pastër të Ujit të Jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.” (Zb. 22:1-2).
Nga Miron Çako