Tradita e Shenjtë në Kishën Orthodhokse
Për ne Orthodhoksët, Tradita e Shenjtë është burimi i dytë i Zbulesës Hyjnore dhe e barasvlefshme me Shkrimin e Shenjtë.
Eshtë doktrina e Kishës nën drejtimin e Perëndisë me zë të gjallë. “Nga Adami deri tek fundi i Abrahamit kanë kaluar, sipas kronistëve (Cedrin e të tjerë) 3678 vjet, të cilëve po t'u shtojmë 430 vjetët që Hebrenjtë qëndruan në Egjipt, kemi 4108 vjet. Gjatë këtyre viteve as Shkrimi i Shenjtë nuk ka ekzistuar dhe as e Shtuna nuk ka qenë ditë feste pushimi për ndonjë popull. Për gjithë ato vite njerëzit e zgjedhur të Perëndisë e mësuan rrugën e shpëtimit vetëm nga Tradita e Shenjtë, domethënë nga doktrina mbi Perëndinë që e pritën me zë të gjallë. Dhe vetëm për 1400 vjet, domethënë nga koha e Moisiut e deri në ardhjen e Zotit, u udhëhoqën nga Shkrimi i Shenjtë i Dhjatës së Vjetër”.
I pari që e transmetoi doktrinën e Dhjatës së Re me zë të gjallë, ishte vetë Shpëtimtari ynë Jisu Krishti. Për tre vjet e gjysmë e përhapi Ungjillin e tij pa shkruar vetë asgjë. Por as Nxënësit e Tij nuk i nxiti për të shkruar diçka, vetëm se i dërgoi në botë për të predikuar e për të pagëzuar popujt. Kisha, që nga dita e krijimit të saj dhe derisa u shkruajt Ungjilli i parë i Mateut, qeverisej vetëm nga Tradita gojore, një pjesë e së cilës u shkruajt më vonë.
Heretikët e mohojnë Traditën e Kishës, të cilën e konsiderojnë si porosi njerëzore dhe urdhëresa të njerëzve. Ata evokojnë këtë fragment: "E gjithë shërbesa e tyre fetare është e kotë, sepse vetëm mësojnë urdhëresa të shpikura nga njerëzit" (Mat. 15,9).
Ne u përgjigjemi: Në Ungjillin sipas Mateut (15,6), Zoti thotë se ju anulloni urdhërin e Perëndisë me anë të mësimeve tuaja.Që këtej duket se thënja e tyre është urdhëresë njerëzish dhe jo tradita jonë. Duhet hedhur poshtë, sepse është në kundërshtim me Shkrimin e Shenjtë.
Sipas doktrinës së Kishës sonë Tradita e Shenjtë është e barasvlefshme me Shkrimin e Shenjtë. Dhe ja, provat: Zoti në Ungjillin e Mateut 28,20 u thotë Apostujve të Tij: “ Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amin” mbas disa ditësh vdiqën. Me cilët nënkupton se do të jetë Zoti deri “në fund të shekullit”? Sigurisht, Ai nënkupton pasardhësit e tyre. Dhe cilët janë pasardhësit e Apostujve, ne ortodoksët apo heretikët që u shfaqën në shek. e 16-të? Vazhdimësia Apostolike filloi menjëherë nga epoka Apostolike me fjalët e Zotit: “unë jam me ju gjithmonë, deri në mbarimin e shekullit”. Nuk thotë “do të jem”, por “jam”, domethënë jam që tani. Pra, një vazhdimësi të tillë ka vetëm kisha orthodhokse.
Një provë tjetër: Shkrimin e Shenjtë ne e besojmë se është prej frymëzimit hyjnor. Këtë na e thotë Apostull Pavli: “I tërë Shkrimi i Shenjtë është frymëzuar nga Perëndia” (Letra II Tim 3,16). Sigurisht ai nënkupton Dhjatën e Vjetër, sepse atëherë kur ai shkruante letrën, nuk ekzistonin librat e Dhjatës së Re. Si vërtetohet frymëzimi hyjnor i Dhjatës së Re? Apostujt i rrëfyen ç'ka panë dhe dëgjuan gjatë qëndrimit trevjeçar me Krishtin. Njëkohësisht këtë e thotë edhe Lukai (10,16): “Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua”. Pra, ato çka kanë shkruar Apostujt janë fjalë dhe vepra të Krishtit, janë theopnefstike; Midis shkrimtarëve të shenjtë të Dhjatës së Re ishin dhe disa që nuk kishin qënë nxënës të Krishtit, por nxënës të Nxënësve të Tij, si Marko, Luka...
Ne i pyesim heretikët: Ungjinjtë e Markos dhe Lukait a janë theopnefstike? Në qoftë se po, ku mbështeten e çfarë vërtetojnë? Në qoftë se jo, përse u përfshinë midis Ungjijve të tjerë dhe kush i renditi atje? Edhe një pyetje: Polikarpi, peshkop i Smirnës, Ignati i Antiokisë kanë qënë nxënës të Apostull Joanit. Kanë shkruar edhe ata letra dhe libra. Përse librat e tyre nuk u përfshinë brënda Dhjatës së Re, kurse Ungjinjtë e Markos e Llukait u përfshinë. Kush e ka bërë këtë ndarje që disa i pranoi dhe disa i hodhi tej?
Për ne Ortodoksët përgjigja është e thjeshtë dhe e njohur: Këtë gjë e bëri Tradita e Shenjtë. Po për Heretikët, që e mohojnë Traditën e Shenjtë, kush e ka bërë? Kërkojmë përgjigje.
Provë tjetër. Zoti gjatë lutjes së tij arkieratike, i lutet të Atit të Tij për unitetin e të gjithë të krishterëve me fjalët: "Të lutem jo për ta, por edhe për të gjithë ata që do të dëgjojnë për mua me anë të fjalës së tyre e do të besojnë në mua, të lutem që ata të gjithë të jenë një...(Joan. 17,20-21). Ne ortodoksët, me ndihmën e Traditës që interpreton dhe sqaron Shkrimin e Shenjtë, kemi unitet në Kishë. Nuk e shpjegon vetë secili dhe t'ua imponojë të tjerëve, duke formuar komunitet të tij. Këtë gjë e bëjnë heretikët sepse ata mohojnë Traditën e Shenjtë dhe prandaj sot nuk kanë unitet as në besimin, as në drejtimin e qindra "kishave'' të tyre. Pa e kuptuar, ata janë kundër kësaj lutjeje të Zotit, që kërkon unitetin e të Krishterëve në një grup të vetëm. Heretikët hiqen sikur pranojnë vetëm Shkrimin e Shenjtë dhe se vetëm atë zbatojnë. Megjithatë ata gënjejnë. Dhe ja prova: Dhjata e Re “Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë (Vepr. 6,3) flet për shtatë dhjakët, Apostull Pavli “Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm (I Timot. 5,9) flet për legjionin e vejushave. Në Letrën e parë drejtuar Korintasve (11,4) thotë që gratë duhet të luten me kokën të mbuluar. Gjithashtu, Zoti u lau këmbët nxënësve të Tij, duke i porositur që të njëjtën gjë të bëjnë me njëri-tjetrin “Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit” (Joani 13,14). Ne i pyesim heretikët, a i zbatojnë këto? Sigurisht që jo. Ku mbështeten dhe i mohojnë? Kërkojmë përgjigje. Për ne ortodoksët ekziston Tradita e Shenjtë, e cila na i ka transmetuar këto gjëra dhe prandaj i kemi.
Shkrimi i Shenjtë nuk shkruan gjëkundi për të Dielën si ditë pushimi, por vetëm për pushimin e së Shtunës. Heretikët, ashtu si edhe ne, e pranojnë pushimin e së Dielës. Përse? A ështe shkruar gjë në Shkrimin e Shenjtë? Kush e ka caktuar të Dielën si ditë pushimi?
Krishti duke i dërguar nxënësit e Tij nëpër botë, u tha që njerëzit t'i pagëzojnë në Emër të Trinisë së Shenjtë. Ai nuk u përcaktoi detaje se si do të kryejnë pagëzimin. Këtë na e dorëzoi Tradita e Shenjtë, domethënë se si i pagëzuari do të zhytet tri herë në ujë. Në të parën prifti të thotë "Në Emër të Atit", në të dytën "e të Birit" dhe në të tretën "e të Shpirtit të Shenjtë" Amin.
Shkrimi për unitetin e të Birit me të Atin thotë: "Unë dhe Ati jemi një" (Joan 10,30). Por ky unitet ku konsiston? Te fakti që të dy janë të palindur? Vjen Tradita dhe me anë të Sinodit të Parë Ekumenik na ka shpjeguar se ky unitet konsiston në qënien e Personave. Bile na dha edhe termin "I njëqënshëm".
Vetë heretikët nëpër mbledhjet dhe fjalimet e tyre kryejnë gjëra të ndryshme që janë të panjohura në Shkrimin e Shenjtë. Ata përdorin tekste himnesh dhe lutje që nuk përfshihen në Shkrimin. Gjatë kohës kur ata luten, mbyllin sytë, duart i mbajnë në një pozicion të caktuar, përdorin Shkrimin të interpretuar, ndërsa thonë që duhet lexuar Shkrimi nga teksti origjinal.
Dëshmitë e Shkrimit të Shenjtë për ekzistencën e Traditës së Shenjtë janë të shumta. Po përmedim disa: "Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jisui, po të shkruheshin të gjitha ato, një nga një, mendoj se bota do të ishte e vogël në krahasim me vendin që ato do të zinin" (Joan. 21,25). Gjithashtu: Jisui bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. (Joan. 20,30) dhe “Megjithëse kisha shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t’ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë” (Letra II e Joanit 12). Kisha shumë për të të shkruar, por nuk dua të të shkruaj me bojë e penë; por shpresoj të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht. Paqja me ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një për një (Letra III e Joanit 13-14). Ato që kanë shkruar Evangjelistët nuk përbëjnë një ekspoze sistematike historike e të gjitha fjalëve dhe veprave të Zotit. Por ato janë kujtime ku përmbajnë informata sporadike nga jeta dhe vepra e Tij. Pra, çka nuk ështe shkruar, përbën Traditën e Kishës sonë.
Në veçanti Apostull Pavli i porosit ngrohtësisht të Krishterët e tij të mbajnë traditat dhe mësimet që ai u bënte, duke i kërcënuar bile edhe me mallkim. "Kush ju sjell një lajm të mirë ndryshe nga ai që ju pranuat, u mallkoftë" (Gal. 1,9). Ja, si i nxit ata për Traditën:
1) Prandaj jini të patundur, vëllezër, dhe mbështetuni tek ajo që ju mësuam me gojë ose me letër" (Letra II Selan. 2,15).
2) Vëllezër, ju urdhërojmë në emër të Zotit tonë, Jisu Krishtit, t'i shmangeni shoqërisë me çdo bashkëbesimtar që shkon çrregullisht dhe jo sipas traditës që morët nga ne" (Letra II Selan. 3,6).
3) "Ju lavdëroj që më kujtoni gjithnjë dhe u bindeni udhëzimeve që ju transmetova" (Letra I korint. 11,2).
4) “Çështjet e tjera do t'i rregulloj kur të vij" (L.I Korint.11,34).
5) "Unë ju transmetova atë që kam marrë vetë" (L.I Korint.15,3).
6) "Atë që të transmetova, në prani të shumë dëshmitarëve, transmetojua njerëzve besnikë që janë në gjëndje t'ua transmetojnë edhe të tjerëve" (L. II Timot. 2,2). Në këtë fragment duket porosia e Apostullit Pavli që tradita, t'u transmetohet edhe të tjerëve.
7) "Në çdo qytet ti duhet të emërosh kryetarë të bashkësive, sipas udhëzimeve të mia" (Tit. 1,5).
8) "Jetoni ashtu siç ju kam mësuar dhe ju kam transmetuar e si keni dëgjuar nga unë dhe ashtu si keni parë në jetën time" (Filip. 4,9).
9) "Këto raporte na i lanë ata që ishin dëshmitarë të atyre ngjarjeve dhe u ngarkuan me detyrën e shpalljes së lajmit të mirë" (Luk. 1,2).
10) "Pas vdekjes së tij, ai u ishte shfaqur dhe i kishte bindur në mënyra të ndryshme se ishte gjallë, për dyzet ditë u shfaqej herë pas here dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë" (Vepr. 1,3). Çfarë u thotë Zoti për Mbretërinë e Tij për dyzet ditë? Le te përgjigjen heretikët, të cilët nuk pranojnë asgjë veç atyre që shkruan Shkrimi i Shenjtë.
11) "Prandaj kini kujdes dhe merreni me mend se për tre vjet, ditën e natën, shpesh me lot, jam munduar ta mësoj secilin prej jush" (Veprat 20,31). Çfarë u thoshte Pavli për tre vjet? Në cilin libër janë ato të shkruara? Sigurisht, në asnjë. Por ato janë të shkruara në zemrat e të krishterëve, të cilët i dëgjuan dhe ua transmetuan pasardhësve të tyre.
Kur një doktrinë e Traditës është origjinale dhe e qëndrueshme?
1) Kur nuk vjen në kundërshtim me ndonjë doktrinë tjetër të Traditës Apostolike dhe të Shkrimit të Shenjtë. Nuk është e domosdoshme të përputhet me Shkrimin e Shenjtë, por të mos jetë në kundërshtim.
2) Kur vjen nga Shpëtimtari ose nga Apostujt e shenjtë me veprimin e drejtpërdejtë të Shpirtit të Shenjtë.
3) Të ruhet nga Kisha Apostolike dhe të ketë vazhdimësi të pandërprerë deri më sot.
4) Të njihet e të zbatohet nga e tërë Kisha Orthodhokse.
5) Të përputhet me doktrinën e shumicës së Etërve dhe të autorëve kishtarë.
Kur një traditë nuk i plotëson këto kushte, nuk mund të jetë e vërtetë dhe e shenjtë dhe, si pasojë, as e pranueshme për t'u ndjekur. Kemi edhe dëshmi të Etërve Apostolikë të cilët shkruajnë se Tradita e Shenjtë është e domosdoshme për Kishën. Historjani Eusebio i Qesarisë shkruan se Peshkop i Romës ka qënë Klimi, nxënës i Apostujve, i cili kishte gjithnjë para syve predikimin e Apostujve dhe Traditën. Shën Ignati Theofori, në letrat e tij dërguar Efesianëve dhe Filadelfëve, thotë që të Krishterët duhet të jenë të bashkuar, t'u shmangen doktrinave të këqija të heretikëve dhe aty ku është bariu, aty t'i shkojnë pas si delet edhe ata. Shën Irineu (vd. 202 pas Krishtit) dhe Klimi i Aleksandrisë ( vd. më 215 pas Kr.) thonë: "Ata që shpjegojnë Shkrimin pa ndihmën e Traditës kishtare, shkatërrojnë konceptin e së vërtetës". Shën Epifani (vd. 403 pas Kr.) shkruante: "Duhet të ruhet tradita, sepse nuk është e mundur të gjenden të gjitha në Shkrimin e Shenjtë. Apostujt e shenjtë disa i përhapën me fjalën e shkruar, kurse të tjerat me atë gojore". Shën Grigori i Nisës (394 pas Kr.) shkruante: "Kemi traditën që nis nga Etërit si një trashëgimi me vazhdimësi Apostolike dhe transmetohet me anë të Shenjtorëve". Kurse Vasili i Madh (379 pas Kr.) në shkrimet e tij na jep këtë dëshmi: "Midis dogmave dhe predikimeve që ruhen nga Kisha, disa i kemi nga doktrina e shkruar, kurse të tjerat i morëm nga Tradita e Apostujve me vazhdimësi të fshehtë gojarisht, dhe këto kanë të njëjtën vlerë me tekstet e shkruara". Gjithashtu na thotë po ky At: "Në qoftë se braktisim traditat e pashkruara për shkak të zakonit, me justifikimin se ato nuk kanë vlerë të madhe, ne gabojmë në këto probleme të mëdha e të larta duke mohuar Ungjillin".
Duke përfunduar themi që Burime të Zbulesës Hyjnore janë të dyja së bashku: Shkrimi i Shenjtë dhe Tradita e Shenjtë, të cilat janë të barasvlefshme, ekuivalente. Njëra e interpreton dhe e plotëson tjetrën. Çdo mohim të njërës, na çon në gabime dhe në humbjen e shpëtimit.