Rreth kuptimit të Krishtlindjeve ! Interpretim Teologjik
Shtrembërimi i kuptimit të Krishtlindjes (p.sh. nga komercializimi i festës) nga vetë të krishterët, zakonisht, është një ngjarje tragjike e vërtetuar pandërprerë shumëvjeçare dhe në fakt duket se konfirmohet në vitet e mëvonshme. Kjo sepse për ne njerëzit është e vështirë të ndryshojmë, edhe pas Krishtit, diçka që Zoti e shprehu shumë qartë, sidomos me nxitjen e Tij “mos kij frikë o grigjë e vogël”. Të krishterët, të vërtetë dhe të shenjtë, në çdo epokë janë ndoshta shumë pak. Ato ekzistojnë, por nuk i gjen më në shumicë.
Duke filluar me kushtin se duam që t’i përkasim nxënësve të pakët por të vërtetë të Krishtit dhe besimtarëve të Kishës, do të përpiqemi që të shikojmë disa mendime të misterit të së kremtes, të “Nënën së të kremteve” sipas shën Joan Gojartit, duke ndjekur hapat bazik të llogjikës njerëzore, sigurisht jo për hetimin e misterit.
Kush i feston Krishtlindjet? Sigurisht, jo kompanitë e lodrave, as agjencitë e udhëtimit, jo... jo... jo..., por Zoti Jisu Krisht, i Cili është personi i dytë i Trinisë së Shenjtë. Por këtu duhet kujdes, sepse duke thënë që, “u trupëzua Perëndia, disa nënkuptojnë trupëzimin e Trinisë së Shenjtë. Pra, jo Trinia e Shenjtë, por një person i Trinisë u bë njeri. A marrin pjesë personat e tjerë të Trinisë së Shenjtë në ngjarjen e Krishtlindjeve? Sigurisht që marrin, sepse çfardolloj gjëje që bëhet si energji e Perëndisë është një energji e përbashkët e të tre personave. Një është natyra e Perëndisë, tre janë hipostazat e Tij, dhe një është energjie e përbashkët e Tij. “Ati me anën e Birit në Shpirtin e Shenjtë i bën të gjitha”. “Deshi Ati dhe Fjala u bë trup dhe Virgjëresha lindi Perëndinë që u bë njeri”. Por, Biri dhe Fjala e Perëndisë u trupëzua.
Çfarë kremtojmë konkretisht? Lindjen e Birit dhe Fjalës së Perëndisë si njeri, “prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari”. “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Shën Joan Theologu). Disa vërejtje të nevojshme:
-Bëhet njeri i Biri i Perëndisë, dmth., merr diçka që Ai nuk e kishte, por pa ndaluar së qeni Ai që ishte. Biri dhe Fjala e Perëndisë bëhet edhe njeri. Për këtë arsye Ai është “Emanuel, që domethënë Perëndia është me ne”. Krishti është Perëndinjeri, por jo me kuptimin e një personi mitologjik, por si “Perëndi i përsosur dhe njeri i përsosur pa mëkat”. (Sepse mëkati nuk i përkiste natyrës njerëzore në vetvete, ai përbën një pasojë për arsye të përdorimit të keq të lirisë së njeriut. Njeriu mëkatoi, dhe kështu në gjininë njerëzore hyri edhe vdekja).
-Duke thënë që Biri i Perëndisë mori natyrën njerëzore nënkuptojmë që mori trup dhe shpirt, elementet bazë të natyrës njerëzore. Pra, Krishti ka dy natyra, hyjnore dhe njerëzore. Siç psal edhe Kisha jonë: “Dy natyra, por një person”. Çfarë do të thotë kjo gjë? Natyra njerëzore e Krishtit bashkohet me natyrën Hyjnore të Tij në një Person të Tij. Siç u vendos në Sinodin IV të Kalkedonisë natyrat e Krishtit ishin të “papërziera, të pandryshuara dhe të pandara”. Si përfundim: Për shkak të personalitetit të Tij të vetëm, Ai jep edhe dhuratat e hyjnyshmërisë së Tij edhe natyrës së Tij njerëzore, për këtë arsye, Krishti edhe si njeri është unik dhe i papërsëritshëm.
Kuptimi esencial i Krishtlindjeve
Në një atmosferë festive, me drita vezulluese, me dhurata për të dhënë e për të marrë, me festa dhe ushqime, me gjithçka që dikton shoqëria jonë konsumatore dhe jeta jonë e laicizuar e krishterë, ne festojmë Krishtlindjet!
Një mendim disi më shpirtëror do t’i shikonte Krishtlindjet si ngjarjen e “Paqe përmbi dhe” që solli Perëndia me ardhjen e Tij.
Dhe akoma një mendim më shpirtëror dhe më theologjik, do të thotë se Krishti u bë njeri “që të na shpëtojë prej mëkateve”, duke marrë si bazë për këtë ngjarje të frikshme të mishërimit të Perëndisë mëkatin, pra diçka negative.
Në këtë konfuzion kozmik, shpirtëror dhe teologjik, ku mund të gjendet një vend për të zbuluar kuptimin thelbësor të festës së madhe të Krishtlindjes? Dhe pse, nxitojmë, ta dimë? A nuk na arrijnë problemet, konceptet dhe gabimet tona, të cilat na konsumojnë kaq shumë fuqi? Çfarë na duhet angazhimi teorik me “kuptimin e Krishtlindjes”?
Por, zbulimi i kuptimit, i bazuar në mendimin Patristik, dhe pranimi i tij në jetën tonë, do të na çlirojë prej shqetësimeve të jetës, ankthi si edhe gjërat e tjera negative dhe do të na drejtojë në një jetë të re, në Jetën e Tij, që ka gëzim dhe paqe dhe Jetë të përjetëshme.
Shën Isaak Siriani thotë: “Perëndia u bë njeri, jo që të na çlirojë prej mëkateve apo për ndonjë arsye tjetër, por vetëm e vetëm që bota të njohë dashurinë që Perëndia ka për krijesën e Tij”.
Nëse ndjenja e dashurisë së një njeriu fal fuqi dhe gëzim, sa të plotë do të ndihemi në zemër, kur të ndjejmë dashurinë e Perëndisë sonë të madh? Një dashuri, sigurisht, që nuk kufizohet nga dashuria jonë e papërsosur apo nga besimi dhe veprat tona. Domethënë, nuk na do, sepse “jemi të Tijët”, apo sepse ne e duam Atë.
Secili prej nesh ka nevojë të ndjejë deri në thellësi të ekzistencës së tij këtë dashuri pa kufi dhe kushte. Të ndjejë se Perëndia na do edhe pse jemi mëkatar dhe “që nuk duron që të jetojë pa ne”. Pastaj, i përgjigjemi dashurisë së Tij, duke e dashur Atë, i flasim – lutemi, bashkohemi me Të – kungohemi me pendim, jetojmë siç Ai dëshiron – ruajmë urdhërimet e Tij.
Dhe Ai vjen tek ne, lind në zemrat tona, dhe na fal paqen e Tij, prehjen e Tij, gëzimin e Mbretërisë së Tij, tani dhe në të ardhmen.
Le të vëmë re me kujdes kuptimin e Krishtlindjeve
Me emocion presim që të arrijnë ditët e shenjta të 12 Ditëshit që përfshijnë kremtimin e Lindjes së Perëndinjeriut Jisu Krisht, të kremten e Shën Vasilit të madh (Viti i Ri), dhe Theofaninë dhe kujtimin e Pararendësit të nderuar, që të na shenjtërojnë dhe të na falin ngrohtësinë që rrezatojnë këto ditë hyjnore.
Fatkeqësisht, shpesh dëgjojmë se Krishtlindjet janë kthyer në një festë komerciale, duke injoruar kuptimin e vërtetë shpirtëror të festës. Të mos harrojmë rëndësinë thelbësore të festës. Krishtlindja na ndihmon të përjetojmë mishërimin e Krishtit jo si një ngjarje e asaj kohe, por si një realitet të sotëm. Sepse do të thotë unë festoj - e lë kohën dhe vendin tim dhe hyj në orën e përjetshme të Perëndisë, për ta jetuar historinë e tij si historinë time.
“Sot Krishti lindet”, psal Kisha jonë duke thyer kufijtë kohor dhe vendor duke i tranferuar besimtarët në një të tashme të vazhueshme.
Këtë mundësi e ofron vetëm Kisha. Është si të na marrë prej dore dhe të na çojë në Betlehem, të na vendos brenda në shpellë dhe të na gjunjëzojë para grazhdit. Aty, kur ne me përulësi pranojmë që të bëhemi nxënës të Tij, na mëson ngjarjen e madhe, se Perëndia u bë njeri.
Ndoshta Krishtlindjet kanë humbur kuptimin e tyre dhe për këtë arsye shumica e njerëzve shikojnë thjesht fasadën e këtyre ditëve dhe jo kuptimin e thellë të tyre... Për këtë arsye le të kalojmë pak kohë fillimisht me vetë Krishtin brenda çdo Kishe, veçantërisht në Liturgjinë hyjnore të Krishtlindjeve, brenda në shpellën e natës dhe më pas të kalojmë pak kohë me njerëzit tanë të dashur. Le të tregojmë praktikisht dashurinë tonë. Le të mendojmë njerëzit që nuk janë kaq me fat sa ne dhe që kanë nevojë. Le të besojmë në gjërat e bukura dhe le të thërrasim në mendjen tonë kohën kur kqmi qenë fëmijë të vegjël, duke pritur si e si të vinin Krishtlindjet. Le të lëmë që mesazhi i dashurisë të prekë zemrat tona dhe të ngrohë shpirtin tonë me mirësi, paqe dhe gëzim. Le të lëmë dritën e yllit që të na drejtojë tek Perëndia.
Me rrëfim dhe Kungatë Hyjnore është e sigurtë që do të kalojmë Krishtlindjet më të mira.
Predikim për Lindjen e Krishtit, nga Shën Llukai i Krimesë
Që nga koha e lashtë e historisë së njerëzimit ndjenja fetare e të gjithë popujve gjendej në një errësirë të tmerrëshme. Dhe kjo ishte diçka e natyrshme, sepse ishte ishte e pamundur për njeriun e kaluar që të gjente zgjidhjen e problematikave të vështira mbi origjinën e botës dhe burimet e së mirës dhe së keqes. Nevojitej zbulesa hyjnore. Vetëm ajo do të mundte që të jepte përgjigje. Ekzistonte vetëm një popull i zgjedhur i Perëndisë, populli i Izraelit, tek i cili kjo zbulesë u dha madje edhe në kohën më të lashtë të historisë së tij.
Por edhe ky popull i zgjedhur i Perëndisë, si çdo popull tjetër, përbënte një masë, e cila në Shkrimin e Shenjtë quhej “popull i tokës”. Por ekziston edhe një grup i vogël të të zgjedhurve të vërtetë të Perëndisë, grupi i paraetërve “Nga Adami e deri tek Josifi, i fejuari i Hyjlindëses së Tërëshenjtë”, të cilët Kisha jonë e Shenjtë i nderon në dy të Diela, të cilat i paraprijnë Lindjes së Krishtit. Vetëm këta të zgjedhur të Perëndisë e mbajtën zbulesën hyjnore, ndërsa “populli i tokës”, shumë shpesh u dha në idhujtari dhe nuk dalloi shumë prej popujve të tjerë, që gjendeshin në errësirë dhe të cilët nuk morën prej Perëndisë asnjë zbulesë.
Shumica prej jush nuk e njohin historinë e feve, për këtë arsye do t’ju them me dy fjalë se deri në çfarë pike marrëzie dhe errësire arritën popujt, të cilët me fuqinë e tyre u munduan që të të kuptonin misteret më të thella të fesë. Prej popujve të lashtë, më të qytetëruarit ishin Egjiptianët. Megjithatë vendin e parë në fenë e tyre e kishte ashurimi i kafshëve. Bartës të fuqisë hyjnore dhe të denjë për nderim konsideronin demin Apis, lopën, krokodilin, dhinë, macen, majmunin, qenin, skifterin, madje edhe miun, gjarprin dhe bretkosën.
Lumi i madh Nil, i cili përshkon të gjithë Egjiptin, konsiderohej perëndi. Mbreti i Egjiptit, Faraoni, konsiderohej gjithashtu si pasardhës i perëndive dhe i ofronte flijime vetes. Këta perëndi të rremë përshkruheshin në formën e një njeriu dhe kokën e një prej kafshëve të shenjta. Tempujt e lashtë egjiptianë u ndërtuan jo si vende lutjeje për njerëzit, por si banesa të kafshëve të shenjta.
Adhurimi i kafshëve mungonte në fenë e grekëve dhe romakëve të lashtë. Zota të shumtë mishëruan në fytyrat e tyre fuqinë, vlerën dhe cilësitë më të mira të njeriut. Por atyre u atribuoheshin të gjitha pasionet njerëzore: kishin urrejtje për njëri-tjetrin, ishin imoralë, hakmerreshin ashpër ndaj armiqve të tyre, siç bëri edhe perëndia suprem i panteonit grek, Zeusi, i cili u hakmor ndaj Prometeut, që i vodhi zjarrin dhe shpërndau atë tek njerëzit.
Mendoj se mjaftojnë këta pak shembuj nga historia e fesë egjiptiane dhe greke për të kuptuar se sa e errët ishte ndërgjegjja fetare e popujve që jetonin në atë kohë në tokë. Atëherë ndodhi ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit, të cilën e kremtojmë sot, Lindja trupre e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, Birit të Perëndisë, i cili zbriti prej qiejve dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari.
Me hyrjen e Krishtit në botë të gjithë sa jetonin në errësirë dhe nuk njihnin Perëndinë e vërtetë, morën zbulesën hyjnore. Të gjithë i ndriçoi “drita e dijes”, siç thotë përleshorja e të kremtes së madhe të sotme: “Lindja jote o Krisht Perëndia ynë, i lindi botës, dritën e dijes...”.
Le të mendojmë më mirë kuptimin e kësaj fjale të madhe “drita e dijes”. Mos ndoshta bëhet fjalë për dritën e mendje? Jo, jo kuptimi është më i thellë. Nuk ndriçohet çdo mëndje nga drita e së vërtetës. Madje edhe mendja e admirueshme e filozofëve më të mëdhenj Platonit dhe Aristotelit nuk ndriçohej prej dritës së të vërtetës, ndërsa mendja e disa filozofëve të tjerë ishte kaq shumë e errësuar, sa që mohuan edhe të vërtetat më të mëdha shpirtërore.
Mendja e djallit dhe instrumntave të tij është pakrahasim më e madhe se sa mendja njerëzore.
Por ata janë të privuar prej çdo komunikimi me Perëndinë dhe kështu përbëjnë një burim të errësirës më të thellë.
Dija, pra, të cilën Zoti ynë Jisu Krisht solli në botë është e pandarë prej dritës hyjnore, e cila ndriçon botën. Në shpellën e vogël të Betlehemit, atë ditë të madhe të Lindjes së Krishtit u ndez për ne kjo dritë hyjnore, e cila sa më shumë rritej Krishti, duke arritur në moshë burrërore, aq më shumë shkëlqente dhe përfundimisht arriti në pikën që shkëlqimi i saj të ishte shumë herë më i ndritshëm nga shkëlqimi i diellit. Sepse drita e Perëndinjerit Jisu, i cili është Dielli i Drejtësisë është dritë hyjnore.
Në Shkrimin e Shenjtë vetë Perëndia dhe Biri i Tij quhen dritë. Në letrën e parë të përgjithshme të apostull Joanit, Theologu thotë:
“Edhe ky është lajmi që kemi dëgjuar nga ai, edhe ju lajmërojmë ju, se Perëndia është dritë, edhe nuk ka asnjë errësirë tek ai” (1Joan. 1.5). Dhe në kapitullin e pestë të së njëjtës letër shkruan: “Por e dimë se i Biri i Perëndisë erdhi, edhe na dha kuptim që të njohim të vërtetin; edhe jemi në të vërtetin, në Birin e tij Jisu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përjetshme” (1Joan. 5.20).
Vetë Zoti ynë Jisu Krisht tha: “Unë kam ardhur dritë në botë, që të mos mbetet në errësirë kushdo që të më besojë” (Joan. 12.46), dhe një tjetër të vërtetë të madhe për esencën e Perëndisë, na zbuloi Joan Theologu, duke thënë se “Perëndia është dashuri” (1Joan. 4.16).
Pra, drita e dijes, e cila ndriçoi në botën e kombeve me trupëzimin e Birit të Perëndisë prej Virgjëreshës Mari, është njëkohësisht edhe drita qiellore e dijes së Perëndisë që shfaqet në veçantitë më të rëndësishme të esencës së Tij, të cilat janë drita hyjnore dhe dashuria e përsosur. Me mësmin e Tij dritëprurës, të cilin gjithmonë e vërteton me mrekullitë dhe me urdhërimet e Tij, Zoti Jisu Krisht tregoi se është Dielli i Drejtësisë, dhe me vdekjen e Tij mbi kryqin e frikshëm tregoi se është edhe dashuri e pafund hyjnore.
Le të lexojmë edhe njëherë tjetër përleshoren e Krishtlindjeve:
“Lindja jote o Krisht Perëndia ynë, i lindi botës, dritën e dijes së hyjëshme, se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin ty të të adhurojnë, Diellin e drejtësisë, dhe të të njohin si lindjen që lartazi, o Zot lavdi më ty”.
Në Lindje, në një vend të largët, ku jetonin të urtët, të cilët studiuan rrjedhën e yjeve dhe në injorancën e tyre hyjnizuan trupat qiellorë, shkëlqeu drita hyjnore. Magëve u bëri përshtypje pamja e një ylli të paprecedentë, i cili ndoqi një kurs të pazakontë dhe dukej se do t'i çonte diku. Rruga ishte e gjatë dhe më në fund ylli u ndal mbi një shpellë në Betlehem, ku magët panë Diellin e Drejtësisë, i cili ndriçoi botën dhe i’u falën Atij. Le të ndjekim edhe ne magët dhe të shkojmë me ta me frikë në shpellën e Betlehemit dhe t'i ofrojmë Atij zemrat tona të pastra dhe plot besim. Amin.