KRISHTLINDJE ME APO PA KRISHTIN?
KRISHTLINDJE ME APO PA KRISHTIN?
Autori: Profesor i Teologjisë, Llambro Skoncu
I gjithë njerëzimi do të festojë edhe këti vit ngjarjen e madhe dhe botërore të Mishërimit të Perëndisë. Lindjen trupore të Shpëtimtarit dhe Çliruesit të botës Krisht, i Cili pranoi që të vishte natyrën e përulur njerëzore, që shpëtimi i botës të ishte real. Veshi natyrën tonë të rënë, u bashkua me ne që të mundë që përmes këtij bashkimi të na shpëtojë. Shpëtimi ynë nuk është ndonjë formë abstrakte verbale, një teori, një ideologji, një reflektim filozofik, por një realitet i prekshëm. Perëndia u bë njeri, u bashkua me ne që ne të bashkohemi me të, branda Misterit të këtij bashkimi erdhi edhe hyjnishmëria tek njerëzimi. Përmes Krishtit mundemi që të marrim pjesë në hyjnishmëri.
Zoti ynë Jisu Krisht është Personazhi hyjnor dominues i kësaj të kremteje të madhe. Ne besimtarët, Atë himnojmë dhe lavdërojmë për dashamirësinë e Tij supreme ndaj gjinisë njerëzore dhe ndaj gjithë krijimit. Kisha jonë e shenjtë përgatiti një të kremte të mrekullueshme shpirtërore, që të mundemi të përjetojmë në mënyrën dinamike më të madhe këtë ngjarje të madhe. Shenjtorët dhe Etërit Hyjmbajtës e stolisën të kremten e madhe me fjalë dhe tekste himnologjike me vlerë të paarritëshme. Duke marrë pjesë me ndërgjegje në shërbesat e shenjta të Krishtlindjeve dhe të të kremteve të tjera të Dymbëdhjetditëshit të Shenjtë, shijojmë pasurinë e hirit të Perëndisë, të cilin e marrim brenda Kishës. Mbushet e gjithë qënia jonë prej ngazëllimit të përmbibotshëm, duke u ndërgjegjësuar për madhësinë e dashurisë së Perëndisë për gjininë njerëzore dhe për çdo njeri në veçanti, sepse nuk gjendemi më të braktisur në vorbullën e mashtrimit dhe në dorën e djallit armikut tonë, i cili punon për shkatërrimin tonë, por jemi të dhënë tek dhurata e hirit të Perëndisë, të Atit tonë qiellor, i Cili, na do kaq shumë sa që na dha Birin e Tij të Vetëmlindur si Shpëtimtar dhe Çlirues për ne.
Nuk gëzohen vetëm njerëzit, por e gjith krijesa. Festojnë në qiell fuqitë ëngjëllore, sepse Mishërimi i shenjtë përbën fillimin e fitores së Perëndisë ndaj djallit, shkatërrimin e mbretërisë së tij demoniake, dëbimin e tij nga krijesa e Perëndisë. Feston gjithashtu krijesa e pallogjikshme dhe e pashpirt, sepse trupëzimi nënkuptonte edheçlirimin e tyre prej skllavërisë së mëkatit, e cila erdhi që nga rënia e njeriut.
Të gjithë pra e kremtojnë këtë të kremte të shenjtë, qiellorët, tokësorët dhe të nëndheshmit, të gjallët dhe të fjeturit, e gjithë bota, e dukshme dhe e padukshme. Sepse në Krishtin ndodhi ringjallja e krijimit dhe çlirimi nga skllavëria e mëkatit dhe ligji i kalbjes dhe vdekjes.
Përjashtim të trishtë përbën pjesa dërrmuese e njerëzve që festojnë “Krishtlindjet” e tyre, të cilëve u mungon protagonisti i madh i festës, Krishti! Njeriu që për hir të të të cilit u bë Mishërimi i Perëndisëm ktheu fytyrën e tij kundër Tij. Ai e përzuri nga jeta e tij. Kjo shihet qartë në këto ditë festash. I gjithë planeti do të veshë rrobat e tij festive. Përveç vendeve të krishtera, do të festojnë edhe vendet jo të krishtera. Miliona stoli, pemë Krishtlindjesh, grazhdë, fenerë do të zbukurojnë hapësirat publike dhe private, të cilat janë bërë (si rregull) nga duar jo të krishtera, si kineze, bangladeshase apo indiane. Vitrinat e dyqaneve do të dekorohen për t'i bërë produktet e tyre më tërheqëse. Klubet e natës dhe klubet do të krijohen për t'u ofruar klientëve të tyre të pangopur një festë brilante dhe të pasur. Reklamat televizive do të bëjnë sugjerime joshëse për blerjet festive. Agjencitë turistike do të organizojnë udhëtime, afër apo larg, në vende ekzotike, për ata që “kanë mundësinë”, për të “shpenzuar”.
Krishti do të zëvendësohet nga babagjyshi i vitit të ri, të cilit i është dhënë emri i Shën Vasilit (në perëndim të Shën Nikollës). Ky “shenjt” i gëzueshëm dominon gjatë gjithë këtyre ditëve festive, për të nxitur maninë konsumatore dhe për të mbuluar imazhin e Zotit të mishëruar përmes nesh.
Këto ditë do të jenë rraskapitëse për shumëkënd. Ata do të pushtohen nga mania e konsumatorit. Ata do të nxitojnë të bëjnë pazarin mes turmave dhe stresit. Amvisat do të vuajnë nëpër kuzhina për të përgatitur tryezën e Krishtlindjes, e cila duhet të jetë e pasur, e denjë për festën e madhe, si dhe ëmbëlsirat e ndryshme, që janë të nevojshme për të shoqëruar vaktin e Krishtlindjes. Gjithçka duhet të jetë gati, e pasur dhe e ndritshme, për të dhënë gëzim dhe "të dallojë ditën". Gëzimin do ta plotësojnë edhe vizitat e të afërmve dhe miqve, me të cilët shkëmbejnë urimet, për “për shumë vjet”, që do të japë lumturi materiale.
Por për përgatitje shpirtërore, kreshmë, rrëfim, kungim hyjnor, soditje, bamirësi, as që bëhet fjalë. Kush ka kohë për "detaje" të tilla? Natyrisht, nuk flitet asnjë fjalë për kishërimin e të kremtes së Krishtlindjeve. Festa do të zgjasë deri në orët e hershme të mëngjesit dhe pas një darke të rëndë dhe të pasur nevojitet relaksim dhe gjumë i thellë, i gjatë dhe i pashqetësuar!
Në Evropën e dekristianizuar, gjërat janë shumë më keq. Për të mos ofenduar hordhitë e refugjatëve dhe emigrantëve jofetarë dhe kryesisht myslimanë (të ligjshëm dhe të paligjshëm), disa u kujdesën të fshinin përmbajtjen e krishterë të Krishtlindjes. Në Gjermani u hoq nga dekorimet publike çdo gjë që do t'i jepte një "ngjyrë" fetare të njëanshme festave, për të mos provokuar myslimanët fanatikë, të cilët acarohen nga pamja e simboleve të krishtera! Në Belgjikë i hoqën kryqin kapelës së “Babadimrit”! Në Angli, simbolet fetare të të gjitha feve janë shtuar në dekorimet e rrugëve, në mënyrë që Krishtlindjet të mos konsiderohen pronë e asnjë feje! Pastorët protestantë ftojnë jobesimtarët në tempujt e tyre t'i luten Krishtit të porsalindur, të cilët nuk besojnë!
Adhuruesit e vonë të feve pagane shekullore të harruara, të paaftë për t'u shkëputur nga magjepsja e Krishtlindjeve, krijuan "Krishtlindjet" e tyre. Lindjen e Krishtit e zëvendësuan me kujtimin e “lindjes” së “hyjnive” mitike inekzistente, siç ishin “arkeolatrët” grekë, “Iliogenët”, pra “lindja” e diskut diellor gjatë solsticit dimëror! Paganët e Europës do të shkojnë në monumentin megalitik Stonehenge në Angli, për të festuar “lindjen” e diellit! Atyre nuk ju intereson adhurimi i Krijuesit të diellit të krijuar, por ju intereson adhurimi i krijesës!
I munguari i madh në festën e madhe dhe të lavdishme është Krishti! Ai që me Mishërimin e Tij të mrekullueshëm shënoi në mënyrë të pashlyeshme historinë njerëzore, duke e ndarë në dy pjesë, periudhën para Lindjes së Tij dhe periudhën pas Lindjes së Tij! Mungon në festimet e Lindjes së Tij! Ne i tregojmë Atij në mënyrën më të qartë se nuk kemi nevojë për Të. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar dhe shpëtim. Nuk na intereson se çfarë ndodh kur vdesim, ku, siç besojmë, ndoshta mund të jemi asgjësuar. Ne kujdesemi për mënyrën se si e shijojmë jetën tonë. Motoja jonë është motoja e lashtë greke e hedonistëve: “të hamë, të pimë, nesër do të vdesim”! Shqetësimi ynë është si ta kënaqim mishin tonë, sepse vetëm këtë e njohim si realitetin e vetëm të vetvetes!
Por Krishti nuk mungon realisht. Ai është përjetësisht i pranishëm, duam apo nuk duam, sepse është krijuesi i hapësirës dhe i kohës dhe Zot i historisë. Ai është i pranishëm dhe qëndron pranë nesh, plot pikëllim për shkatërrimin tonë, sepse na shpengoi nga robëria e mëkatit dhe dënimi i vdekjes me gjakun e Tij të pastër. Ai nuk na detyron ta pranojmë Atë, sepse kjo do t'i jepte fund lirisë sonë, e cila është thelbi ynë si qenie njerëzore. Ai na fton fshehurazi, nëpërmjet Kishës së Tij, Shkrimeve të Shenjta dhe himneve të shenjta, të zgjohemi nga gjumi ynë i vdekshëm. Të ngrihemi nga dembelizmi ynë. Të shkëputemi nga gjërat tokësore dhe të prishshme, që na japin iluzionin e lumturisë dhe të kërkojmë shpirtëroren dhe të paprishmen, që do të na çojë drejt shpëtimit dhe lumturisë së vërtetë. Krishti nuk është larg nesh, ne mund ta shohim Atë, nëse pastrojmë dhe dëbojmë nga sytë tanë shpirtëror mjegullën e mëkatit. Ne mund ta dëgjojmë Atë nëse mbyllim veshët ndaj sirenave shurdhuese të botës dhe përshtatemi me frekuencën e Tij shpëtuese, e cila është thirrja e Tij e ëmbël për shpëtim. Si një Zot i nderuar, Ai nuk refuzon askënd, të gjithë jemi të ftuar në Darkën e Tij të madhe, duke pasur dëshirë që shtëpia e Tij të mbushet. I vetmi që përjashtohet është ai që refuzon ftesën. Nuk ka asnjë përjashtim nga Krishti, por nga vetë mohimi ynë.
Prandaj është nevoja dhe interesi ynë suprem, ne që duam të konsiderohemi të krishterë, të mos e festojmë këtë Krishtlindje pa Krishtin. U bëftë ai qendra jonë dhe pika jonë e referencës. Prioritet ynë të jetë adhurimi, lavdërimi dhe nderimi i Zotit tonë foshnje. Për të bërë një grazhd imagjinar të ngrohtë në zemrat tona, ku do ta pranojmë dhe do ta mbajmë përgjithmonë, për të na shenjtëruar dhe për të na çuar drejt shpëtimit dhe hyjnizimit. Të kuptojmë që Perëndia u bë njeri që të na bëjë ne Perëndi! “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Lluk. 2.11). Të kuptojmë që tani bashkë me ne kemi Emanuelin “që do të thotë “Perëndia me ne” (Matth. 1.23), që do të thotë se Perëndia është gjithmonë me ne, dhe njëkohësisht kemi edhe bekimin që të shijojmë dhuratat e Tij shpëtimtare dhe të “jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Rom. 8.37), ndaj çdo fatkeqësie dhe fuqie, që ndërhyn në rrugëtimin shpëtimtar në jetën tonë. Vetëm kështu do të kremtojmë Krishtlindjet më të bukura të jetës sonë!