RIGJETJA E IDENTITETIT TONË TË KRISHTERË BRENDA FRYMËS SË KRISHTLINDJEVE
Autor: Irakli Reraki, Profesor i Pedagogjisë së Krishterë në Universitetin e Selanikut
Përktheu nga greqishtja Katekisti: Arbër Pandeli Zeneli
Apostull Pavli paralajmëron të Krishterët: “Mos shuani Frymën”, pra, dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, mos i shuani dhe mos i shpërdoroni. Si por afron edhe sivjet e Kremtja e Madhe e Mishërimit të Zotit Tonë Jisu Krisht, shumë të krishterë orthodhoksë duket se po përsërisin një devijim të madh theologjik.
Ata nuk kërkojnë dhe, natyrisht, nuk gjejnë në Krishtlindje identitetin e tyre të vërtetë të krishterë, kuptimin e vërtetë të krishterë të ekzistencës së tyre, vetë Perëndinjeriun Krisht, që lindet prej qiellit në tokë, “që të kenë jetë, edhe ta kenë me të tepërt” (Joan. 10.10), por ata mbulohen nën një karikaturë folklorike, të një “lindjeje” të krijuar nga njeriu, krejtësisht pa lidhje me frymën e besimit tonë të krishterë.
Krishtlindja, megjithatë, nuk është një festë laike e ndonjë feje apo ideologjie njerëzore, por është kremtimi i lindjes Hyjnore të “fëmijës së ri”, Perëndisë së mishëruar, që zbulohet, prej Atit së larti dhe sjell dhe vendos në botën dhe në shpirtra, Kishën dhe besimin.
Si rrjedhojë, Krishtlindjet moderne të ndritëshme, laike, tregtare dhe me karakter antropocentrik nuk janë asnjë lidhje me lindjen e vërtetë të Perëndinjeriut dhe me gjetjen e jetës dhe së vërtetës në personin e Tij.
Përgjegjësia e Kishës dhe e theologjisë si për humbjen graduale të kuptimit dhe frymës së vërtetë të Krishtlindjes në botë, ashtu edhe për nevojën për të rizbuluar të vërtetën e saj, është e madhe.
Sepse, në asnjë rast nuk i shërben interesit shpirtëror të të Krishterëve, vijimi i një feste të rreme, që ndryshon theologjinë dhe Shpëtimin e Zbulesës Hyjnore.
E kremtja e Krishtlindjeve duhet të kthehet, nga konteksti i saj tregtar dhe folklorik, në atë ontologjik, ku njerëzit do të kremtojnë, jo një foshnjë njerëzore në një grazhd, që përfaqëson një Perëndi imagjinar dhe inekzistent, por ngjarjen që mbush shpirtin e tyre.
Lindja e Perëndinjeriut përbën në Kre të rëndësishëm të Misterit të zbritjes hyjnore të Perëndinjeriut, ku Krishti vjen dhe lindet, “që të shpëtojë njeriun”.
Të krishterët bekojnë dhe pranojnë, me anën e besimit, Shpëtimtarin dhe Çlirimtarin që po vjen: “Sot është nisje e shpëtimit tonë dhe shfaqja e misterit të përjetëshëm, Biri i Perëndisë, bëhet i Biri i Virgjëreshës...”.
Pra, Krishti nuk lindet, që të krishterët të gëzohen me shfaqje të jashtme, por lindet që të gëzohen shpirtërisht dhe të përgjigjen në mënyrë shpirtërore, brenda në “Dritën e dijes”, që ndriçon shpirtrat për të kuptuar së brendshmi kuptimin e kësaj Ardhjeje hyjnore.
Ndriçimet e jashtme, gjatë gjithë natës dhe dekorimet mbulojnë vetëm kuptimet fetare, dhe jo ato theologjike të Krishtlindjeve. Ato e mbajnë të Kremten e Madhe të Çlirimit në qendër të vizioneve dhe synimeve të kësaj bote, sipas imagjinatës së secilit dhe planeve të dobëta të përkohshme të jetës. E mbajnë larg shpirtrave dhe ndërgjegjeve.
Fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë, disa të krishterë tundohen të festojnë Krishtin e Krishtlindjes, jo si Bir të Perëndisë, por si një faktor social, si një Krisht njerëzor, nga i cili presin dhe vetëm mbivendosje emocionale dhe të pakuptimta, pa asnjë ngritje shpirtërore. Megjithatë, Misteri i Mishërimit është misteri i dashurisë së Perëndisë për njeriun, zbulohet dhe jepet kuptim, vetëm në personin dhe veprën e vërtetë të Krishtit.
Për këtë arsye është shumë e nevojshme që e kremtja e Krishtlindjeve të korrigjohet nga keqinterpretimet dhe ndryshimet njerëzore, të ardhura nëpërmjet protestantizmit apo lëvizjeve të tjera, kryesisht perëndimore, fetare dhe nga tundimi i laicizmit dhe folklorizmit, dhe të rikthehet në Frymën dhe në kuptimin, që i ka dhënë tradita e Etërve të Kishës orthodhokse dhe besimi.
Apostull Pavli, duke interpretuar ngjarjen, thekson se, deri në Mishërimin Hyjnor, në marrëdhënien e Perëndisë me njeriun, ekzistonte një gjendje foshnjërie dhe njerëzit ishin robër të elementeve të botës, ndërsa, tani, birësimi, që ofrohet në të kremten e Mishërimit Hyjnor nga Krishti për të gjithë besimtarët, është fuqia e madhe që i kthen në gjendjen e vërtetë të strukturës theologjike të së Kremtes, me në qendër theologjinë orthodhokse. “Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave; por është nën mbikqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati. Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementët e botës; po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë. Edhe meqenëse jemi bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja, që thërret: Abba, o Atë. Prandaj nuk je më shërbëtor, po bir; dehe në je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit” (Gal. 4.1-7).
Natyrisht, në një epokë ku elementi i racionalizmit dhe i materies mbizotëron në botë, është e vështirë të pranohet besimi në adoptimin shpirtëror, të cilin vetë Perëndinjeriu e ofron për njeriun, gjatë Zbulesës së Tij Hyjnore, dhe që tejkalon logjikën dhe mendimin.
Megjithatë, në Theologjinë Orthodhokse, është vetëm besimi që e bën të pabesueshmen të besueshme dhe të pranueshme, ndërsa logjika pranon vetëm atë që është e besueshme dhe e demonstrueshme nga mendimi.
Për këtë arsye njeriu, që bazohetn në logjikë dhe në dije, krijon një Perëndi sipas masës së tij, që mund ta kontrollojë, ta drejtojë në përputhje me dëshirat e tij, krijon një Perëndi që tashmë bëhet njerëzor, më i kuptueshëm dhe më pranë dëshirave kozmike dhe në shërbesën e tyre antropocentrike.
Është Perëndia i Filozofisë, i Shkencës dhe i skolasticizmit, krijues i të cilit është mendja njerëzore. Por, ai është një Perëndi i rremë, që nuk ka asnjë natyrë, të cilin e besojnë për Perëndi të vërtetë, të gjithë sa nuk pranuan të besojnë të vërtetën për Perëndinë nga vetë Biri i Tij, që zbulohet brenda Kishës.
Kështu, njerëzit, në kontekstin e injorancës së tyre, krijuan dhe vazhdojnë të krijojnë, në vendin e besimit në Perëndinë e vërtetë, një fe të një Perëndie inekzistent, i cili nuk është Biri i Perëndisë nga Virgjëresha, por një Perëndi fetar dhe imagjinar.
Megjithatë, besimi tek Krishti, gjendet në portën e misterin të Ekonomisë Hyjnore, brenda jetës dhe përvojës kishtare. Është një fuqi mistike dhe e pakutueshme, “përtej arsyes”, përtej llogjikës.
Është besimi ai që çliron prej errësirës së mashtrimit, ku gjenden njerëzit dhe prej kotësive të botës, ndaj të cilave janë të nënshtruar, në kërkimet dhe në mendimet e tyre të pafrytshme. Megjithatë, besimi, që vjen nga dituria dhe njohuria Hyjnore, përfshin thesare, të cilat nuk i nxë as qielli e as toka. Për këtë arsye, ai që ka si mbështetje në zemrën e tij shpresën e besimit nuk i mungon kurrë asgjë, aq sa ka ndjenjën dhe bindjen se, ndërsa nuk ka asgjë, me besim ka gjithçka, siç dëshmon apostull Pavli: “porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë” (2Kor. 6.10).