Dijetarët (Magët) e lindjes drejtohen në drejtim të qytetit të Betlehemit
Autori: Murgesha Paraklitiki, Doktor në Theologj
Edhe për një herë tjetër na jepet mundësia për të kushtuar pak kohë për të studiuar Lindjen e Krishtit në jetën tonë si po afrohemi drejt të kremtes së madhe despotike të Krishtlindjeve. Na jepet mundësia të shikojmë se si e jetojmë ardhjen personale të Krishtit, në shtëpitë tona, në manastiret tona dhe kudo tjetër që jemi, por mbi të gjitha në shpirtrat tanë!
Ka shumë tema që mund të komentohen dhe studiohen në lidhje me mishërimin e Krishtit. Për shembull, nëse do të shikonim me kujdes ikonën e Lindjes së Krishtit, do të shihnim disa persona dhe disa pozicione. Dhe siç do të ftonim një fëmijë që të merrte pjesë në ikonë, të imitonte një person, për ta ndihmuar atë që të jetojë lindjen e tij personale, kështu mund të bëjmë edhe ne.
Më 15 nëntor ne nisëm 40 ditëshin. Në librin e vogël dhe shpirtëror të atë Lev Gillet (Lindi Krishti), autori na fton që të themi një lutje të bukur si parapërgatitje: “Eja Zot Jisu”! Duke thënë këtë lutje, dhe njëkohësisht duke parë magët në ikonë, mendojmë se çfarë udhëtimi bënë ata për të takuar foshnjën hyjnore, T’i faleshin atij dhe T’i ofronin dhuratat.
Vendimi i udhëtimit ishte personal për secilin prej tyre, por njkohësisht edhe i përbashkët. Nisi me njohurinë dhe u forcua me guxim nga besimi përjetues se ekziston një mesazh personal pas kësaj ngjarje të mrekullueshme me yllin e mrekullueshëm. Ata nuk qëndruan vetëm në vëzhgim sepse besimi i tyre i shtyu në kërkim.
Mesazhi i shpëtimit nga Mishërimi nuk është një mesazh i ofruar nga Perëndia nëse nuk vendosim me të njëjtën urtësi të të urtëve të Lindjes të lëmë vendin tonë dhe të shkojmë në vendin e Foshnjës Hyjnore. Magët, pas studimit dhe dijes, pasi diçka preku botën e tyre të brendshme, nuk mund të mbeteshin në një gjendje indiference pas zbulesës që ata jetuan. Duke biseduar mes tyre se çfarë ndodh me yllin, mori njëri nga tjetri guximin dhe bashkë vendosën që të bëjnë atë udhëtim.
Në shtëpitë tona dhe kudo ku jeton secili prej nesh, le të pyesë veten se çfarë lloj diturie e prek atë? Sa besim vendimtar përjeton ai? Çfarë guximi i jep tjetrit, të afëmit të tij? Udhëtimi për të cilin po flasim ka nevojë për unitet, vullnet dhe zemër ose me fjalë të tjera një zemër dhe një shpirt ku besimi i vërtetë dhe i përjetshëm thërret Shpirtin e Shenjtë që bashkon. Çfarë vlere ka dituria dhe besimi pa unitet dhe pa vendime të përbashkëta? Si mund të jetojë një familje pa vendime të përbashkëta? Mos ndoshta nuk është familje?
Sidomos në ditët e sotme jetojmë në një kohë plot përçarje. Si do të udhëtojmë të gjithë së bashku në Betlehem për të dhënë dhuratat? Së pari nuk e dimë nëse ndarjet do të na lejojnë zbulimin e yllit!
Që të gjithë bashkë të shikojmë yllin dhe që secili të bëhet një yll për tjetrin, një yll i vërtetë, që do të orientojë vëllain e tij dhe të afërmin e tij në grazhdin e Betlehemit. Që dikush të ngushëllojë vetminë e tjetrit, se sot lindi Shpëtimtari dhe me asgjë nuk jemi vetëm, Shpëtimtari i cili përqafon dhe shpëton, ngroh dhe mirëpret çdo të huaj, çdo të lënduar dhe çdo të vuajtur. Që t’i tregojë njëri tjetrit me dashuri e tij dritën e grazhdit, që të gjithë të marrim fuqi nga foshnja e shenjtë. Që të mësojë të vigjilojë njëri për tjetrin për problemin e tij, që të mos jemi të verbër midis nesh, duke mos parë dhimbjen e tjetrit ose duke mos dëgjuar se nga çfarë vuan. Për t'i treguar njëri-tjetrit mirëkuptim dhe pranim të thjeshtë njerëzor, pasi të gjithë jemi në të njëjtin rrugëtim të jetës. Ne jemi të gjithë të përkohshëm këtu dhe të mos e harrojmë këtë!
Kush udhëton i vetëm në vetminë dhe trishtimin, që janë dy karakteristika të kësaj epoke, le të thotë, kam një atë, një vëlla, një njeri me të cilin do të shkoj që t’i falem foshnjës hyjnore. Ndoshta kështu na denjëson Perëndia që të arrijmë në grazhd dhe të përjetojmë ikonën e Lindjes, jo teorikisht me mësime theologjike por brenda përvojës së Kishës.
Magët, kushtuan një farë kohe për t’u parapërgatitur për takimin me Krishtin, siç thotë Shën Joan Gojarti, dhe udhëtimi i tyre zgjati rreth dy vite e gjysëm. Një ndjenjë misioni dhe kuptimi mbushi dhe forcoi zemrat e tyre në të gjithë udhëtimin. Një mision, një vepër, ka sukses përderisa bëhet me një frymë dashurie, besimi të vërtetë dhe mbështetje të vërtetë vëllazërore. Çfarë është ajo që na përçan dhe na ndan? A është zbrazëtia që ekziston dhe nuk e dimë si do të plotësohet? A e kemi humbur orientimin e vërtetë në kërkimin e kuptimit të ekzistencës sonë? Në udhëtimin e 40 ditëshit të Krishtlindjeve, nga e kemi kthyer zemrën dhe mendjen tonë? A jemi të mbushur dhe të udhëhequr nga kërkimi i foshnjës hyjnore apo vendosim me vetëdije dhe pa vetëdije prioritete të tjera? A jemi në gjendje të lajmë enët në kuzhinë dhe të themi lutjen “eja Zoti Jisu” në shtëpinë tonë, në marrëdhëniet tona, në bisedat tona? Kush ka vlerë? Larja e pjatave apo thirrja e Krishtit? Gjithçka varet nga kuptimi dhe qëllimi që kam në dhe për jetën time.
Magët, sëbashku nisën udhëtimin e tyre, bashkë arritën, dhe bashkë ju falën Krishtit dhe dhuruan atë që kishin. Për shkak të yllit, dijes dhe besimit të tyre ata e kishin kuptuar se ku do të shkonin dhe Kujt do t’i faleshin. Ata ju falën personit të Krishtit, jo si një ide apo si një falje e përkohëshme dhe emocionale. Ishte një lëvizje e zemrës së tyre! Kjo zemër kishte një qëndrim drejt personit të Krishtit, falja është një rrëfim që, po, unë të besoj dhe të ndjek, do të dua atë që ti do dhe do të mendoj atë që ti mendon! Falja është një angazhim për një marrëdhënie personale me Shpëtimtarin! Zemrat e tyre kishin hapësirë të lirë për të akomoduar sa më shumë hir nga falja. Pas faljes ata u mbushën me dritën e vërtetë të yllit. Ata kishin parë dritën dhe drita i udhëhoqi! Pasi u falën dhe përkulën zemrat e tyre, drita hyri në to dhe ata u bënë yje të ndritur dhe të urtë për ne!