SI DUHET TË JETOJMË LINDJEN E KRISHTIT
Autor: Nikolla Mitropoliti i Mesogjisë
Cili është kuptimi i vërtetë i Krishtlindjeve? Si duhet ta jetojmë Lindjen e Krishtit? Mos ndoshta diçka duhet ta bëjmë ndryshe. Mos ndoshta kujdesi për festime disa herë mbulon thelbin e të kremtes?
“Perëndia u shfaq në mish”, i shkruan Apostull Pavli Timotheut (1Tim. 3.16). Perëndia bëhet njeri, jo ëngjëll apo diçka tjetër, vesh natyrën tonë, njerëzore, atë e nderon dhe e përmbilartëson. Dhe këtë gjë e bën, “që të ringrejë Adamin”, që njeriu të bëhet perëndi. Ai është destinacioni ynë. Në këtë logjikë është e integruar Kisha jonë. Me këtë realitet në sfon kuptohet edhe Krishtlindja. Shpesh për veten tonë themi në mënyrë që të justifikohemi: “eh, njeri jam edhe unë”. Sa shumë i gabuar është një mendim i tillë! Qëllimi ynë nuk është që të mbetemi njerëz, por të shartojmë pemën e egër të natyrës njerëzore, në mënyrë që të lulëzojë pema e frytshme e njeriut të krishterë, e njeriut që ka karakteristika hyjnore.
Pra, duhet që shpirti jonë të bëhet më pak i lehtë, që të ngjitemi pak më lart. Gjithmonë Kisha, kur dëshiron që të na njohë me botën shpirtërore, na nxit që të “lartësohemi hyjnisht”, të largohemi na gjendja në të cilën gjendemi dhe të ngjitemi në maja shpirtërore. Na fton që të hedhim tej disa prej peshave tona, dhe pesha të tilla janë mëkatet tona, pasionet tona, errësira e zemrës sonë. Gjatë kësaj periudhe le të shkojmë në rrëfim, jo thjesht që të themi se kështu duhet, por sepse shpirti ynë ka nevojë që të prehet mbi petrahilin e priftit dhe të rrëfejë përpara Krishtit mëkatet dhe gabimet e tij.
Të shkojmë me pendim përulësisht dhe të hapim zemrën tonë përpara Perëndisë. Të themi ato që janë të mëdha dhe skllavërojnë shpirtin tonë, ato që ne i konsiderojmë të vogla dhe si tinëzare, ato që zakonisht nuk i rrëfejmë as përpara vetes sonë, të cilat i fshehim, duke u frikësuar se mos zhgënjehemi. Të shkojmë dhe të rrëfejmë se si jetojmë, çfarë ndjejmë, mendimet që trazojnë gjendjen e shpirtit tonë, se nuk mund të tërhiqemi, se vazhdimisht gjykojmë, se ndihemi superiorë, jemi të lehtë për të gënjyer, të dobët në besim, të papastër në prirje... Përpara Perëndisë, “ballë për ballë”, gjëja e parë, që duhet të hedhim tej janë mëkatet tona.
Ekziston edhe gjëja e dytë, që duhet të largojmë, janë kujdeset (shqetësimet) tona. Mendja jonë është e mbushur me mendime shqetësuese. Vazhdimisht mendojmë gjëra të pabesueshme dhe i zmadhojmë ato sikur të mendojmë se me shumë mendim do të gjejmë edhe zgjidhjen. Nuk është kështu. Duke menduar shumë ne e humbasim zgjidhjen. Perëndia nuk afrohet prej atyre që mendojnë. Perëndia afrohet prej atyre që luten, për ata që besojnë, që prekin me zemrën e tyre mbi Të.
Për këtë arsye na kërkon që të mos jemi shqetësohemi shumë. Do të vijnë Krishtlindjet dhe kërcënimi i shqetësimeve do të jetë shumë i madh: Si do të festojmë? Çfarë do të gatuajmë? Çfarë dhurata do të blejmë? Të gjitha këto detaje duhen rregulluar një orë më parë në mënyrën më të thjeshtë, që të shmangim, duke u shqetësuar dhe kujdesur për këto, humbjen e gjërave më të mëdha. Pra, së bashku me barrën e mëkateve tona duhet të lëmë mënjanë barrën e shqetësimeve tona. “Le të largojmë prej nesh çdo kujdes për jetën”, psalim në Liturgjinë Hyjnore. Le ti lëmë pra për pak mënjanë këto gjëra, në mënyrë që të qëndrojmë tek ato më bazike dhe më të nevojshme.
Dhe një gjë e tretë, shumë e rëndësishme. Të gjithë sa mundemi, dhe të gjithë mundemi pak a shumë, të mendojmë për të afërmin tonë. Për atë që mund të mos ketë mundësi punësimi, që mund të jetë i sëmurë... Sa gjë e bukur është që të mos mjaftohemi thjesht me frazën “Eh, do ta ndihmojë Perëndia”, apo me frazën “le ta ndihmojnë të tjerë”, por nevoja e tij të kalojë nga xhepi ynë! Sa bekim i madh është të përballojmë sadopak barrën materiale të të tjerëve, nëse mundemi dhe nëse e kemi këtë mundësi! Sa gjë e bukur që në vend se të shpërdorojmë thesarin e kursimeve tona me dhuratat kozmike majtas djathtas, të ofrojmë përmes tij pak ndjesi dashurie për kauzat e shenjta, për vëllezërit tanë që kanë më tepër nevojë, në mënyrë që të bëjmë diçka edhe për shpirtin tonë.
Pra, kjo periudhë e bekuar që hapet para nesh, shpaloset si një mundësi unike për secilin prej nesh. Na mbetet vetëm të hapim sytë, si edhe disi të zgjerojmë dëgjimin për të dëgjuar mesazhet shpirtërore, që një ditë të gjendemi mendërisht në Betlehem, të gëzojmë me gjithë qenien tonë Lindjen e Krishtit, Zotit dhe Perëndisë sonë. Dhe atëherë këto Krishtlindje do të vërtetojnë se Perëndia është “me ne”, se gjendet në mesin tonë, “sepse ja mbretëria e Perëndisë tek është në mes jush” (Lluk. 17.21).