RËNDËSIA E LINDJES SË KRISHTIT PËR NJERIUN
Autori: Joan Karavidhopulos, Profesor i Teologjisë në Universiteti e Selanikut.
Përktheu Katekisti: Arbër Pandeli Zeneli
Pasazhi ungjillor i të dielës para Krishtlindjeve, shkëputur prej fillimit të Ungjillit sipas Mattheut, përfshin gjeneologjinë e lindjes trupore të Krishtit dhe në vijim ekonominë e Perëndisë për Lindjen e tij prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari. Le të kthejmë pak vëmendjen tonë drejt rëndësisë së kësaj ngjarjeje për çdo njeri.
Në një atmosferë gëzimi dhe hareje, Kisha jonë çdo vit kremton Lindjen e Krishtit dhe i këndon himne të bukura Perëndisë që u bë njeri dhe ripërtëriti natyrën e rënë njerëzore. Himnografia dhe theologjia orthodhokse vlerësojnëm rëndësinë e madhe antropologjike të mishërimit hyjnor. Dashuria e Perëndisë, që merr mish dhe kocka brenda në histori përmes personit të Jisu Krishtit shpëton njeriun nga prishja dëshpëruese dhe nga kaosi i urrejtjes shkatërruese dhe jo vetëm e çliron prej shkatërrimit të sigurt, por edhe e drejton në “bukurinë e vjetër”, e hyjnizon, sipas terminologjisë së famshme atërore.
Atë, të cilën njeriu i nënshtruar prej fuqisë demonike të prishjes dhe të mëkatit nuk mund ta arrinte kurrë, ofrohet tashmë prej Atij që lindet prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari. Pikërisht, origjina e Shpëtimtarit prej Shpirtit të Shenjtë tregon në mënyrë elokuente se shpëtimi nuk mund të vinte nga rrënojat dhe mbeturinat e njerëzimit të dënuar në mënyrë të pashmangshme me vdekje, por nga qielli, nga Shpirti i Perëndisë, nga burimi i jetës.
Ne flasim për transformimin e rëndësishëm antropologjik që nënkupton Lindja e Krishtit sikur të ishte vetëm një situatë objektive e lidhur me ne, por edhe e pavarur prej nesh, dhe harrojmë të lidhemi drejtpërdrejt dhe gjallërisht, dinamikisht dhe ekzistencialisht secili veç e veç me ngjarjen e rëndësishme të Lindjes. Ne duhet të pranojmë se në këtë dështim personal të secilit ndikon kontraditka tragjike, sipas të cilës, ndërsa Krishti lindi për të shpëtuar njeriun prej prishjes së mëkatit dhe të vdekjes, njerëzit çdo ditë prishen, shkatërrohen dhe shkatërrojnë të tjerët, ndërsa ëngjëjt psalim mesazhin e gëzueshëm se “Lindi Shpëtimtari” dhe erdhi “paqja mbi tokë”, në të njëjtën kohë, mjetet e komunikimit dhe informacionit na sjellin lajme të trishta për luftëra dhe fatkeqësi.
Lindja e Krishtit merr kuptim si një ngjarje ekzistenciale e çdo njeriu në veçantinë dhe në specifikën e tij, në problemin personal dhe në agoninë e tij, në frikën e tij nga zhdukja dhe në shpresën e tij për jetën. Nëse “dielli i drejtësisë” nuk lind brenda në shpirtin e çdo njeriu, atëherë, me pa të drejtë ai pret ndriçimin e njerëzimit në përgjithësi, nëse shpëtimi nuk bëhet ngjarje e tij personale, atëherë e pajustifikueshme do të jetë protesta e tij për mbizotërimin e përgjithshëm të urrejtjes, krimit dhe luftës dhe nëse Lindja e Krishtit mbetet thjesht një ngjarje e rëndësishme dhe e largët historike ose vetëm një festë emocionuese e Kishës dhe nuk ndodh brenda çdo njeriu, atëherë më kot do të kërkojmë rrjedhojat e dukshme të saj.
Perëndia i dashurisë dhe i paqes mishërohet brenda në histori duke e përshkuar atë me vendosmëri si një pikë referimi ndriçuese në errësirën parakristiane dhe në dritën e krishterë, në urrejtjen parakristiane dhe në dashurinë e krishterë, në një atmosferë parakristiane të “erës së vdekjes” dhe në një shpresë të krishterë të ngjalljes. Nëse jeta e njerëzve sot përmban karakteristikat parakristiane të mësipërme, shkaku nuk gjendet jashtë tyre. Lindja e Krishtit nuk nënkupton mbizotërim të detyruar të dashurisë dhe paqes, por përbën një pikënisje për dialog, një mundësi për të ndryshuar njeriun në atë mënyrë që, nëse ai dëgjon dhe përqafon mesazhin hyjnor, ai do të ndryshojë rrënjësisht. Do të pushojë së pari të afërmin e tij si armik, kundër të cilit vazhdimisht mbrohet dhe madje sulmon shumë herë për të siguruar më tej qenien e tij, por do ta shohë atë si një vëlla për të cilin, gjithashtu lindi, u kryqëzua dhe u ngjall Biri i Perëndisë.
Shumë theologë të huaj e karakterizojnë Kishën Orthodhokse si “Kisha e Ngjalljes”. Dhe është e drejtë. Por është po aq e drejtë se Etërit dhe Theologët e Kishës sonë i kthejnë vazhdimisht mendimet e tyre rreth “misterit” të mishërimit, që së pari, përbën themelin dhe epiqendrën e theologjiës së tyre, së dyti, përbën kushtin e shpëtimit të njerëzve, që do të thotë ndryshim dhe rinovimi i gjithçkaje.
Por përtej formulimeve theologjike, sigurisht të dobishme për misterin e mishërimit të Fjalës, përtej njohjes së rëndësisë së tij antropologjike dhe fuqisë rigjeneruese, përtej dhe brenda atmosferës kremtuese të himneve të bukura Kishtare, ajo që nevojitet për shfaqjen e rrjedhojave të Lindjes së Kishtit është gjunjëzimi i përulur personal i gjithë secilit përpara grazhdit, vendimi i dialogut ekzistencial me Shpëtimtarin e lindur dhe gjithmonë të pranishëm në botë.