MANIA KONSUMATORE GJATË KRISHTLINDJES
Krishtlindje! Një fjalë që lidhet me shumë kuptime. Lidhet me gëzimin, me familjen, argëtimin, kosumizmin, ose e thënë ndryshe gëzimin material. Shumica nga ne, e dimë se Dhejtori, është muaji me më shumë shpenzime në vit. Dhurata për të gjithë miqtë, dhurata për të afërmit, dhurata për veten tonë. Por, pse e kemi lidhur lindjen e Krishtit me maninë konsumatore? Pse gjejmë gëzim tek mbikonsumizmi?
Një faktor i rëndësishëm që na shtyn të besojmë se jemi të lumtur nëse konsumojmë të mira materiale, janë mekanizmat e reklamimit, të cilët formësojnë nevojat për konsum. Komercializimi i shën Vasilit ose shën Nikollës, të cilët gjenden në të gjitha reklamat e Krishtlindjeve, me anën e të cilëve kompanitë reklamuese kërkojnë fitim, bazuar në personalitetin e tyre, është një shembull tipik. Reklamat e Jumbo janë një shembull tjetër, me shpikjen e tyre të re, pra vendosjen e një kënge popullore greke (shih reklamën me anije) që ngarkon emocionalisht shikuesin, krijon një klimë çorientimi dhe sigurisht reklama bëhet drejtpërdrejt e njohur për publikun!
Gjithashtu, reklamat e Krishtlindjeve krijojnë nevoja imagjinare, pra sikur është e nevojshme të blini dhurata gjatë festave të fundvitit. "Çfarë dhurate do t'i bëni partnerit tuaj këtë Krishtlindje?" Kështu, humbasim vlerën e dhuratës, e cila nga emocionale shndërrohet drejtpërdrejt në materiale. Rëndësia e ofrimit vetëmohues humbet plotësisht.
Lumturia materiale është mënyra se si kënaqemi, ndjejmë se po e pushtojmë lumturinë, e cila është padyshim e menjëhershme dhe sipërfaqësore. Në fakt, në kohë festash, e sidomos në Krishtlindje dhe Vitin e Ri, kur ka ritme të larta konsumi dhe mbizotëron materializmi, priremi të kthehemi në konsumatorë të besueshëm dhe të shpejtë.
Me fjalë të tjera, konsumi mbulohet nën vellon e një akti simbolik dashurie, por edhe të një kënaqësie emocionale të “dhuruesit”. Sipas psikologëve, personi që vuan nga mania konsumatore, gabimisht përpiqet të përcaktojë lumturinë e tij personale përmes saj, duke kërkuar identitetin social të prejardhur nga objektet. Çdo treg i ri në imagjinatën e individit funksionon si një lehtësim kundër situatave stresuese të jetës së përditshme. Obsesioni dhe varësia që ai fiton përfundimisht i jep atij një plotësi të përkohshme dhe kështu ndiqet përsëri i njëjti rreth vicioz, në të cilin personi nuk është kurrë i lumtur. Konsumizmi festiv përkthehet si një nevojë urgjente për të ndjekur rrymën e shoqërisë konsumatore dhe si një nevojë për të kënaqur ndjenjat e kënaqësisë.
Gjëja më e rëndësishme nga të gjitha, është të mos humbasim kuptimin e Krishtlindjeve. Mos të lidhim lumturinë me materializmin e shfrenuar. Lumturia qëndron në gjëra të thjeshta. Tek miqtë, familja, tek ndarja e gjërave me të tjerët, tek ndihma e ndërsjelltë, domethënë tek vlerat e vërteta të Krishtlindjeve. Themi Krishtlindje, pra lindje e Krishtit, por në fakt tashmë kemi triptikun e festës së mbikonsumimit, gëzimit virtual dhe komercializimit…
PARADOKSI I KRISHTLINDJEVE
Fakti se Krishtlindjet përbëjnë një periudhë shpirtërore për botën e krishterë dhe në të njëjton kohë ato shndërrohet në një festë konsumatore, është i lidhur me atë që Pimlott (1962) e quan “Paradoksi i Krishtlindjeve”.
Tensioni rritet çdo Krishtlindje, ku materializmi dhe konsumizmi i ushqyer nga sezoni i festave përplasen me vlerat jomateriale dhe shpirtërore që teologjia e krishterë kërkon të ruajë. Disa prej mëkateve të vdekshme që kisha pretendon se janë veçantërisht të rënda, pasi mund të privojnë hirin hyjnor dhe të çojnë në dënim të përjetshëm shpirtin njerëzor, praktikohen gjatë sezonit festive, këto mëkate janë lakmia, epshi, xhelozia, etj. (Louden, 1985). Ky paradoks nuk është një fenomen që gjendet vetëm në SHBA apo edhe i kufizuar në sezonin e Krishtlindjeve. Por Shtetet e Bashkuara kanë futur simbolikën e Santa Claus-it si udhëheqës i festimeve, kryesisht për shkak të futjes së traditave evropiane nga mërgimtarët në të kaluarën dhe eksportimit të kulturës pop në të tashmen. Rezultati është interpretimi i konsumizmit si një besim se zotërimi është burimi më i rëndësishëm i kënaqësisë në jetë (Belk, 1985).
Krishtlindjet, dikur të ndaluara në disa koloni amerikane dhe madje janë të ndaluara në disa vende deri më sot, janë bërë një ngjarje mbarëbotërore në muajin dhjetor. Janë të pakta festat që ndryshojnë veprimtarinë e popullit po aq sa Krishtlindjet. Zyrat mbyllen, njerëzit udhëtojnë ose për të marrë pjesë në bashkime familjare ose për pushime në një vend tjetër, miliarda po shpenzohen për dhurata dhe rreshta të pafund llambash po varen nëpër shtëpi dhe sheshe ndërsa kishat janë plot. Shumë tema janë të përziera gjatë sezonit festiv (Hirschman and LaBarbera, 1989).
Fillimisht kremtohet Lindja e Krishtit, i cili predikonte për dashurinë dhe kundër materializmit. Në të njëjtën kohë, Krishtlindjet përfshijnë rinovimin e lidhjeve familjare dhe përfshirjen në dekorime, këngë dhe vakte të përzemërta dhe të pasura. Megjithatë, materializmi në këtë periudhë është bërë dominues me simbolin e figurës së Santa Claus, si një simbolikë kozmike e Jisuit që predikon bollëkun material (Belk, 1993). Për ekonominë amerikane, Krishtlindjet janë një element kyç, pasi 1/6 e shitjeve me pakicë konsumohen gjatë kësaj periudhe (Carrier, 1993). Shpenzohet mesatarisht rreth 800 dollarë për dhuratat e Krishtlindjeve, me shumë konsumatorë që humbasin përllogaritjet ekonomike të tyre dhe janë në borxhe për 6 muajt e ardhshëm si rezultat i këtij shpenzimi. (Center for a New American Dream, n.d.).
Pavarësisht nga vendi i spikatur që zënë Krishtlindjet në jetën tonë, ka relativisht pak kërkime empirike rreth kësaj periudhe. Hulumtimi i konsumatorëve ofron analiza interesante rreth miteve, filmave dhe mesazheve mediatike (Belk, 1989, 1993), Sociologjia ofroi materiale kërkimore rreth ritualit të dhuratës (Caplow, 1982, 1984) dhe antropologjia rreth mesazheve të ndryshme të festave në kultura të ndryshme (Miller, 1993). Në fushën e Psikologjisë, kërkimet janë fokusuar më shumë në pranimet psikiatrike (Velamoor et al., 1999) dhe rritja e shkallës së vetëvrasjeve gjatë sezonit të festave (Jessen and Jensen, 1999).
Por si mund ta luftojmë praktikisht lidhjen tonë me të mirat materiale?
Kultura moderne "materiale" dhe standardet që ajo promovon e mashtrojnë njeriun në një këndvështrim materialist të jetës, duke margjinalizuar qëllimin e vërtetë që çdo njeru duhet të vendosë dhe që nuk është gjë tjetër veçse shpëtimi i shpirtit të tij nëpërmjet besimit në Zotin Jisu Krisht .
Që njeriu të shpëtojë nga modelet materialiste-konsumuese të sotme, të cilat nxisin edhe pasionet shkatërruese të ambicies, lakmisë, zilisë dhe së keqes, ai ka nevojë për zgjim dhe mbrojtje shpirtërore. Përpjekja për të fituar pasuri shpirtërore është e pëlqyeshme për Perëndinë duke pasur parasysh atë që ne depozitojmë në bankën qiellore. Kundër mendjes materialiste dhe kozmike duhet të vendosim spiritualitetin ortodoks, i cili flet për pastrim, ndriçim dhe hyjnizim. Në vend të së keqes të përpiqemi të vendosim virtytin, në vend të të kaluarit mirë të vendosim ushtrime dhe vetpërmbajtje, në vend të pasurisë të vendosim varfërinë.
Na ndihmon mendimi se shpirti i paprishshëm i njeriut vlen më shumë se çdo e mirë materiale e prishshme e kësaj bote. Gjërat e botës (pasuria, lavdia, bukuria, etj.) janë të përkohëshme dhe të kota. Thesari më i madh është Mbretëria e Qiejve. Për këtë arsye lufta e përditëshme e njeriut duhet të orientohet se si mund ta trashëgojë këtë thesar të pavdekshëm.
Por si mund ta luftojmë praktikisht lidhjen tonë me të mirat materiale?
- Nevojten disa ushtrime shpirtërore të përditëshme, të cilat do të bëhen rregullisht dhe në mënyrë të qëndrueshme. Këto ushtrime janë kreshma dhe vetëpërmbajtja, domethënë ushtrimi i trupit me privime të vogla nga ushqimi dhe kënaqësitë materiale.
- Të përpiqemi çdo ditë që t’i kushtojmë sa më pak kohë të jetë e mundur në zbukurimin e trupit, më pak kohë para pasqyrës. Madje edhe stërvitja e trupit duhet të bëhet me moderim dhe në radhë të parë për arsye shëndetësore.
- Të mjaftohemi me ato që kemi dhe me ato që janë të domosdoshme për jetën tonë (rrobat, ushqimet, etj.).
- Të shmangim “xhirot” e shpeshta nëpër tregje dhe vitrina, që të ruajmë kështu sytë tanë prej dëshirave për gjëra të reja.
- Të duam lëmoshën që bëhet prej kursimeve tona.
- Të studiojmë Shkrimet e Shenjta (p.sh., mundet dikush të gjejë përgjigje në parabolën e të pasurit të pamend dhe në parabolën e të riut të pasur).
- Përfundimisht, të gjitha ushtrimet duhet të lidhen me lutjen që të marrim Hirin e Perëndisë dhe fuqinë që të qëndrojmë përballë tundimeve të ndryshme të botës.
Njeriu është krijuar për shenjtëri dhe përjetësi. Ata që ngrohen nga shpresa e të mirave të përjetshme, çlirohen nga gjërat e kësaj bote. Dhe sa më shumë njeriu largohet nga gjërat e botës, aq më shumë i afrohet Perëndisë. (Ava Isaak Siriani).