E Premtja e Madhe në Kishën Orthodhokse
Komente mbi çështjet kryesore
Shkrimet na sigurojnë se “vdekjen nuk e bëri Perëndia, as gëzohet me zhdukjen e të gjallëve. Perëndia krijoi gjithçka, që të ekzistojë... por nga zilia e djallit vdekja hyri në botë (Urtësia e Sol. 1.13-14, 2.24). I njëjti shkrimtar i frymëzuar nga Perëndia shkruan gjithashtu “Perëndia krijoi njeriun për jetën e paprishur, e krijoi në përputhje me ikonën e Tij, ikonën e Perëndisë së përjetshëm... Por mosrrespektuesit me veprat dhe fjalët e tyre shkaktojnë vdekjen” (Urtësia e Sol. 2.23, 1.16).
Vdekja është neveri, padenjësia e fundit, armiku i fundit. Nuk vjen nga Perëndia, por nga njerëzit. Vdekja është fryt natyral i Adamit të vjetër, i cili u tjetërsua nga burimi i jetës dhe bëri vdekjen një fat botëror. “Përmes një njeriu hyri në botë mëkati dhe përmes mëkatit vdekja, kështu u shpërnda tek të gjithë njerëzit” (Rom. 5.12).
Dita e vdekjes së Krishtit është dita e mëkatit. Mëkati, i cili ndoti krijesën e Perëndisë që nga agimi i historisë, duke arriti kulmin në kodrën e Golgotës. Aty mëkati dhe e keqja, shkatërrimi dhe vdekja treguan aftësitë e tyre. Njerëz mosrrespektues e gozhduan në Kryq, që ta shkatërronin. Sidoqoftë, vdekja e dënoi në mënyrë të pakthyeshme botën e rënë, duke zbuluar natyrën reale dhe jonormale të saj.
Tek Krishti, Adami i ri, nuk ekziston mëkati. Dhe si pasojë nuk ekziston as edhe vdekja. Pranoi vdekjen, sepse mori pjesë plotësisht në tragjedinë e jetës sonë. Zgjodhi që të zbrazë jetën tek vdekja, në mënyrë që të shkatërrojë dhe të mundë dominimin e vdekjes. Vdekja e Tij është zbulesa e fundit dhe bazike e bindje dhe dashurisë së Tij të përsosur. Pësoi për ne dhimbjen e frikëshme të vetmisë së plotë –“Perëndia imi, Perëndia im, pse më braktise!” (Mark. 15.34). Më pas, pranoi vdekjen me ulërimën e agonisë, “Mbaroi” (Joan. 19.30). Ulërima e Tij njëkohësisht ishte një tregues që vetë Ai e kishte vdekjen e Tij nën kontroll dhe që vepra e Tij e shpëtimit ishte përmbushur, mbaroi. Çfarë çudie! Ndërsa vdekja jonë është një mungesë ekstreme e plotësisë, vdekja e Tij është një plotësi e përmbushur.
Jisui nuk erdhi, që të takojë vdekjen me teoritë filozofike të shumta, fjalët boshe ose shpresa të paqarta. U ndesh me vdekjen ballë për ballë. Theu prangat e hekurta të armikut fillestar, me anën e vdekjes dhe të rikthimit në jetë. Hodhi tutje errësirën shtypëse të tij dhe hijet e ashpra të tij duke depërtuar në avushën e pafundme të hadit. Shembi fortesën e vdekjes dhe drejtoi robërit e saj në hapjen e pakufizuar të jetës së vërtetë.
Para disa mijëvjeçarësh Jobi, një njeri i drejtë, që pësoi një mjerim të patreguar, bëri këtë pyetje: “Nëse dikush vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Job. 14.14). Kaluan shumë vite, derisa kjo pyetje të marrë një përgjigje autoritare. Shumë sollën teori, por askush nuk foli me pushtet. Përgjigja erdhi nga Ai që qëndroi pranë trupave të dy të rinjve –bija e Jairit dhe biri i vejushës- dhe i ngjalli prej së vdekurish (Lluk. 8.41 dhe 7.11). Përgjigja erdhi nga Ai, që i’u afrua varrit të mikut të Tij Llazar dhe e thirri nga vdekja në jetë (Joan. 11). Përgjigja erdhi nga Jisui, i cili vetë u kryqëzua dhe u ngjall pas tre ditësh.
Dita e vdekjes së Krishtit është dita e vërtetë e lindjes.
“Brenda misterit të vdekjes dhe ngjalles së Krishtit, vdekja merr një vlerë pozitive. Edhe nëse vijon që të veprojë edhe si vdekje fizike dhe biologjike, nuk është më stacion i fundit në një rrugëtim të gjatë dhe shkatërrues. Është bërë një derë e domosdoshme, siç gjithashtu edhe shenja e sigurt e Pashkës sonë përfundimtare, të kalimit tonë nga vdekja në jetë”.
Nga fillimi Kisha kremton çdo vit tre ditë vendimtare të historisë së shenjtë, dmth., të Premten e Madhe, të Shtunën e Madhe dhe Pashkën. Të Premten dhe të Shtunën e Madhe i konsideronin gjithmonë, që nga kohët e para të krishtera, si ditë hidhërimi të thellë dhe kreshme të rreptë.
E Premtja dhe e Shtuna e Madhe tërheqin vëmendjen tonë drejt gjyqit, kryqëzimit, vdekjes dhe varrimit të Krishtit. Marrim pjesë brenda misterit të frikshëm të përulësisë së skajshme të Perëndisë tonë që pëson. Për këtë arsye këto ditë janë njëkohësisht edhe ditë të hidhërimit të madh dhe të vigjilencës. Krijuesi i jetës po e kthen vdekjen në jetë. “Ejani të shikojmë jetën, që dergjet në varrin, për të ngjallur të vdekurit” (Lavdërim i Mëngjesores së të Shtunës së Madhe).
Liturgjikisht, ngjarja e thellë dhe e tmerrshme e vdekjes trupore dhe e varrimit të Perëndisë lidhet me një lloj të veçantë heshtjeje, dmth., me mungesën e kryerjes së Falenderimit Hyjnor. E Premtja dhe e Shtuna e Madhe janë të vetmet ditë të vitit, gjatë të cilave nuk thirret mbledhja falenderuese. Sidoqoftë, para shekullit të XII gjatë të Premtes së Madhe kryhej Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara.
Qëllimi i të Premtes së Madhe është pësimi, vdekja dhe varrimi i Zotit Jisu Krisht. Sinaksari në Triod shkruan këto: “Të Premten e Madhe dhe të shenjtë kujtojmë pësimet e frikshme dhe shpëtuese të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, pështymat, shuplakat, rrahjet, sharjet, përqeshjet, rrobën e kuqe, kallamin, sfungjerin, uthullën, peronat, shtizën, dhe përmbi të gjitha Kryqin dhe vdekjen, të cilat i duroi për ne duke dashur”. Duke qenë se pësimi i Zotit është theksuar në këtë mënyrë, shërbesa e Mëngjesores së të Premtes së Madhe nëpër librat liturgjikë, shpesh paraqitet si “Shërbesa e Pësimeve të Shenjta”. Himnet e kësaj shërbese të veçantë janë të frymëzuara, të pasura dhe të forta.
Shërbesat e shenjta të së Premtes së Madhe me pasurinë e leximeve të shumta nga Shkrimi i Shenjtë, himnografia e mrekullueshme dhe veprimtaria intensive liturgjike tregon qartë pësimin e Krishtit dhe rëndësinë e tij në botë. Himnet, që janë në Mëngjesore, Orët dhe Mbrëmësore, na ndihmojnë që të shikojmë se si Kisha kupton edhe kremton misterin e frikshëm të pësimit dhe vdekjes së Krishtit.
“Sot varet mbi dru Ai që vari dheun mbi ujëra. Kurorë prej gjëmbash i vihet rreth kryes Mbretit të ëngjëjve. Me purpur të gënjeshtërt vishet Ai që veshi qiellin me re. Shuplakë dënjoi Ai që çliroi Adamin në Jordan. Me gozhdë u mbërthye Dhëndëri i Kishës. Me shtizë u shpua i Biri i Virgjëreshës. U falemi Pësimeve të tua o Krisht. Rrëfena dhe Ngjalljen tënde të lavdëruar”.
(Antifoni i XV-të)
“Kur të mbërthyen të paligjët në Kryq Ty, Zotin e lavdisë, u thërrisje: Me se ju trishtova? A me se ju zemërova? Para meje cili ju shpëtoi prej hidhërimit? Dhe tani si ma shpaguani? Me të këqija për të mirat, për shtyllën e zjarrit më mbërthyet në Kryq, për renë më rrëmuat varrin, për manën më blatuat vrer, për ujin më vaditët me uthull. Prandaj pra, dhe unë thërres kombet dhe ato do t’më lavdërojnë me Atin e me Shpirtin e Shenjtë”.
(Ora e IX)
“Një mister i trembshëm dhe i çuditshëm shikohet që po ngjan sot. Zihet i paprekuri; lidhet ai që zgjidh Adamin prej mallkimit; ai që provon zemra dhe veshka, provohet padrejtësisht; mbyllet në burg Ai që mbylli avushën; qëndron përpara Pilatit Ai, përpara të Cilit qëndrojnë me frikë fuqitë e qiejve; pret shuplaka prej dore të krijuar Krijuesi; dënohet me kryq Ai që gjykon të gjallët dhe të vdekurit; mbyllet në varr Rrëmuesi i Ferrit. O Zot që duron të keqen, që i duron të gjitha nga dhembshuria dhe i shpëtove të gjithë prej mallkimit, lavdi më Ty”.
(Thirrtore e Mbrëmësores)
“Vdiqe, dhe në varrin trupërisht, duke dashur vetë u mbylle, o Perëndi edhe Zot, Ti i papërshkruari, i pacaktuari, mbretërinë e demonëve, e zbraze e mbylle, gjithë të burgosurve, u fale dritë e liri, edhe në këtë javë të madhe, na ke vlerësuar të gjithë, për lavdinë e mbretërisë së qiellit”.
(Pasvarg i Mbrëmësores)