E Shtuna e Madhe dhe e Shenjtë në Kishën Orthodhokse
Komente mbi çështjet kryesore
Himnografi i Kishës e përshkruan misterin me këto fjalë:
“Sot përmban varri atë që përmban krijesën në grusht; guri mbulon atë që mbuloi qiejt me virtyte; fle jeta, dhe Ferri dridhet, dhe Adami zgjidhet, nga vargonjtë. Lavdi ekonomisë sate, me të cilën mbarove sabatizmën e amshuar dhe na dhurove Ngjalljen tënde prej së vdekurish të përmbishenjtë”.
“Ejani të shikojmë jetën tonë, të shtrirë në varr për të ngjallur të shtrirët ndër varre. Ejani, duke parë sot stërnipin e Judës të fjetur, t’i thërresim profetisht: U shtrive dhe fjete si luan. Kush do të të ngrejë, o Mbret? Po ngjallu me pushtetin tënd Ti që dhe veten tënde për ne vullnetarisht. O Zot, lavdi më Ty”.
(Himne të Lavdërimeve)
Të Shtunën e Madhe përqëndrohemi tek Varri i Krishtit. Nuk bëhet fjalë për një varr të zakonshëm. Nuk është një vend prishjeje dhe humbjeje. Është vend jetëdhënës, burim fitoreje të fuqishme dhe çlirimi.
“O varr i lumur! Prite në zemrën dhe gjirin tënd, si të vdekur Krishtin Shpëtimtar, që është thesar, i të gjitha jetëve, që të shpëtohemi ne që i këndojmë: Shpëtimtar, Perëndi je i bekuar”.
“Vdekjen e zezë, brenda në varr e ngjërove sot, kur Jetë e botës je, gatite për ne ngjalljen prej së vdekurish, që të shpëtohemi ne që i këndojmë: Shpëtimtar, Perëndi je i bekuar”.
(Himne të Odës së VII)
E Shtuna e Madhe është dita ndërmjet vdekjes dhe ngjalljes së Jisuit. Është dita e pritjes vigjilente, gjatë së cilës vajtimi kthehet në gëzim. Dita përfshin konceptin e “gëzimit dhe trishtimit”, koncept, i cili mbizotëron në të gjitha shërbesat e Javës së Madhe. Himnografi i Kishës depërton në thellësi të misterit dhe na ndihmon që ta kuptojmë atë me këtë dialog, që bëhet mes Jisuit dhe Nënës së Tij:
“Mos më vajto ti moj nënë, kur më sheh të varrosur, Birin e dashur, që ke lindur virgjërisht, se do të ngrihem prapë dhe do të lavdërohem, dhe do t’i lartësoj si Perëndi, ata që më madhështojnë besërisht”.
“Kur të kam lindur pa dhimbje, Bir i bashkëpanisshëm, jam lumëruar mbi çdo grua përmbi dhe; po kur të shoh të vdekur, o Zot dhe Bir i dashur, nga shpata e helmit çirrem tmerrësisht; po ngrihu prapë dhe më madhështo”.
“Zbrita në varr duke dashur, dhe u drodhën demonët, kur më panë të mbuluar plot gjak, po do t’i shtroj armiqtë, do t’i godas me Kryqin, dhe do t’i dërrmoj si Perëndi, dhe ngrihem prapë të madhështoj”.
“Le të ngazëllohet krijesa, le të dëfrejnë të gjithë dhelindurit, se hadi armik u turpërua; gratë le të më dalin përpara me miro; shpërblej Adamin dhe Evën me gjithë gjindjen e tyre, dhe ditën e tretë do të ngjallem”.
(Kënga IX e Kanonit)
E Shtuna e Madhe është dita e prehjes. Krishti të shtunën prehet brenda në varr. Por, prehja e Tij, nuk është mosveprim, por përmbushje e vullnetit hyjnor dhe planit për shpëtimin e njeriut edhe botës. Ai, i cili nga mosekzistenca i dha ekzistencë gjithçkaje, i restauron të gjitha. Restaurimi i botës u plotësua njëherë e përgjithmonë. Me trupëzimin e Tij, jetën edhe vdekjen e Tij, Krishti i përmbushi të gjitha me prezencën e Tij. Hapi rrugën e ngjalljes për çdo natyrë njerëzore, përderisa krijuesi i jetës e ka të pamundur t’i nënshtrohet prishjes.
“Moisiu parashihte ditën e sotme mistikërisht, duke thënë: Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë. Se kjo është e Shtuna e bekuar; kjo është dita e pushimit, në të cilën pushoi gjithë punët e tij Biri i vetëmlindur i Perëndisë, duke sabatisur trupërisht me ekonominë e vdekjes; dhe duke u bërë përsëri siç ishte me anën e ngjalljes, na dhuroi jetën e amshuar, si i vetëm i mirë dhe njeridashës”.
(Himn i Lavdërimeve)
Ap. Pavli na thotë se “Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij” (2Kor. 5.19). Atëherë, jeta e përjetëshme dhe e vërtetë hyri në thellësitë e Hadit. Krishti, që është jeta e të gjithëve, mundi vdekjen me vdekjen e Tij. Ai është arsyeja që Kisha psal në mënyrë harmonike “U mbushën të gjitha me dritë tani, qielli e dheu dhe të nëndheshmet” (Kanoni i Pashkës). Kisha njeh veten e saj si “vendin, realitetin e përjetshëm, kur prezenca e Krishtit dërrmon Satanain, hadin dhe vdekjen”.
Shërbesa e të Shtunës së Madhe na ndihmon që të kujtojmë dhe të festojmë të vërtetën e madhe që “me gjithë peripecitë e përditshme dhe kontradiktat e historisë dhe prezencës së vazhdueshme të ferrit brenda zemrës njerëzore dhe në shoqërinë njerëzore, jeta u çlirua! Krishti shfuqizoi fuqinë e vdekjes.
Vdekja e Krishtit është mrekullia më e madhe, por edhe shfaqja vendimtare e dashurisë së pafundme të Perëndisë për të gjithë krijesën. Nuk ishte vetëm njeriu ai që vdiq. Ai, që gjendej në varr, nuk ishte tjetër përveçse Biri i përjetshëm dhe i pavdekshëm dhe Fjala e Perëndisë, “duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit, edhe duke u gjendur me pamje si njeri, e përuli veten e tij, duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe vdekje kryqi” (Filip. 2. 7-8). Pashka nuk është ndonjë lidhje me romantizmin dhe sentimentalizmin. Dikush thotë: “Pashka nuk lidhet me kthimin e gushkuqit në pranverë, me lulet që lulëzojnë ose me marrëzira të ndryshme idhujtare. Bëhet fjalë për një Trup, i cili sipas një mënyre u shpërbë. Ungjilli e ka të vështirë të përshkruajë se çfarë ndodh, por le të mos bëjmë asnjë gabim në lidhje me këtë, mundohet që të përshkruajë diçka të mbinatyrshme: vdekjen duke funksionuar mbrapsht. Kështu nuk mund të flas për “rilindjen e përjetëshme të shpresës” ose për “Jisuin që jeton në zemrat tona”. Flasim për një Jude të vdekur, të kryqëzuar, që u kthye mbrapa në jetë... Për Perëndinë flasim këtu, Perëndinë e vërtetë, njerëzit e mi, jo për një projeksion të egos sonë”.
Nuk është pa kuptim fakti që ikona e Ngjalljes në Kishën tonë është “zbritja në Had”, në vendin e të vdekurve. Ikona tregon një Krisht triumfues, të rrethuar me lavdi, të shkelë mbi vdekjen, të mbajë në duartë e Tij Adamin edhe Evën dhe t’i tërheqë nga humnera e ferrit. Ikona shpreh gjallërisht të vërtetën, që rezulton nga fitorja e Krishtit mbi vdekjen, me vdekjen e Tij dhe ngjalljen.