Pashka e Madhe dhe e Shenjtë në Kishën Orthodhokse
Komente mbi çështjet kryesore
Java e Madhe mbaron me perëndimin e të Shtunës së Madhe, Kisha përgatitet që të kremtojë të kremten e saj më të vjetër dhe më të spikatur, Pashkën, të kremten e të kremteve. Koha e parapërgatitjes drejton drejt kohës së përmbushjes. Drita e ndritshme dhe e lavdishme, që buron nga varri i boshatisur largon errësirën. Krishti, i ngjallur nga të vdekurit, prish kështjellën e vdekjes dhe “robëron robërinë” (Psalm. 67.19). Të gjitha cepat e krijesës sonë u bënë thërrime. Vdekja u mund dhe jeta e u çlirua. “Sepse, siç vdekja erdhi në botë nga një njeri, kështu edhe ngjallja prej të vdekurve vjen nga një njeri. Siç të gjithë vdesin për shkak të lidhjes me Adamin, kështu, për hir të lidhjes me Krishtin, të gjithë do të rimarrin jetë” (1Kor. 15.21-22). Pashka është agimi i një dite të re të paperënduar. Ngjallja përbën çlirimin më rrënjësor dhe vendimtar të gjinisë njerëzore.
Ngjallja e Jisu Krishtit është e vërtetë themelore dhe një ngjarje absolute e besimit të krishterë. Është përvoja qëndrore dhe predikimi themelor i Kishës. Vërteton autenticitetin e jetës së Krishtit në tokë dhe drejtëson të vërtetën e mësimit të Tij. Vulos të gjithë veprën e Tij çliruese: jetën e Tij, shembullin e një jete të shenjtë, mësimin e Tij të vetëm, veprat e Tij mahnitëse, dhe vdekjen e Tij të frikëshme dhe jetëdhënëse. Ngjallja e Krishtit është garancia e shpëtimit tonë. Bashkë me ngjitjen e Tij drejton në bashkimin e përsosur të Perëndisë me ne për gjithë përjetësinë.
Ngjallja bëri të fuqishme mrekullinë e Kishës, e cila në çdo kohë dhe brez proklamon dhe siguron “planin e Perëndisë për botën, hyjnizimin përfundimtar të njeriut dhe të botës së krijuar”. Përvoja e thellë nga Zoti i ngjallur dhe besimi i palëkundur tek Ai nxiti Apostujt që të predikojnë Ungjillin në botë dhe fuqizoi Kishën që të triumfojë kundër idhujtarisë. Ngjallja zbulon fuqinë e pashkatërrueshme dhe diturinë e Perëndisë. Përjashton mitet mashtruese, me të cilat njerëzit, të privuar nga dija hyjnore, vuajnë që të vërtetojnë kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së tyre. Krishti, i ngjallur dhe i lavdëruar, çliron njerëzimin nga halucinacionet e idhujtarisë. Tek Krishti, njerëzimi, i lidhur në varr, zbulon dhe mbushet nga shpresa e pakrahasueshme. Ngjallja fal ndriçim, i jep shpirtrave energji, kërkon falje, shndërron jetë, krijon shenjtor dhe jep gëzim.
Ngjallja “prezanton një moment vendimtar në ekzistencën njerëzore”. Një person historik mundi vdekjen (1Kor. 15.21-22). Restaurimi dinamik dhe përmbushja e ekzistencës njerëzore u krye për gjithmonë. Shën Joan Damaskini thotë, “Edhe pse Krishti vdiq si njeri dhe shpirti i Tij i shenjtë u nda nga trupi i Tij i tërëmirë, hyjnia vazhdoi që të mbetej edhe në shpirt edhe në trup, pa u ndarë as nga njëri as edhe nga tjetri”. Duke zhvilluar këtë ide atë Florofski thekson se vdekja e Krishtit “ishte një vdekje brenda hipostazës së Fjalës, vdekja e natyrës njerëzore “enhipostazis”. Vdekja, në përgjithësi, është një ndarje, dhe në vdekjen e Zotit tonë, trupi dhe shpirti i Tij i çmuar u ndanë realisht. Por një hipostazë e Fjalës së Mishëruar nuk u nda, “bashkimi hipostazik” nuk u nda dhe nuk u shfuqizua. Me fjalë të tjera, megjithëse në vdekje ishin të ndara, shpirti dhe trupi mbetën akoma të bashkuara me hyjninë e Fjalës, nga e cila asnjë nga të dyja nuk ishte tjetërsuar. Kjo nuk diferencon karakterin ontologjik të vdekjes, por ndryshon kuptimin e saj. Kjo ishte një vdekje “indiferente”. Trupi i Krishtit nuk pëson prishje, siç ndodh me trupat tanë në vdekje. Trupi i Tij nuk u bë kurrë një kufomë. Prishja dhe vdekja u mposhtën nga trupi i Tij, me fuqinë e bashkimit hipostazik, që është burimi i Ngjalljes. Kështu vdekja e të Trupëzuarit zbulon ngjalljen e natyrës njerëzore.
Ngjallja nuk ka hequr akoma realitetin e vdekjes. Por zbuloi dobësinë e saj (Heb. 2.14-15). Vazhdojmë të vdesim, si pasojë e rënies. “Perëndia lejon vdekjen që të ekzistojë, por e kthen kundër prishjes dhe mëkatit dhe i vendos kufij si prishjes ashtu edhe mëkatit”, shkruan Panajot Nela. Kështu, vdekja natyrale nuk e shkatërron jetën tonë nga komunikimi me Perëndinë. Më saktë, lëvizim nga vdekja në jetë. Nga bota e rënë në Mbretërinë e Perëndisë.
Vdekja ndërpret dhe t’kurr fillimin themelor të njeriut, i cili u krijua nga Perëndia si “një organizëm psikosomatik nga dy elemente, shpirti dhe trupi”. Duke ndjekur shembullin e Etërve Grekë, atë Klapsi e quan vdekjen “deformim përfundimtar dhe ontologjik të natyrës njerëzore”.
Sipas atë Florofskut, “Një njeri i vdekur nuk është njeri i plotë. Një trup pa shpirt është një kufomë dhe një shpirt pa trup është një fantazmë. Njeriu nuk është fantazmë pa trup dhe kufoma nuk lidhet me njeriun... Për këtë arsye ndarja e shpirtit dhe e trupit është vdekje e njeriut, ndërprerje e ekzistencës së tij, të ekzistencës së tij si njeri. Prandaj, vdekja dhe prishja e trupit është një lloj rënie e “ikonës së Perëndisë” tek njeriu”. Sidoqoftë këtu zbulojmë kuptimin e ngjalljes së Krishtit, si shfuqizim të Hadit dhe konsolidim i natyrës njerëzore.
Hadi, “vendi ku dominon prishja dhe hidhërimi”, u zerua me ngjalljen e Krishtit. Tek Krishti “e gjithë natyra njerëzore u shërua plotësisht nga prishja dhe vdekshmëria. Ky restaurim do të aktivizohet dhe do të zbulohet plotësisht gjatë ngjalljes së përbashkët, ngjalljes së të gjithëve”. Krishti ka shëruar ndarjen tonë të tmerrshme dhe papërsosmërinë tonë tragjike. “Shpërbëhemi për një periudhë të vogël kohore, në përputhje me natyrën e vdekshme të trupave tanë. Si farërat, që mbillen në tokë, nuk humbasim, por të mbjellë në tokë do të ngjallemi përsëri, pasi vdekja u zerua me hirin e Çliruesit” thotë Shën Athanasi. Çdo vdekje, dmth., çdo ndarje e shpirtit nga trupi, çdo çtrupëzim është i përkohshëm, pasi të gjithë do të ngjallemi. Për këtë arsye, vdekja nuk është më një humbje. Vdekja e trupit bëhet një gjumë dhe vetë vdekja bëhet portë e jetës. Në Krisht, jeta e trupit shndërrohet vazhdimisht në jetë të shpirtit. Dhe kjo jetë nuk njeh as kufij edhe as zvogëlim. Shpirti i Shenjtë mbjell farën e pavdekësisë në trupat tanë dhe rigjeneron shpirtat tanë përditë. (2Kor. 5.1-5).
Himnet e së kremtes bëjnë fjalë për çlirimin tonë nga forcat shkatërruese të së keqes dhe nga vdekja. Tropari i mëposhtëm është një shembull i tillë:
“Sot hadi duke rënkuar thërret: M’u shkatërrua pushteti; Bariu u kryqëzua dhe ngjalli Adamin; i humba ata mbi të cilët mbretëroja, dhe sa munda t’i përpij të gjitha i volla; i zbrazi varret i Kryqëzuari; nuk ka fuqi pushteti i vdekjes. Lavdi, o Zot, Kryqit tënd dhe Ngjalljes sate”.
(Mbrëmësorja e së Shtunës së Madhe)
Krishti është bërë “vendi i të gjallëve” për ata, që besojnë tek emri i Tij dhe gjenden qoftë nga njëra anë qoftë edhe nga ana tjetër e vdekjes. Të gjallët dhe të vdekurit “përbëjnë një trup dhe me të njëjtën lutje bashkohen në një para fronit të Zotit të lavdisë. Përvoja nga ky bashkim, përgjatë gjithë kohërave, zbulohet dhe vuloset në të gjithë ciklin e adhurimit... Krishti mbretëron po ashtu edhe në Kishë, -ndërmjet atyre që u larguan dhe ndërmjet të gjallëve, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por Perëndi i të gjallëve”.
Marrim pjesë dhe përjetojmë ngjalljen e Krishtit me dy mënyra. Së pari, është burim për rigjenerimin shpirtëror të vazhdueshëm dhe mistik të shpirtrave tanë të vdekur. Së dyti, është shkaku për ngjalljen e të vdekurve gjatë Ditës së Gjykimit.
Edhe pse pasojat e ngjalljes së Krishtit do të zbulohen plotësisht në Ardhjen e Dytë, pjesëmarrja tek bekimet e përjetëshme fillon këtu, nga kjo jetë. Krishti, sipas Shën Simeon Teologut të ri, “na jep hirin që të kemi mbretërinë e Tij brenda nesh, në mënyrë që të mos mbetemi vetëm me shpresën e hyrjes. E kemi në realitet, pasi thërrasim, “jeta jonë është e fshehur bashkë me Krishtin brenda Perëndisë”. I njëjti thotë “le të shikojmë me kujdes misterin e ngjalljes së Krishtit dhe Perëndisë tonë, i cili ndodh mistikërisht në të gjitha kohërat, nëse e dëshirojmë: pasi është varrosur brenda nesh si në varr. Bashkohet me shpirtrat tanë dhe na ngjall edhe ne bashkë me veten e Tij”. Për ata, të cilët jetojnë me besim dhe ofrojnë veten e tyre vullnetarisht në vullnetin dhe dashurinë e Perëndisë, ngjallja bëhet realitet i përditshëm. Shpirtrat ngjallen, mëkatet grumbullohen, mendja ndriçohet dhe zemra pastrohet, sapo Shpirti i Shenjtë formon mendjen e Krishtit brenda nesh.
“Perëndia dëshiron që të na bëjë Perëndi sipas hirit, kështu siç jemi njerëz, por me pëlqimin tonë dhe jo kundër vullnetit tonë”, thotë Shën Simeoni. Mrekullisë së Pashkës, me premtimin dhe dhuratën e përjetësisë dhe plotësisë, mund që ti afrohet çdokush. Shpëtimi realizohet vetëm me liri të plotë, përmes një vepre besimi. Askush nuk mund të detyrohet që të besojë ose të dojë Perëndinë. Në mënyrë që të pranojmë hirin e misterit paskal dhe që ta ruajmë në mënyrë aktive brenda nesh, duhet të duam që të angazhohemi në mënyrë aktive dhe krijuese në jetën më Perëndinë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Sidoqoftë, në këtë pikë nevojitet kujdes. Shpëtimi nuk është rezultat i një shpresëtarie individuale, por është rezultat i një lidhjeje të gjallë dhe dinamike me Kishën. Si pjesëtar të pagëzuar dhe të përkushtuar të Kishës bëhemi pjesë e një shoqërie, e cila përparon bashkë drejt Mbretërisë. Kjo shoqëri siguron dhe përcakton identitetin tonë të krishterë. Brenda dhe përmes Kishës përvetësojmë fuqinë metamorfozuese të vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit, i cili na imponon detyrimin real që të mohojmë ato që Ungjilli na porosit gjatë aktiviteteve tona të përditshme. Komuniteti besimtar na kujton vazhdimisht thirrjen tonë dhe na ndihmon që të kuptojmë destinacionin tonë përfundimtar, na fton që të mohojmë vlerat e rreme të botës së rënë dhe na frymëzon që mbi të gjitha të kërkojmë atë që është e mirë, natyrale dhe jo mëkatare. Na inkurajon që të luftojmë kundër të gjitha formave të shtypjes dhe kushteve të padrejta, që zhvlerësojnë dhe zvogëlojnë jetën njerëzore. Të kontribuojmë më shumë për jetën e njerëzve të tjerë në botë. Dhe të punojmë për përmbushjen e detyrës, që Kisha ka kundrejt njerëzve.
Frytet e vdekjes dhe ngjalljes shpëtimtare të Krishtit ofrohen tek ne dhe kryhen kryesisht përmes mistereve të shenjta, që celebrohen me besim. Përmes tyre jeta e re shpërndahet tek pjesëtarët e trupit të Tij, Kishës. Misteret përgatitin besimtarin për jetën e ngjallur dhe njëkohësisht e bëjnë atë jetë një realitet të gjallë në kohën e tashme. Përmes mistereve, Perëndia na fton që të ndajë me ne gjithçka që është hyjnore: pavdekësinë dhe paprishjen. Dërgon dhe na jep Shpirtin e Shenjtë, i cili vazhdimisht gjallëron shpirtrat tanë dhe aktivizon brenda nesh misteret e fshehura të mbretërisë së Perëndisë, duke na bashkuar me Perëndinë në një bashkim personal.
Krishti, i cili lartësoi trupin tonë duke marrë natyrën tonë njerëzore, do të ngjallë trupat tanë prej të vdekurish gjatë ditës së Gjykimit (Joan. 5.28-29). Ngjallja prej së vdekurish është e pashmangshme. “Nuk varet nga vullneti ynë, nëse ngjallemi ose jo pas vdekjes, siç nuk varet nga vullneti ynë edhe lindja jonë”. Të gjithë, edhe nëse besojnë edhe nëse jo, pa dallim, “do të rigjejnë trupat e tyre dhe do të hyjnë në jetën e pafundme, në një jetë krejt të ndryshme” shkruan Gjeorgios Manxaridis. “Askush nuk mund të shpëtojë nga mbretëria e Krishtit, askush nuk mund të tjetërsojë veten e tij nga fuqia e ngjalljes shënon atë Floresku. Ngjallja prej së vdekurish gjatë Ditës së Gjykimit është fat i përbashkët i të gjithëve, “sepse të gjithë kemi të njëjtën natyrë si Njeriu Jisu Krisht”, vdekja dhe ngjallja e të cilit i dha të gjithëve pavdekësi dhe paprishje. Vetëm mëkatarët do të befasohen nga ajo. Dita e fundit do të shfaqet papritur dhe Krishti do të ndriçojë tek gjithësecili. Drita e Tij do të jetë gëzim i patreguar dhe bekim i të drejtëve, por edhe flakë e Gjykimit që djeg të padrejtët. “Dita e Zotit nuk është për ata, që ndriçohen në mënyrë të qëndrueshme nga drita hyjnore. Është për ata, që jetojnë në errësirën e pasionit dhe që kalojnë ditët e tyre në këtë botë, me dëshirën e gjërave mëkatare të botës”, thotë Shën Simeoni Teologu i ri. Shton, “ata që do të jenë bërë bij të kësaj drite dhe bij të ditës që do të vijë... asnjëherë nuk do të njohin Ditën e Zotit, sepse e jetojnë atë papushim. (Por) ata që jetojnë në errësirë dita do t’i zbulojë papritur: për ata do të jetë e frikshme, si një zjarr i padurueshëm”.
Të gjithë, sa vullnetarisht injorojnë dhe refuzojnë Perëndinë dhe përbuzin urdhërimet e Tij në këtë jetë, do të vazhdojnë të qëndrojnë në egoizmin e tyre edhe gjatë kohës së ardhme. Ngjalljen do ta përjetojnë si gjykim dhe ferr.
Ferri gjendet në të dyja anët e vdekjes. Nuk është vend, por gjendje ekzistente, një gjendje mungese rrënjësore plotësie, një ndërprerje e lidhjes përfundimtare, një refuzim vullnetar i Perëndisë. Atë Floresku e përshkruan si “një gjendje dekompozimi personal, që keqinterpretohet si vetëbesim. Një gjendje vetëkufizimi, izolimi, tjetërsimi dhe shfaqje e vetmisë”. Perëndia nuk dërgon ndonjë në ferr. Ferri krijohet nga djalli dhe njeriu, që insistojnë në rebelimin e tyre kundër Perëndisë, të vërtetës së Tij dhe dashurisë së Tij.
Ngjallja e Krishtit zbulon gjithashtu gjendjen dhe cilësinë e jetës së ngjallur. Në kohën e ardhme do të drejtohemi në një mënyrë ekzistence të re, në diçka më të mirë dhe më të përsosur (1Kor. 15.42-56). Do të trashëgojmë jo vetëm Parajsën, nga ku ramë, por edhe qiejtë e qiejve. Jeta, që dikur jetuam dhe përjetuam, do të lartësohet, në mënyrë që të veshë pavdekësinë, “të bëhet e përsosur dhe të fitojë gjendjen që do të duhej që të kishte, nëse mëkati dhe rënia nuk do të kishin hyrë në botë”.
Me jetën e Tij shembullore mbi tokë, Krishti zbuloi vlerën e jetës sonë tokësore për arritjen e shpëtimit. Me ngjalljen e Tij zbuloi pasurinë dhe vlerën e krijesës dhe konfirmoi mirësinë e saj themelore. Nuk shpëtohemi nga bota materiale por me atë (Rom. 8.18-23). I gjithë trupi i krijesës ngjallet me pritshmëri në trupin e Krishtit. Trupi i Krishtit nuk u ngjall thjesht. Në ngjallje u shndërrua rrënjësisht dhe u çlirua nga çdo kufizim. U lartësua dhe u lavdërua. Kështu, ngjallja përbën shembullin e metamorfozës së lavdëruar të botës dhe jo mohimin e saj. Koha e ardhme do të zbulojë rigjenerimin gjithëpërfshirës dhe lavdinë e të gjithë krijesës dhe jo zhdukjen e saj. Bota u krijua nga Krishti. I takon Atij. Është dhurata e Tij e jetës, që na fali ne. Për këtë arsye, bota na takon edhe ne si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit.
Krishti, që është Ngjallja, Jeta dhe Drita e botës, tërheq botën drejt vetes së Tij. Është Fundi i saj. Ai është që i jep kuptim të gjitha gjërave. Melitoni i Sardës, në një predikim paskal, që shkroi në shek. II, me mënyrë retorike vendos në gojën e Krishtit këto fjalë, në mënyrë që të shpjegojë misterin mahnitës së shpëtimit tonë:
“Ejani tek unë të gjithë gjinitë e njerëzve, të lidhur nga mëkati, dhe pranoni ndjesën e mëkateve tuaja. Sepse unë jam ndjesa juaj, unë jam Pashka e shpëtimit. Unë jam qengji që u sakrifikua për ju. Unë jam çlirimi juaj. Unë jam shpëtimi juaj. Unë jam mbreti. Ju drejtoj në lartësitë e qiellit. Do t’ju tregoj Atin e përjetshëm. Do t’ju ngre me dorën time të djathtë”.
Në Kishën e parë, Pashka konsiderohej koha më e duhur për misterin e pagëzimit, të mirosjes dhe të Eukaristisë, me të cilat shpëtimi bëhet dhuratë ekskluzive e çdonjërit. Me celebrimin e misterit të shenjtë të pagëzimit Kisha realizon kuptimin botëror të ngjalljes së Krishtit.
Krishti, Pashka jonë e vërtetë, bëri të vërtetë kalimin tonë nga vdekja në jetë dhe nga bota e mëkatit në jetën e Perëndisë. Në çdo liturgji hyjnore përjetojmë dhe celebrojmë sigurinë e ngjalljes së Krishtit dhe jetojmë rëndësinë e saj. Rigjenerohemi vazhdimisht me premtimin tonë të pagëzimit dhe pandërprerë formohemi tek trupi i Krishtit. Të mbushur me shpresë të pakrahasueshme, ftohemi në besim dhe në një detyrë: të metamorfozojmë veten tonë dhe botën, duke zgjeruar mbretërinë e Perëndisë brenda nesh dhe brenda në botë.
Përshëndetja e gëzuar paskale, “Krishti u Ngjall”, me të cilën përshëndetim njëri−tjetrin gjatë periudhës paskale nuk është kurrë diçka boshe dhe e pamenduar. Flet me të madhe për dashurinë e pamasë të Perëndisë për botën, sakrificën jetëbërëse të Birit të Tij, restaurimin mahnitës të krijesës, dhe për rigjenerimin e jetës për të cilën jemi thirrur. Na flet gjithashtu për nevojën tonë për të braktisur sjelljet tona të verbra dhe egoiste dhe të jepemi të gjithë tek Zoti i ngjallur. Atë Dhimitër Staniloae i përmbledh të gjitha këto me këto fjalë depërtuese: “...saktësisht, siç vështron Birin e Tij të trupëzuar, Ati shikon dhe na do të gjithëve ne dhe na birëson me trupëzimin e Birit të Tij. Kështu është e qartë se në personin e çdo njeriu do të duhet që edhe ne të japim dhe të duam një pamje të personit të Krishtit, në realitet saktësisht personin e vetë Krishtit. Ose që të formulojmë faktin me më shumë saktësi, se çdo person është potencialisht person i Krishtit, që është i aftë të bëhet realisht person i Krishtit, kjo është për shkak se Krishti ka vendosur aty ikonën e Tij, e cila tregon vetë atë. Sidoqoftë, edhe ne duhet të luajmë një rol, në kalimin e çdo personi njerëzor nga kjo gjendje në një gjendje që me të vërtetë është person i Krishtit”.
“Jisui Perëndi, gëzim i të gjithëve dhe dritë e shkëlqim, dhe ngjallje e të gjithë njerëzve, përmbi dhe u shfaq tani, dhe sipas mirësisë së tij, na dha shëmbëllsinë e Ngjalljes së nesërme, mëshirën dhe ndjesën e mëkateve”.
(Shkurtore e të shtunës së Llazarit)
“Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi prej panairit dhe le të përqafojmë njëri tjetrin, le t’u themi, vëllezër, dhe atyre që na urrejnë, le t’i ndjejmë të gjitha në ditën e Ngjalljes dhe kështu le të thërresim: Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve, jetën u fali”.