METAMORFOZA E SHPËTIMTARIT SI BURIM I NJOHJES SË PERËNDISË (Pjesa e parë)
METAMORFOZA E SHPËTIMTARIT SI BURIM I NJOHJES SË PERËNDISË
Autori : Vasilios SkiadhasShkrim teologjik ( Pjesa e parë )
Etërit e Shenjtë kanë caktuar që e kremtja e madhe dhespotike e Metamorfozës Hyjnore të kremtohet më 6 gusht, dmth., 40 ditë përpara të kremtes së Lartësimit të Kryqit të Nderuar. Gjykuan si të nevojshme lëvizjen e së kremtes, pasi nuk shkonte karakteri i saj festiv me zinë e periudhës së Kreshmës së Madhe, gjatë së cilës ishte bërë. Dhe u bë atëherë për të përgatitur Apostujt për provën e Pësimeve të Shenjta, por edhe për të garantuar dhe vërtetuar në një lloj mënyre lavdinë e Tij (të Krishtit) përpara jetëve.
Pamja e Perëndisë gjatë Metamorfozës
Perëndinjeriu Krisht, gjatë Metamorfozës Hyjnore nuk mori diçka që nuk e kishte. Përkundrazi, Apostujt u larguan për pak kohë nga koncepti i kohës dhe hapësirës dhe shijuan realitetin e lavdisë hyjnore, “ashtu siç merrnin vesh”. Drita e Metamorfozës Hyjnore, shkruan shën Grigor Pallamai, “edhe pse u bë e dukshme me sytë truporë për pak kohë mbi një majë të vogël të një mali, ajo nuk krijohet, as nuk prishet, as nuk konceptohet nga shqisat e njeriut. Por nxënësit e panë, sepse ata pësuan një ndryshim të shqisave të tyre që u bënë shpirtërore nga trupore që ishin më parë”. Me fjalë të tjera misteri i Hyjnisë Trinitare të pakuptueshme u zbulua përmes energjive të saj të pakrijuar, aq sa mund të duronin sytë e mahnitur të Apostujve dhe aq më tepër fytyrat tona të rënduara nga mëkati. Pra, Metamorfoza e Shpëtimtarit, përbënte për Nxënësit e vdekshëm, por edhe për ne, shije të pavdekësisë dhe përjetim të përjetshmërisë.
Drita e Metamorfozës Hyjnore
Vetë Zoti kishte treguar më parë se nga rrethi i nxënësve të Tij, disa do të shikonin Mbretërinë e Perëndisë që të vinte (Matth. 16.28). Kjo fjalë profetike e Shpëtimtarit u realizua gjatë Metamorfozës, kur tre nxënësit u denjësuan që të shikojnë dritën e pastër të hyjnisë së Tij. Ai fenomen i jashtëzakonshëm, dmth., drita e pakrijuar që rrethoi Shpëtimtarin, nuk ishte asgjë tjetër veçse një prej evergjive bazë të pakrijuara të Hyjnisë së Vetme por me Tre Hipostaza. Ishte dritë e hyjnisë, e përjetshme, e pafundme, pa hapësirë dhe pa kohë.
Ishte e njëjta dritë e Ngjalljes që mbushi varrin e boshatisur dhe bëri të dukshme çdo gjë që gjendej brenda tij, megjithë errësirën e asaj nate. Kjo dritë bëri që gratë miroprurëse të dallonin ëngjëjtë dhe të bashkëbisedonin me ta. Kjo pamje e dritës së pakrijuar ishte përvoja më e lartë e Perëndisë, që mund të merrnin njerëzit.
Le të kujtojmë përçarjen që ndodhin gjatë shekullit XIV midis përfaqësuesit të filozofisë fetare, murgut Barlaam nga Kalabria dhe shën Grigor Pallamait, për shkak të dritës së Metamorfozës Hyjnore. Ky rivalitet në thelb u krye për çështjen nëse energjitë hyjnore ishin të krijuara apo të pakrijuara. Përfundimisht luftrat shpirtërore të shën Grigorit për energjitë hyjnore të pakrijuara u morën nga Kisha. Megjithatë, ata që mendonin me kritere antropocentrike dhe skrupuloze në atë kohë, si kundërshtari i tij Barlaami, nuk mund ta kuptonin kurrë theologun dhe asketin e urtë, shën Grigor Pallama. Megjithatë mësimet bazë të Pallamait rreth dallimit të esencës dhe energjive të Perëndisë dhe kungimit të njeriut me energjitë hyjnore të pakrijuara nuk pushuan së qeni në epiqendër të spiritualitet orthodhoks. Gjithmonë Perëndia i Zbulesës dhe i përvojës adhuruese ishte në kontrast me Perëndinë e filozofisë. Përfundimisht mund të themi se drita që përfshiu Shpëtimtarin gjatë Metamorfozës, e cila verboi Nxënësit, ishte energjia hyjnore e pakrijuar.
Theologjia e shikimit të Perëndisë
Dëshira e Apostujve “mirë është të jemi këtu” (Matth.17.4), të gjendeshin dmth., në këtë bukuri mahnitëse të vizionit hyjnor, e cila përmbushet nga Zoti me themelimin e Kishës. Në të, të gjithë sa marrin pjesë, jo thjesht rregullisht, por në mënyrë energjike dhe esenciale, mund të shijojnë ndriçimin e fytyrës së Perëndisë dhe gëzimin e kthimit të Tij. Këtë përvojë të shikimit të Perëndisë e trajtoi theologjia patristike, për ta transmentuar tek gjindja e Kishës, e cila përpiqet të përjetojë me praktikë dhe teori vërtetësinë e jetës së krishterë. Këtë përvojë të rrallë të dritës së pakrijuar e jetuan Shenjtorët e Kishës sonë. Për këtë arsye nëpër ikona fytyra e tyre gjendet në epiqendër të dritës së bollshme brenda të cilës jetuan dhe jo në ndonjë vend fizik, siç e dëshiron edhe stili i artit perëndimor.
Theologjia e vetme dhe e vërtetë
Theologjia e shikimit të Perëndisë, dmth., e pamjes së lavdisë hyjnore, siç u tregua në Metamorfozën Hyjnore, është theologjia e vetme dhe e vërtetë, të cilën njeh Kisha orthodhokse. Përvoja e dritës së pakrijuar e bëri Shën Vasilin e Madh të ndriçonte i tëri, kur lutej në qelën e tij. Nga përvojat e tij personale, Shën Simeon, Theologu i Ri na zbulon se rezultat i shfaqjeve të dritës është që njeriu të ndriçohet i tëri, të bëhet i tëri dritë dhe çdo gjë ta shikojë si dritë. Për këtë gjë ai shkruan: “Të lumur janë ata që do të njohin në këtë jetë dritën e Zotit dhe do të ndriçohen prej saj”.
Pra drita e pakrijuar transmentohet tek i gjithë njeriu dhe e bën atë të jetojë që prej kësaj jete brenda në kungimin e Trinisë së Shenjtë. Ky kungim me Perëndinë përbën një shembull të lumturisë së jetës së ardhshme. Kjo pamje e fytyrës së ndriçuar të Perëndisë, dmth., pamja e Krishtit të shndërruar, që drejtohet tek të gjithë ne, gjeti drejtësim të plotë tek mësimi i shën Grigor Pallamait dhe në jetën e Shenjtorëve tanë.