METAMORFOZA e Krishtit : 6 gushti (Pjesa e dytë)
August 5, 2022 at 10:19 am,
No comments
Autor Gjeorgjios Manxaridhis, Profesor i Theologjisë në AUTH
Përkthyer nga greqishtja : Katekisti Pandeli Arbër Zeneli
Zyra e Katekizmi Kryepiskopata Orthodhokse e Tiranës
2022-08-05

Metamorfoza e Shpëtimtarit zë një vend qëndror në Kishën dhe Theologjinë Orthodhokse. Është ngjarja që zbulon lavdinë e Kishës dhe të besimtarëve. Është dëshmia e realitetit të ri që vjen me ardhjen e Krishtit në histori.
Gjatë Metamorfozës, Krishti tregon përmes natyrës së Tij njerëzore lavdinë e pakrijuar të hyjnisë së Tij. Në të njëjtën kohë ai rekruton njerëzit rreth tij në lavdinë hyjnore të pakrijuar.
Moisiu dhe Ilia marrin pjesë në të njëjtin shkëlqim me Krishtin. I vetmi ndryshim është se Krishti përbën burimin, ndërsa ata janë pranues të shkëlqimit hyjnor. Arsyeja për të cilën Krishti u shndërrua para Nxënësve, ishte afrimi i ditës së Kryqëzimit të Tij: “që, kur të shikojnë të kryqëzohesh, ta kuptojnë pësimin vullnetar”.
Me Metamorfozën Krishti nga njëra anë vërteton hyjninë e Tij, të cilën pak më parë e kishin pohuar Nxënësit me gojën e Apostull Petros, ndërsa nga ana tjetër sjell një përvojë të parë të ardhjes së Mbretërisë së Tij. Kremtimi i Metamorfozës më 6 Gusht ndoshta nuk na ndihmon që të kujtojmë lidhjen e drejtpërdrejtë të saj me Kryqin e Krishtit. Vetëm nëse mendojmë se pas disa javësh, më 14 Shtator, kremtohet Lartësimi i Kryqit të Nderuar, që kujton të Premten e Madhe, gjejmë rëndësinë historike të së Kremtes.
Si një ngjarje historike, Metamorfoza u bë pak javë përpara Pësimit. Në kalendarin kishtar nga pikëpamja historike, ajo do të kishte vendin e saj disa javë para Pashkës; ndoshta aq sa tani e ndajnë atë nga Lartësimi i Kryqit të Nderuar. Dhe nuk duhet të konsiderohet si diçka rastësore, që në vend të saj, Kisha caktoi një të kremte tjetër, të kremten e Theologut të Dritës Taboriane, të Shën Grigor Pallamait. Kështu e diela e dytë e Kreshmës së Madhe, pesë javë përpara Pashkës, i është kushtuar Shën Grigor Pallamait.
Gjithashtu është karakteristike, se në të tre Ungjijtë sinoptikë ngjarja e Metamorfozës tregohet menjëherë pas deklarimit të Krishtit, “se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi”. Kështu Metamorfoza e Krishtit, siç tregohet edhe në Traditën Patristike, vjen si një shfaqje e Mbretërisë së Perëndisë “me fuqi”.
Krishti me Metamorfozën e Tij vërteton dhe forcon besimin në hyjninë e Tij, të cilën e pohuan edhe Nxënësit. Gjatë Metamorfozës Krishti nuk mori diçka që më parë nuk e kishte, por tregoi, në masën që mund të pranonin Nxënësit e Tij, lavdinë që kishte gjithmonë si Perëndinjeri. Dmth,. lavdia që panë të tre Nxënësit në malin Thavor nuk ishte ndonjë fenomen kalimtar, por ishte Drita e përjetëshme e natyrës hyjnore të Krishtit. Këtë tregon edhe himnografi i Kishës sonë, kur thotë: “Përmbi malin ndërrove fytyrën dhe Nxënësit e tu panë lavdinë tënde sa mundnin, o Krisht Perëndi”.
Drita e Metamorfozës është Drita e Pakrijuar e Mbretërisë së Perëndisë, që erdhi në botë me ardhjen e Krishtit. Natyrisht, Mbretëria e Perëndisë si e pakohë dhe e pafundme nuk kufizohet në kohë, por e kapërcen dhe e transformon atë. Ajo nuk fillon pas përfundimit të historisë, por tashmë ekziston brenda saj dhe mbi të, dhe do të vazhdojë të ekzistojë përtej saj.
Dmth., në realitet ardhja “me fuqi” e Mbretërisë së Perëndisë nuk është asgjë tjetër veçse, shfaqja e Saj “me fuqi”. Nuk erdhi diçka që nuk ekzistonte më parë, por u shfaq ajo që ekzistonte dhe do të ekzistojë përgjithmonë. Si Drita e Pakrijuar, që u shfaq gjatë Metamorfozës tek Nxënësit, e cila ekzistone që prej fillimit dhe mbetet përjetësisht në hipostazën Perëndinjerëzore të Krishtit, kështu edhe Mbretëria e Perëndisë, që erdhi në botë me Krishtin, shfaqet disa herë tek besimtarët, si prelud i Kohës së Ardhme.
Besimi i krishter nuk mbështetet mbi ndonjë parim ose ideologji morale, por themelohet në shfaqjen e Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin brenda në histori. Karakteristike është dëshmia e Apostull Petros, i cili i referohet përvojës së tij nga Metamorfoza, në mënyrë që të na tregojë të vërtetën e predikimit të krishterë: “Sepse jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht jo duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, por duke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhështinë e tij”.
Pa përvojën e qiejve njeriu nuk mund të çlirohet nga tundimet tokësore. Apostujt e Krishtit, Martirët, Shenjtorët dhe Asketët e Kishës nuk do të mund të mposhtnin botën dhe të ofronin gjithçka për Krishtin, nëse nuk do të kishin një shije të lumturisë qiellore. Birësimi në Krishtin fitohet që në jetën e tashme. “Tani jemi bij të Perëndisë”, shkruan Apostulli dhe Ungjillori Joan, “por ende s’është shfaqur se ç’do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet, do të jemi si ai; sepse do ta shohim atë siç është”.
Ndjenjën e birësimit në Krisht njeriu e fiton në jetën e tij me ruajtjen e urdhërimeve hyjnore. Me vetëmohimin dhe vetëofrimin e tij ndaj Perëndisë dhe vullnetit të Perëndisë, që përbën një lloj vdekjeje, besimtari bëhet pjesëmarrës i Jetës dhe Mbretërisë hyjnore.
Shijimi i përjetshmërisë nuk fillon pas Kryqit, por me Kryqin. Bindja në vullnetin e Perëndisë “deri në vdekje” përbën pjesëmarrje në ngjallje. Siç lavdia e Krishtit fillon me Kryqin, që shkatërron fuqitë e të ligut, ashtu edhe lavdia e të krishterëve fillon me pranimin vullnetar të vdekjes për Krishtin, që heq njeriun e vjetër dhe zbulon të riun.
Metamorfoza e Krishtit është parapërgatitje e Kryqit, dhe Kryqi i Krishtit është pikënisje e lavdisë së Tij si njeri. Krishti me Metamorfozën nuk fiton asgjë të re, por forcon Nxënësit duke patur parasysh Kryqëzimin e Tij të ardhshëm. Nxënësit kishin nevojë për këtë forcim, për të përballuar Kryqin e Mësuesit të tyre, si edhe kryqin e tyre më vonë për emrin e Mësuesit të tyre.
Porta e Mbretërisë së Perëndisë është Kryqi. Dhe lavdia e Perëndisë brenda në botë fillon me Kryqin. Çdo shfaqje e lavdisë së Perëndisë brenda në histori, para apo pas ardhjes së Krishtit, përbën një prototip të Kryqit të Krishtit. Çdo përvojë e lavdisë së Perëndisë gjatë kësaj jete paralajmëron ose shoqëron përvojën e Misterit të Kryqit.