E Kremtja e 15 gushtit : FJETJA E SË TËRËSHENJTËS nga Protopresviter Aleksandër Shmeman
Përkthyer nga greqishtja : Katekisti Arbër Pandeli Zeneli
Zyra e Katakizmit Kryepiskopata Orthodhokse e Tiranës
Në gusht Kisha kremton fundin e jetës tokësore të Tërëshenjtës, vdekjen e saj, të njohur si fjetje, një fjalë, ku ëndrra, lumturia, paqja, qetësia dhe bashkimi bashkohen.
Ne nuk dimë asgjë për rrethanat e vdekjes së të Tërëshenjtës, nënës së Krishtit. Histori të ndryshme, të ndërthurura me dashuri dhe butësi fëmijërore, na kanë ardhur që nga krishtërimi i hershëm, por, pikërisht për shkak të larmisë së tyre, ne nuk ndjejmë asnjë detyrim të mbrojmë “historicitetin” e asnjërës prej tyre. Në Fjetje, dashuria dhe përkujtimi i Kishës nuk përqendrohet në kontekstin historik dhe faktik, as në datën dhe vendin ku kjo grua unike, kjo Nënë e të gjitha nënave, përfundoi jetën e saj tokësore. Kurdo dhe në çfarëdolloj vendi të ketë ndodhur kjo ngjarje, Kisha, në vend të kësaj, vëzhgon thelbin dhe kuptimin e vdekjes së saj, duke kujtuar vdekjen e saj, Biri i së cilës, sipas besimit tonë, mundi vdekjen, u ngjall së vdekurish, dhe na premtoi ngjalljen e fundit dhe fitoren e jetës së pavdekshme.
Vdekja e saj analizohet më mirë përmes ikonës së Fjetjes, e cila është vendosur në qendër të kishës atë ditë, si qendër e të gjithë të kremtes. Hyjlindësja e vdekur gjendet në shtratin e saj të vdekjes. Apostujtë e Krishtit janë të mbledhur përreth saj, dhe mbi të qëndron vetë Krishti, duke mbajtur në duar Nënën e Tij, e cila është e gjallë dhe e bashkuar përjetësisht bashkë me Të. Këtu shohim vdekjen dhe atë që ka kaluar tashmë në atë vdekje të veçantë: jo ndarje, por bashkim. Jo trishtim por gëzim. Dhe në një nivel më të thellë, jo vdekje por jetë. “Në lindjen tënde qe zënie pa farë hiç, në Fjetjen tënde qe vdekje pa prishje krejt”, psal Kisha duke parë këtë ikonë. “Në lindjen tënde virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde nuk e braktise botën o Virgjëreshë...”.
Fjalët e një lutje të thellë dhe shumë të bukur që i drejtohet të Tërëshenjtës vijnë tani në mendjen tonë, “Gëzohu o agim i ditës mistike!” (Himni Akathist). Drita që buron nga Fjetja vjen pikërisht nga kjo Ditë e padepërtueshme, mistike. Duke vënë re këtë vdekje dhe duke qëndruar pranë shtratit të saj të vdekjes, kuptojmë se vdekja tashmë nuk ka fuqi, se procesi i vdekjes së një personi është bërë tashmë një akt jete, një hyrje në një jetë më të madhe, ku jeta mbretëron. Ajo që u dha plotësisht tek Krishti, që E deshi deri në fund, takohet tani me Atë në portat e ndritshme të vdekjes, dhe aty vdekja kthehet menjëherë në një takim të gëzueshëm, jeta triumfon, gëzimi dhe dashuria dominojnë mbi të gjitha.
Për shekuj me radhë Kisha u frymëzua nga vdekja e asaj që ishte nëna e Krishtit; që i dha jetë Shpëtimtarit dhe Zotit tonë; që iu dha plotësisht Atij dhe qëndroi pranë Tij në Kryq. Dhe duke vëzhguar vdekjen e saj, Kisha e zbuloi dhe e përjetoi vdekjen jo si frikë, tmerr, fund, por si gëzim autentik të Ngjalljes. Në Fjetje na zbulohet i tërë misteri i gëzueshëm i vdekjes dhe bëhet gëzimi ynë, pasi Virgjëresha Mari është një prej nesh.
Nëse vdekja është tmerri dhe pikëllimi i ndarjes, zbritja në vetminë dhe errësirën e tmerrshme, atëherë asgjë nga këto nuk është e pranishme në vdekjen e Virgjëreshës Mari, pasi vdekja e saj, si gjithë jeta e saj, është një takim, dashuri, lëvizje e vazhdueshme drejt përjetësisë, dritë e përjetëshme dhe një hyrje në të. “Dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën”, thotë shën Joan Theologu, apostulli i dashurisë (1Joan. 4.18). Kjo është arsyeja pse nuk ka frikë në fjetjen e papërlyer të Virgjëreshës Mari. Këtu vdekja është kapur nga brenda, është çliruar nga ajo që e mbush me tmerr dhe dëshpërim. Vetë vdekja bëhet jeta triumfuese. Vdekje bëhet “agimi i ditës mistike”. Kështu në këtë të kremte nuk ka as hidhërim, as vajtime nekrologjike, as shqetësim, por vetëm dritë dhe jetë. Duke iu afruar derës së vdekjes sonë të pashmangshme, është sikur e gjejmë atë të hapur, me dritën që derdhet nga fitorja që po afrohet nga mbretërimi i ardhshëm i Mbretërisë së Perëndisë.
Në shkëlqimin e kësaj drite të pakrahasueshme të së kremtes, në këto ditë gushti, kur bota natyrale arrin kulmin e bukurisë dhe bëhet himn lavdërimi dhe shprese dhe simbol i një bote tjetër, dëgjohen fjalët e Fjetjes, “varri dhe vdekja s’e mbajtën, se në jet’ e transferoi si nënë jete Krishti, bujti ky në mitër gjithnjë të virgjër...”. Vdekja nuk është më vdekje. Vdekja rrezaton përjetësi dhe pavdekësi. Vdekja nuk është më një ndarje, por një bashkim. Nuk është trishtim, por gëzim. Nuk është një humbje, por një fitore. Të gjitha këto i kremtojmë gjatë ditës së Fjetjes së Virgjëreshës së Tërëshenjtë ashtu siç i paraikonizojmë, i paraprijmë dhe i shijojmë që tani, në agimin e Ditës mistike dhe të përjetshme.