ÇFARË ËSHTË INDIKTI DHE CILA ËSHTË LIDHJA E TIJ ME KISHËN?
Fillimi i Vitit të Ri Kishtar në Kishën Orthodhokse
Indikti (nga fjala latine Indictio= tregues, mesazh, shpallje, premtim, dekret) para se të shndërrohej në një ngjarje festive që i referohej fillimit dhe shenjtërimit nëpërmjet Krishtit të vitit të ri kishtar, nënkuptonte fillimin e vitit ekonomik dhe politikën fiskale të romakëve dhe ishte i përcaktuar çdo pesëmbëdhjetë vjet. Indikt, shkruhet në Minologjion e Vasilit, quanin Romakët fillimin. Domethënë në fillim të çdo 15 vjeçari, që nga koha e perandorit Adrian (117-138), përcaktohej edhe shuma që çdo qytetar duhet të paguante si taksë toke në shtetin romak për mbajtjen e ushtarëve, afati i shërbimit të të cilëve zgjaste 15 vite. Mbizotëron mendimi - vëren Petavius – se Indiktionet nuk janë asgjë tjetër veçse kontribute produktesh dhe shuma parash, rregulli i të cilave “shpallej” (indicebatur) çdo vit.
Indikti ose Indiktioni identifikohet me termin grek “Epinemsis”, i cili nënkupton sa kohën ashtu edhe shumën e taksës, sigurisht në përputhje me të ardhurat dhe të vjelat vjetore. Cikli në fjalë i Indiktionit, që përfshin 15 vjet, por edhe çdo një prej viteve të kësaj periudhe (Indikti I, viti i parë ose viti i dytë, etj., i Indiktit aktual), është përdorur edhe si kufi-kriter kronologjik i ngjarjeve dhe dokumentave të ndryshme në Romë, Kostandinopojë, por edhe në Egjipt. Qysh nga fillimi i periudhës Bizantine u konsiderua edhe si fillim i vitit të ri.
Ky zhvillim dëshmohet për herë të parë që nga shtatori i vitit 312, në kohën e sundimit të Kostandinit të Madh. Dhe kjo padyshim sepse deri në atë kohë, sipas kalendarit julian, kjo datë duke u identifikuar me ekuinoksin vjeshtor konsiderohej e para e vitit. Që nga viti 313 “kjo datë u lëviz për t’u caktuar në 23 shtator, që ishte ditëlindja e Oktavian Augustit. Nga viti 462 viti i ri u vendos në 1 shtator që të përkonte fillimi i vitit me fillimin e muajit (Indikti)”.
Shikojmë pra se Indikti, që nga pikënisja për taksimin romak, kishte edhe një interes kalendarik, duke u identifikuar me fillimin e vitit të ri dhe festohej me ceremoni e sakrifica për nder të perëndive.
Semiotika dhe tradita e mësipërme në lidhje me Indiktin është regjistruar edhe në Minologjion e Vasilit (fundi i shekullit të 10-të) ku Indikti përmendet si festë e kishës. “Indiktin e feston Kisha e Perëndisë, e cila e ka marrë nga më të vjetrit, sepse kjo ditë konsiderohet si fillimi i vitit, pasi indikt, Romakët quanin fillimin e të gjithë vitit”.
Referenca e Minologjios Vasiliane, se kisha e mori festën e Indiktit “nga më të vjetrit” tregon edhe lashtësinë e tij. Sipas një mendimi festa daton që nga shekulli i katërt ose i pestë para Krishtit, diçka që sipas të tjerëve gjykohet si jo historike. Minologjio (Kalendari) i lartpërmendur (Synaxario) padyshim i referohet origjinës së festës dhe origjinës së saj në zakonet parakristiane.
Psh., Romakët sipas Fotit të shenjtë e festojnë Indiktin veçantërisht në muajin shtator me ceremoni dhe sakrifica, duke nderuar dhe adhuruar perënditë e tyre. Karakteri i gëzuar i festave hebraike që festohen gjatë muajit të shtatë (Tisri) të vitit, kanë ndikuar tipologjikisht dhe historikisht në formimin e festës së Indiktit gjatë muajit shtator, periudhë gjatë së cilës, siç shkruan edhe shën Nikodhim Agjioriti bëhet ekuinoksi vjeshtor, ajri dhe atmosfera janë të buta. Toka lërohet dhe shirat fillojnë të bien, në mënyrë që përmes tyre të zbutet toka e ngurtësuar nga nxehtësia e verës. Dhe në vijim toka të kultivohet mirë dhe farat që janë në të të lulëzojnë”.
Gjithashtu nuk përjashtohet, duke theksuar se Kisha e ka marrë këtë festë “nga më të vjetrit”, për të treguar korrelacionin e Indiktit me ngjarjen e kthimit të Jisuit të Nazaretit pas tundimeve në shkretëtirë, ku “edhe sipas zakonit të tij hyri në sinagogë ditën e shtunë, edhe u ngrit të lexojë”.
Leximi që Krishti lexoi në Sinagogë ishte prej profetit Isaia. Në të tregohet për veprën çlirimtare të Krishtit dhe shpalljen prej Tij të fillimit të një periudhe të re gjatë së cilës “realizohet nga Mesia vullneti i Perëndisë për shpëtimin e njerëzve”. Në traditën sinaksaristike kjo ngjarje u interpretua si një bekim i kohës nga Krishti dhe u konsiderua si fillimi i një feste të re që vetë Zoti i dha Kishës. “Dhe kur Krishti, Perëndia ynë, deshi të bekojë fillimin e vitit, dhe më tepër të gjithë kohën që Ai kishte krijuar para kohërave, hyri në sinagogën e Judenjve dhe iu dha libri i profetit Isaia. Dhe e hapi librin dhe gjeti vendin ku shkruhej “Fryma e Zotit është mbi mua; prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u ungjillëzoj të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer, t’u predikoj skllevërve liri, edhe të verbërve rihapjen e syve, edhe të dërgoj të shtypurit në liri; të shpall vit të pranuar nga Zoti”. Dhe duke ia dorëzuar librin shërbëtorit, ai u ul. Që atëherë, ne të krishterët jemi të bekuar me këtë festë të shenjtë dhe ata që e festojnë me dëshirë falënderojnë”.
Të njëjtën qasje e gjejmë edhe në Sinaksarin e Kostandinopojës (shek. X) ku shtohet elementi i lidhjes së Indiktit dhe dhënies së taksave me ngjarjen e regjistrimit të Qesar Augustit në mbarë botën. Sigurisht që gjatë kësaj periudhe kur të gjithë duhej të regjistroheshin në listat e taksave publike lindi Krishti, një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë dhe shënoi fillimin e shpëtimit të njeriut, të krijesës së re dhe të shenjtërimit të të gjithë botës.
Këtë traditë e përmend edhe shën Nikodhim Agjioriti, i cili përmend edhe tre arsyet për të cilat Kisha feston Indiktin: a) Sepse ai shënon fillimin e vitit, b) Sepse gjatë asaj dite Zoti ynë Jisu Krisht shkoi brenda në Sinagogën e Judenjve dhe ju dha atij libri i Profetit Isaia... c) që me anën e himnimeve dhe lutjeve, që i ofrojmë Perëndisë në këtë festë, Perëndia të na mëshirojë dhe të bekojë vitin e ri, dhe të na falë një vit të suksesshëm të mbushur me të gjitha të mirat lëndore. Dhe të ndriçojë mendjen tonë, në mënyrë që ta kalojmë të gjithë vitin të pastër dhe me ndërgjegje të pastër dhe t’i pëlqejmë Perëndisë, me ruajtjen e urdhërimeve të Tij. Dhe kështu të fitojmë të mirat e përjetëshme të qiellit”.
Përkthyer nga greqishtja : Katekisti Arbër Pandeli Zeneli