Fillimi i shpëtimit tonë me lindjen e Hyjlindëses Mari : 8 shtatori
Shkrim nga Atë Rafael H. Misiaulis, Hierodhjakon dhe Theolog : Përkthyer nga greqishtja : Arbër Pandeli Zeneli
Kisha jonë kremton lindjen e Hyjlindëses së Përmbishenjtë, asaj që lindi Birin dhe Fjalën e Perëndisë, asaj që është fillimi i shpëtimit të gjinisë njerëzore. E kremtja e sotme Hyjlindësore përbën një shkak gëzimi botëror, për hir të personit të përmbipastër dhe të bekuar të Hyjlindëses. Kjo e kremte është pararojë gëzimi, sepse prej Virgjëreshës lindi Dielli i Drejtësisë, që është Krishti, Shpëtimtari dhe Çliruesi i botës.
Prindërit e Hyjlindëses Joakimi dhe Ana, që të dy e kishin origjinën nga rrënja dhe fara e Davidit dhe ishin njerëz të drejtë dhe besëmirë. Për këtë arsye ata lutën Perëndinë për shumë vite, që t’u falte një fëmijë, me premtimin se fëmija që do të lindte, do t’i përkushtohej Perëndisë. Vlen për t’u përmenur se steriliteti në atë periudhë ishte turp dhe mallkim për një çift dhe të gjithë i përbuznin brenda në shoqëri. Madje edhe priftërinjtë nuk pranonin dhuratat, që ata ofronin në Tempullin e Perëndisë, për shkak të mospatjes fëmijë. Perëndia i vlerësoi lutjet dhe besimin e tyre të thellë. Me anën e kryeëngjëllit Gabriel i lajmëroi se Ana sterile do të lindte një fëmijë të shenjtë. Joakimi dhe Ana u treguan bamirës të vërtetë të gjinisë njerëzore, pasi bashkëpunuan edhe ata në shpëtimin e botës. Lindja e të Tërëshenjtës ishte një dhuratë, që Perëndia ju bëri atyre, një dhuratë e denjë për virtytin e tyre.
Mrekullia që kremtojmë sot është e dyfishtë. Mrekullia e parë është lindja e Anës, e cila ishte shterpë. Mrekullia e dytë është hapja e portës së Edenit, e cila ishte vulosur dhe qëndronte e vulosur për shkak të mosbindjes së të parëkrijuarve Adamit dhe Evës. Tani ajo hapet, sepse Perëndia dëshironte që të tregonte pëlqimin e Tij për çiftin besëmirë Joakimin dhe Anën dhe jo vetëm t’ju falte frytin e barkut që dëshironin, por që t’ju falte atë, e cila do të hapte përsëri për njerëzit rrugën drejt Perëndisë.
Sot vjen gëzimi në gjininë njerëzore. Këtë e dëgjuam edhe në përlëshoren e së kremtes. Por cili është gëzimi që kremton Kisha jonë? Sigurisht, nuk është ai lloj gëzimi që ne perceptojmë. Për ne gëzimi nuk është një ndjenjë njerëzore, për ne gëzimi nuk është një kënaqësi. Është një dhuratë nga Qielli, një fryt i Shpirtit të Shenjtë. “Në gjuhën greke” (shënim i përkthyesit) fjala gëzim (Hara) ka një rrënjë të ngjashme me fjalën hir. Fjala Hir nënkupton dhuratat që dhuron Perëndia për njerëzit për të shpëtuar njeriun, për ta vendosur në Parajsë. Gëzimi pra është dhuratë e Perëndisë për njeriun.
Shën Joan Damaskini, duke i thurur lëvdata personit të Hyjlindëses, me rastin e të kremtes së sotme thotë: “sot hapen dyert e shterpësisë, dhe shfaqet hyjnore, dera virgjërore, ku përbrenda së cilës do të kalojë dhe do të hyjë bota, Perëndia “trupërisht”, që gjendet mbi të gjitha qëniet, siç thotë edhe Pavli, “dëgjuesi i të fshehtave të pashprehura”.
Virgjëresha Mari është dhurata më e çmuar që njerëzimi mund të ofrojë për Perëndinë, në mënyrë që të veprojë për shpëtimin e njeriut. Ajo përbën garancinë për shpëtimin dhe për përsosjen e njeriut në Krishtin. Me lindjen e saj e Tërëshenjta hapi rrugën e mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë si edhe filloi veprën e shpëtimit të gjinisë njerëzore. Me lindjen e të Tërëshenjtës sonë zgjidhet shterpësia, sa e prindërve të saj, aq edhe ajo e të gjithë gjinisë njerëzore. Ajo si një Nënë e dashur, përkulet mbi problemet dhe dhimbjet e njerëzve dhe me kujdesin e saj vazhdimisht bën mrekulli. Si popull besimtar, tjetër shpresë nuk kemi nga e Tërëshenjta.
E Tërëshenjta jonë është Më e Gjera se Qiejtë dhe si Ndërmjetuese, mes të krijuarve dhe të Pakrijuarit merr lutjet tona dhe i çon tek froni i Birit të saj Zotit tonë Jisu Krisht. Virgjëresha Mari është dhurata e gjinisë së njerëzve për Perëndinë Triadik. Ajo tashmë është qytetare e Mbretërisë së Qiejve dhe qëndron pranë fronit të Perëndisë, duke ndërmjetuar për shpëtimin tonë.
Hyjprindërit e drejtë, Joakimi dhe Ana, treguan besim, durim dhe ishin të bindur se lutja e tyre do të kishte rezultate, ishin të sigurt se Perëndia do të plotësonte dëshirën e tyre. Ftohemi, vëllezër të dashur, të marrim shembull nga qëndrimi i Hyjprindërve të drejtë, pa murmuritur dhe pa u ankuar, pa ndaluar së thirruri Perëndinë në çdo moment të jetës sonë. Ata nuk pushuan së luturi dhe së thirruri Perëndinë. Derisa Perëndia ju dhuroi dhuratën e e Tij të papërshkrueshme dhe të paçmuar për çiftin e shenjtë. Të tregohemi të duruar në hidhërime dhe tundime, të cilat i lejon Perëndia për dobinë tonë shpirtërore.