Predikim për të Kremten: "Hyrja e Hyjlindëses në Tempull" nga Shën Grigor Pallama
November 21, 2022 at 11:12 am,
No comments
Predikim për Hyrjen e Hyjlindëses në Tempull. Shën Grigor Pallama
“... Nëse pema njihet nga frytet, dhe pema e mirë bën gjithashtu fruta të mira, nëna e Atij që i mirë është nga vetja, nëna e bukurisë së përjetëshme, si mund të mos krahasohet nga mirësia me çdo të mirë të botëshme dhe të përbotëshme?
Sepse fuqia që kultivon të gjitha, Fjala e parëkohëshme dhe e përmbiqënëshme, nga filantropia dhe mëshira e pashprehur për hirin tonë deshi që të rrethonte ikonën tonë, që të rinovonte dhe të ngrinte natyrën që kishte rënë në Hadh, dhe ta ngrinte në lartësinë qiellore të mbretërisë dhe hyjnyshmërisë së tij.
Dhe gjen atë virgjëreshë, e cila himnohen sot prej nesh që kremtojmë hyrjen e saj paradoksale në të shenjtat e të shenjtave dhe e zgjedh mes të gjithëve, për devotshmërinë dhe maturinë e saj si në fjalë ashtu edhe në vepra.
Ishte e pamundur që Fjala e mishëruar, të bashkohej me një natyrë të ndotur, sepse vetëm një gjë është e pamundur për Perëndinë, që të vijë në bashkim me të papastrën, para se ajo të pastrohet. Për këtë arsye nevojitej një virgjëreshë e panjollosur dhe e pastër, që të lindte atë që është dhe i dashuri i saj dhe dhënësi i pastërtisë.
Lindja e së Tërëshenjtës.
Fillimisht u bë lindja e saj nga një çift që kërkonte me asketizëm dhe lutje zgjidhjen e palindshmërisë, të cilët morën premtimin e lindjes së Nënës së Perëndisë. Dhe sepse prindërit e shumëvyrtytshëm të saj morën atë që kërkuan, nxituan që plotësonin premtimin e tyre për Perëndinë, duke e çuar Hyjlindësen e vogël në Hieroren e Perëndisë dhe tek prifti që gjendej aty, por edhe ajo vetë me vullnetin e saj erdhi tek Perëndia dhe qëndroi në të shenjtat e të shenjtëve. Aty ushqehej prej së larti nga ëngjëjt me ushqim që forconte më mirë natyrën e saj dhe e përsoste atë nga trupi, në mënyrë që në kohën e duhur manastiret qiellore të hapen dhe t'u jepen për banesë të përjetshme atyre që besojnë në lindjen e saj paradoksale.
Duke patur dhunti hyjnore dhe dhurata natyrore që nga barku i nënës, nuk pranoi që natyra e saj të ndikohej nga ndonjëgjë tjetër, që mund të shkaktohej nga mësimet e mësuesve. Përkundrazi, pasi u përkushtua tek Perëndia, braktisi plotësisht mësimet e njerëzve dhe kështu ajo mori me bollëk prej diturisë së lartë. Në moshën kur prindërit i dërgojnë fëmijët e tyre, pa vullnetin e këtyre të fundit, si foshnja nën drejtimin e një mësuesi parashkollor dhe i dorëzojnë tek mësuesit e shkrimit, Hyjlindësja qëndron bashkë me Perëndinë në faltoren e shenjtë si një pallat të mrekullueshëm, si një fron mbretëror shpirtëror më të lartë se çdo ndërtesë, të stolisur plotësisht me vyrtyte që i kanë hije këtij mbreti që rri në të.
Para Tempullit
Vetëm tre vjeç sapo ishte shkëputur nga ushqyerja me gji u tregoi të duhurën të gjithë atyre që dinin të gjykonin në mënyrë të pagabueshme. Kur arriti pranë paraderës së Hierores, të rinj të veshur denjësisht, duke mbajtur lambadha në duar, e shoqëruan me ceremoni për në hyrje. E thjeshtë, e lumtur dhe e mrekullueshme me moralin, sjelljen dhe urtësinë e duhur ecte përpara dhe vjen në takim me kryepriftin.
Dhe menjëherë braktis prindërit dhe të afërmit dhe krejtësisht e vetme, e lumtur shkon tek kryeprifti i cili e fut në të shenjtat e të shenjtave, dhe i bindi të gjithë ata që jetonin atëherë ta pranonin këtë fakt me pëlqimin dhe bashkëvendimin e Perëndisë. Sepse bëhej fjalë që të bëhej enë e zgjedhur, e mbushur me të vërtetë, që të mbante në bark vetë atë, emri i të cilit është i mrekullueshëm. Çfarë mrekulli madhështrore?
Përgjithmonë e shenjta e të shenjtëve
Në të shenjtat e përkohëshme të të shenjtëve, hyn e shenjta e të shenjtëve e përherëshme. Hyri tenda e Fjalës, arka logjike dhe shpirtërore e bukës së jetës, e cila me të vërtetë u dërguan për ne prej qiellit. Hyri libri i jetës, që nuk pranoi fjalë të tjera, por vetë Fjalën e Atit. Në këtë arkë të vërtetë marrin pjesë vetë ëngjëjt, të cilët i shërbyen dhe u kujdesën për ushqimin dhe rritjen e saj.
Këta shërbyes ishin një simbol i pastër i gjendjes engjëllore të Virgjëreshës në këtë fazë të moshës, duke i shërbyer asaj vazhdimisht dhe jo duke e lënë në hije, duke i premtuar madhështinë e saj të ardhshme.
Kështu ajo jetonte si në parajsë, duke jetuar vetëm për Perëndinë, e vëzhguar vetëm nga Perëndia, e ushqyer vetëm nga Perëndia dhe në përgjithësi e përkushtuar vazhdimisht tek Perëndia.
Jetoi heshtjen e shenjtë, qëndrimin e mendjes dhe botës, harresën e së poshtmes, nisjen e së sipërmies, drejtimin e mendimeve drejt së mirës, nëpërmjet edukimit nga qetësia brenda së cilës ne konsiderojmë Zotin. Pasi u çlirua nga të gjitha lidhjet materiale, ajo u lartësua mbi simpatinë për trupin e saj, duke e hequr vëmendjen nga vetja e saj dhe duke jetuar me lutje të pandërprerë hyjnore. Dhe nëpërmjet saj, duke ardhur plotësisht në vetvete dhe duke kapërcyer grumbullimin e shumëllojshëm të mendimeve, ajo dalloi një rrugë të re dhe të fshehtë në qiej, të cilën unë do ta quaja një heshtje mendore.
Nuk u bë vetëm e ngjashme me Perëndinë, por bëri edhe Perëndinë të ngjashëm me njeriun.
Duke qenë kështu pjesë në misteret e larta me këto mendime ekstreme dhe në këtë mënyrë u bashkua dhe u bë një me Zotin, vetëm ajo ndër shekuj e ka kryer këtë ndërmjetim të mbinatyrshëm për hirin tonë dhe e vetme e ka përfunduar atë, duke realizuar këtë arritje të madhe dhe të lartë. Sepse jo vetëm që u bë e ngjashme me Perëndinë, por edhe bëri Perëndinë të ngjashëm me njeriun. E ngjizi Atë pa farë dhe e lindi në një mënyrë të pashpjegueshme, me hir prej Perëndisë (për këtë arsye u thirr Hirëplotë prej kryeengjëllit).
Kush mund të përshkruaj madhështinë tënde, Virgjëreshë? U bëre Nëna e Perëndisë, bashkove mendjen me Perëndinë, bashkove Perëndinë me mishin, e bëre Perëndinë bir njeriu dhe njeriun bir Perëndie, pajtove botën me Krijuesin e botës. Na mësove me vepra se të besuarit nuk trajtohet vetëm me ndjesi dhe llogjikën e njerëzve të vërtetë (sepse atëherë do ishin vetëm pak më mirë se kuajt), por shumë më tepër me pastrimin e mëndjes dhe pjesmarrjen e hirit hyjnor, në të cilin ne kënaqemi me bukuritë hyjnore jo nga mendimet, por nga kontaktet e paprekshme. I bëre njerëzit bashkjetues me ëngjëjt, madje u denjësove për shpërblime më të mëdha, pasi more nga Shpirti i Shenjtë formë hyjnjerëzore dhe linde çuditërisht dhe bëre të mundur që natyra njerëzore të jetë e bashkëqënëshme dhe në përputhje me natyrën hyjnore.
Le të ruajmë, pra, unitetin ndaj Perëndisë dhe ndaj njëri-tjetrit, i cili na është ngulitur nga Perëndia, nëpërmjet lidhjeve të dashurisë. Le të vështrojmë gjithmonë drejt prindit qiellor. Le ti ngremë zemrat tona lart në drejtim të Tij. Le të vëzhgojmë këtë pamje madhështore, natyra jonë le të jetë e bashkuar me zjarrin Hyjnor, dhe duke eliminuar veshjet e lëkurës, që kemi veshur nga rënia në mëkat, le të qëndrojmë në tokë të shenjtë, duke treguar gjithësecili tokën e tij të shenjtë nëpërmjet virtytit dhe përkushtimit të vazhdueshëm ndaj Zotit, të ndriçohemi dhe të ndriçuar të bashkëjetojmë me Perëndinë që meriton çdo lavdi, nder dhe adhurim tani dhe në jetë të jetëve. U bëftë!