E MËRKURA E MADHE
Të nderuar miq dhe të dashur më Krishtin, të martën në mbrëmje në Kishën Orthodhokse, kryhet shërbesa e të Mërkurën së Madhe, që e mbush atmosferën e kishës me pendimin prekës dhe mirënjohjen e gruas mëkatare që leu me miro këmbët e Zotit Krisht.
Për këtë ngjarje na informon Ungjilli sipas Matheut!
“Edhe kur ishte Jisui në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, 7 erdhi pranë tij një grua që kishte një alabastër me miro shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kryet e tij, ndërsa ishte duke ndenjur në tryezë. 8 Edhe nxënësit e tij kur panë, u zemëruan, e thanë: Përse kjo humbje? 9 Sepse kjo miro mund të shitej shtrenjt, edhe t’u jepej të varfërve. 10 Edhe Jisui, si kuptoi, u tha atyre: Përse e mundoni gruan? Sepse kjo bëri punë të mirë tek unë. 11 Sepse të varfërit i keni përherë me veten tuaj, po mua nuk më keni përherë. 12 Sepse kjo, kur derdhi këtë miro mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr. 13 Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’bëri kjo, në kujtim të saj.14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha: 15 Ç’do të më jepni, edhe unë t’jua dorëzoj juve atë? 16 Edhe ata i numëruan tridhjetë monedha argjendi. Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte”. (Math. 26:6-16)
Kjo ngjarje ndodhi pak ditë përpara pësimit të Krishtit.
Sinaksari i ditës thotë: “Të Mërkurën e Madhe e të Shenjtë Etërit e përmbihyjshëm vendosën të përkujtojnë gruan mëkatare, që leu Zotin me miro, se kjo gjë, ngjau pak kohë para pësimit shpëtimtar”.
Pendimi i gruas është shumë i madh, një ndryshim real në jetën e saj, që e mbushi me guxim dhe kurajo. Ky veprim i gruas mëkatare siguron një mirënjohje lehtësuese për Krishtin i Cili ndodhej mes tradhëtisë së priftërinjve, ngushtësisë së nxënësve edhe pabesisë së Judës.
Gruaja mëkatare shprehu thellësinë e pendimit ndaj Zotit, duke flijuar te këmbët e Tij, një vaj shumë të shtrenjtë. Ky ishte një shpenzim shumë i madh, por aspak i mjaftueshëm për mirënjohje ndaj Zotit. Kjo grua me këtë veprim paralajmëroi vdekjen e Jisuit edhe varrimin e Tij.
Hebrenjtë e kishin zakon që të vdekurit përpara se t’i varrosnin ti lyenin me miro. Pavarësisht se u keqkuptua veprimi i saj dhe u keqpërfol Zoti tha për atë: “Se në të vërtetë po ju them se kudo që të predikohet ky ungjill, në të gjithë botën, do të tregohet se çfarë bëri kjo grua në përkujtim të saj”.
Dhe kjo fjalë e Zotit është vërtetuar, sepse sa herë që lexohet ky Ungjill dhe çdo të Mërkurë të Madhe, kujtohet ky akt adhurimi, falenderues dhe mirënjohës i kësaj gruaje, por jo vetëm i asaj por i të gjithë atyre që e adhurojnë, e falenderojnë me mirënjohje Zotin, sakrifikojnë pasurinë e tyre për Atë, për të afërmin dhe në qoftë se nuk kanë miro, pasuri afrojnë lotët e pendimit, që janë më të çmueshme se vetë miroja, për çdo mëkat, si ai i kurvërisë, bashkëjetesës pa kurorë, tradhëtisë bashkëshortore dhe i çdo mëkati që na ndan nga Zoti Dhëndri i shpirtit tonë edhe na bashkon me djallin edhe demonët i ligj.
Pikërisht këtë pendim himnon, me një mënyrë të mrekullueshme tropari i njohur i Kasianisë, që mbledh në kishë mijëra besimtarë të Martën e Madhe.
Kasiania ishte një murgeshë fisnike dhe e virtytshme, që në çast ekzaltimi dhe frymëzimi shkroi kryeveprën që mban emrin e saj.
“O Zot, gruaja që ra në shumë mëkate, duke marrë vesh hyjninë tënde, mori urdhër miroprurëseje, e duke vajtuar të sjellë miro para varrimit, duke thënë: E mjera unë, se tek unë ka natë, nxitje për shthurje dhe dashuri mëkati të errët e të pahënë. Prit burimet e lotëve të mi, ti që shpie ndër retë ujët e detit; jepu ndër psherëtimat e zemrës sime, Ti që dhe qiejt me mëshirën tënde të patreguar. Do t’i puth dhe t’i fshij me gërshetat e kokës sime, këmbët e tua të kulluara, trokëllimën e të cilave kur dëgjoi Eva në parajsë në mbrëmje, t’i oshëtijë ndër veshët, nga frika u fsheh. Shumicat e mëkatave dhe avushat, e dënimeve të mia kush do t’i gjurmësojë o shpirt shpërblyes Shpëtimtari im? Mos më hidh tej mua shërbëtoren tënde, ti që ke mëshirë të pamatur”.
Nuk duhet të ngatrohemi se Maria motra e Lazarit është lavirja e penduar. Etërit kanë bërë një kombim të pendim të lavires dhe veprimet e Marias. Janë tre gra që shkuan te këmbët e Krishtit dhe ofruan miro, por Kisha Orthodhokse i ka ndërthurur në himnologjitë e të Mërkurës së Madhe veprimet e këtyre grave. Mëkatarja lavirja e penduar, është ajo që vajti te këmbët e Krishrit kur ai ishte në shtëpinë e një fariseu dhe asaj nuk i dihet emri.(Luka 7,36-50)
Një ngjarje tjetër e rëndësishme që kujtojmë të Mërkurën e Madhe është marrëveshja që bëri Juda me kryepriftërinjtë për të tradhëtuar Krishtin për 30 monedha argjendi. Kjo vlerë parash ishte çmimi i një skllavi. Nxënësi bëhet tradhtar, i liri bëhet skllav i pasioneve dhe i parave, i lumturi bëhet i padenjë dhe shembull për shmangie. Marrëveshja e tradhëtisë është ngjarje e trishtuar dhe e dhimbshme dhe për këtë besimtarët kreshmojnë çdo të mërkurë që të mos bien në tradhëtinë e Judës për shkak të lakmisë.
Pra ky veprim tradhëtues i Judës tregon rrezikun e madh që vjen nga paraja e cila mund të kthehet në një “mamona”, zoti i rremë dhe t’i kontrollojë njeriut mendimet, dëshirat, energjitë dhe vetë jetën, sa mund ta ndajë nga Zoti, i cili është jeta dhe pasuria e vërtetë.
Asnjë nga nxënësit pavarësisht se kishin dobësit e tyre, nuk u rrëzua si Juda, prandaj apostull Pavli paralajmëron: “Sepse lakmia për para është burimi i gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpuan veten e tyre me shumë dhimbje” (I Tim. 6:10).
Të dashur më Krishtin, të gjithë neve sa herë që lexojmë Ungjillin që flet për tradhëtinë e Judës dhe sidomos të Mërkurën e Madhe e dënojmë Judën. Madje himnologjia e Kishës është shumë e ashpër me atë. “Juda i pabesë, o poshtërsi e Judës, tradhëtari”, por kujdes; ne mund të biem në rrezikun që vetëm të etiketojmë Judën si të tillë edhe mos të shikojmë nga vetja.
Kisha në urtësinë e saj, kërkon të na thotë të gjithëve se kemi brenda vetes diçka nga Juda dhe mund të biem në lakmi edhe tradhti siç u rrëzua Juda i pabesë. Ato epitete që i vendosen atij mund t’i meritojmë edhe ne.
Unë mendoj se sot ka të krishterë që e shesin Krishtin më lirë se Juda. Juda për 30 argjenda (20 dollar) kurse disa për hiç asgjë e shesin Krishtin. Juda një herë e puthi Krishtin me tradhëti kurse ne shumë herë ikonën e Tij, ose të afërmin me hipokrizi.
Judës i erdhi keq për atë që bëri dhe e dënoi veten me varje, pavarësisht se ishte veprimi më i gabuar përsëri ka të “krishterë” që bëjnë mëkate të padëgjuara dhe jo vetëm që nuk iu vjen keq dhe nuk kanë pendim për ato mëkate që kanë bërë por duan nderim edhe respekt.
Kjo është poshtërsi më e madhe se e Judës. Këta njerez te pabesë ashtu si Juda vrasin veten e tyre shpirtërisht dhe shkojnë në humbje të perjetshme, në vendin ku vajti Juda. Prandaj le ti lutemi Zotit: "Kurse shpirtrat tanë o Krisht Perëndi dhe shpëtona”. Amin.