E ENJTJA E MADHE
Të Enjten e Madhe në mëngjes në kishat tona orthodhokse, kremtohen këto ngjarje: larja e këmbëve të nxënësve, krijimi i misterit të Eukaristisë Hyjnore në Darkën e Fundit, agonia në kopshtin e Gjethsemanisë dhe tradhtimi i Krishtit nga Juda.
Në Shërbesën e Mëngjesit dhe të Mbrëmësores himnet qëndrojnë, mbi temat në një mënyrë shumë shprehëse.Ungjilli thotë
“Të enjten, Jisui dërgoi Pjetrin dhe Joanin në qytet: “Shkoni dhe na bëni gati Pashkën që të hamë” (Luka 22:8).
Për judenjtë e Kremtja e Pashkëve ishte përkujtimi vjetor i gjithë historisë së tyre, si shpëtim nga skllavëria e faraonit në liri, nga mërgimi i Egjiptit në tokën e premtuar.
Tani Zoti Jisu Krishti është çlirimi nga djalli (princi i botës mëkatare), një kalim nga vdekja në jetë, nga bota e vjetër e mëkatit, në kohën e re të Mbretërisë së Perëndisë. Dhe Ai pikërisht, për ne e hapi këtë mundësi kalimi që quhet Pashkë. Kështu u liruam nga skllavëria e vdekjes dhe e mëkatit dhe tani jemi pjesëmarrës të një jete të re në Krishtin.
Ndërsa zoti Jisu Krishti dhe nxënësit e Tij po hanin ushqimin e Pashkës, u themelua nga vetë Krishti misteri i Kungimit Hyjnor: “Ai mori bukën, e bekoi, e ndau dhe ua dha nxënësve të Tij, duke u thënë: Ky është trupi im, që thyhet për ju për ndjesën e mëkateve. Bëjeni këtë për të më kujtuar mua. Pastaj Ai mori potirin duke thënë: Pini prej këtij të gjithë. Ky është gjaku im që derdhet për ju për ndjesën e mëkateve”.
Darka e Fundit është përtëritja e Parajsës (kopshtit të Edenit) edhe më shumë, parashijimi e Jetës në Mbretërinë e Perëndisë, ku besimtari merr dhe ha nga frutat e Pemës së Jetës dhe bëhet i pavdekshëm. Ashtu siç i ishte dhënë kjo mundësi Adamit dhe Evës, por ata ia refuzuan vetes këtë frut jete sepse dëgjuan gënjeshtrat e djallit, se do bëheshin si Perëndia të pavdekshëm duke ngrënë frutin e të mirës dhe së keqes. Pema e Jetës është Jisu Krishti dhe frutat e saj jetëdhënëse janë Trupi dhe Gjaku i tij i kulluar.
Me fjalët “Bëjeni këtë në kujtimin tim”, Krishti i zhvendos nxënësit nga Pashka e judejve dhe u kërkon atyre të mblidhen përsëri në kujtim të Tij. Kungimi Hyjnor është jeta e Kishës, është bashkimi i Krishtit me pjesëtarët e Kishës së Tij.
Në këtë darkë mistike të shprehjes së dashurisë së madhe të Perëndisë me anë të Krishtit, Juda lë mënjanë Dritën e dhomës së sipërme dhe shkon në errësirë e jashtme, për të plotësuar planet e tij të tradhtisë, kështu edhe neve që të mos biem në mëkatin e Judës, kur kungohemi themi: “Në Darkën Tënde Mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar, se nuk do tua them armiqve misterin, as do të jap puthje si Juda. Por si kusari të thërres: Kujtomë,o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde”.
Në disa Kisha Orthodhokse është traditë, që peshkopi lan edhe këmbët e priftërinjve zakonisht 12, një imitim i veprimit të përulur të Zotit që lau këmbët e nxënësve dhe të Judës tradhëtarit. Kujdes në qoftë se kemi mëkate të vdekshme, në asnjë mënyrë nuk duhet të nuk duhet të kungohemi pa u rrëfyer dhe pa lejen e atit rrëfyes është mëkat i madh dhe me pasoja negative siç na këshillon apostull Pavli:
“Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën”.(1Kor.11,27-32)