Tradita Orthodhokse : (Shën Pais Agjioriti - Vitamina shpirtërore)
"Krishti është i njëjti dje, sot e përjetë" (Hebr.13:8)
−Jerond, flasin shpesh për rinovimin e Kishës, thua se Kisha u plak dhe duhet të rinovohet.
−Po, u plak!... Por edhe ata që nuk kanë shpresëtari por pak tru nuk prehen në këto "të reja" që bëjnë tani dhe kërkojnë të gjejnë ato të vjetrat. Për shembull, nuk i prekin ikonat e reja, e kuptojnë vlerën e ikonës së vjetër. Ata që kanë pak tru mendojnë kështu, por ata që kanë shpresëtari si mendojnë?! Nga aty do ta kuptosh se sa të gabuara janë ato që thonë për rinovimin, etj.!
Sot, për disa që përpiqen të ruajnë pak traditën, të mbajnë kreshmë, të mos punojnë në festa, të jenë shpresëtarë thonë: “Ku ka mbetur ky. U iku vlera këtyre gjërave! Këto ishin për atë kohë!”. Dhe po t'u flasësh do të thonë: “Në ç'kohë jeton? Këto nuk bëhen tani”. Dalëngadalë po i marrin si përralla. Po Shkrimi i Shenjtë ç'thotë?: - “Jisu Krishti është i njëjtë dje, sot e për jetë”. Të paktën, në qoftë se dikush nuk mundet t'i mbajë, le të thotë: “Mëkatova, o Zot”. Atëhere Perëndia do ta mëshirojë. Por tani, ndërsa ka dobësi për vete, do të ndikojë edhe tek tjetri, sepse e vret ndërgjegjia. Merr një të demonizuar dhe vendose në një atmosferë shpirtërore. Do të shohësh se do të vijë vërdallë andej-këndej, do të ketë vështirësi dhe do largohet. E njëjta gjë ndodh edhe me ata që i vret ndërgjegja, mundohen dhe përpiqen të shtypin ndërgjegjen e tyre prandaj u thonë këto gjëra. Dhe vlerat i konsiderojnë si zakone tani dhe po i zëvendësojnë ato me çrregullsitë. Në botë sot ka një shtrembërim të madh. Bukurinë shpirtërore e quajnë të shëmtuar. Bukuria shpirtërore, domethënë, për njerëzit e botës është shëmtim. Ja, në qoftë se merr një murg dhe i pret flokët, duket shumë i shëmtuar! Por këtë shëmtim njerëzit e botës e quajnë bukuri.
Dhe e sheh, tani e luftojnë Kishën, përpiqen për shkatërrimin e saj. Mirë që nuk besojnë, por predikojnë ateizmin. Thua të mos e kuptojnë të mirën që ofron Kisha dhe ta luftojnë atë? Kjo gjë ka shumë ligësi. Të mos e njohin, të mos e pranojnë se Kisha mbron fëmijët e i ndihmon të mos bëhen rrugaçë, të bëhen njerëz të mirë? Ata i shtyjnë fëmijët të bëjnë gjëra të këqija, e lejojnë shkatërrimin e tyre lirshëm. Ndërsa Kisha ç'mëson? “Të jetë i riu i urtë, të respektojë të tjerët, të ruajë dlirësinë, që të paraqitet në shoqëri njeri siç duhet”. Por, gjërat do të vijnë përsëri në vendin e tyre. Në Rusi, një gjyshe po lutej e ulur në gjunjë pranë një kolone. Aty shkoi edhe një grua e re, e cila ishte një shkencëtare e madhe dhe i tha: "Në këtë kolonë ku lutem dhe po qaj unë tani, do të vish më vonë të qash edhe ti. Gjërat tuaja do të vijnë dhe do të shkojnë, ndërsa krishtërimit nuk i humbet asnjëherë rëndësia”