Në lidhje me mendimet ndërhyrëse dhe mashtrimet ( Pjesa e dytë ) - Shkëputur nga libri i Arkimandrit Sofronit Shën Siluan Athoniti
Ne biem dhe mashtrohemi kur ne mendojmë se jemi më inteligjentë dhe më të praktikuar se të tjerët, madje edhe se ati ynë shpirtëror. Në përvojën time unë mendova kështu njëherë dhe pësova për këtë; dhe e falënderoj Perëndinë me gjithë zemër, që nëpërmjet kësaj më përunji dhe më ndriçoi dhe nuk e hoqi prej meje mëshirën e Tij. Dhe tani unë mendoj se është e pamundur t’i shpëtosh mashtrimit nëse ne nuk rrëfehemi te ati ynë shpirtëror, sepse Zoti i ka dhënë konfesorit pushtetin për të lidhur dhe për të zgjidhur.
Nëse shikon një dritë brenda teje ose jashtë, mos i zë besë, në qoftë se, në të njëjtën kohë me dritën, zemra jote brenda teje nuk është shkrirë nga dashuria për Perëndinë dhe të afërmin; por as mos u tremb. Përunje vetveten dhe drita do të zhduket.
Nëse ti shikon ndonjë vizion apo imazh, ose një ëndërr, përsëri mos ki besim në të, sepse po të jetë prej Perëndisë, Zoti do të të ndriçojë. Shpirti që nuk e njeh shijen e Shpirtit të Shenjtë nuk është në gjendje ta kuptojë origjinën e një vizioni.
Armiku i afron shpirtit një ëmbëlsi të përzier me vetëkënaqësi të kotë dhe si pasojë njihet prania e mashtrimit.
Etërit e Kishës thonë se shpirti ndjehet i turbulluar dhe i ngatërruar në vizionet që vijnë nga armiku. Por kjo i ndodh vetëm shpirtit të përunjur, i cili nuk e llogarit veten të denjë për vizione, dhe ndjehet ose i çuditur dhe i hutuar, ose i trembur prej veprimit të armikut; ndërsa njeriu i mashtruar nuk ndjen as frikë dhe as hutim, sepse ai do që të ketë vizione dhe e konsideron veten të denjë për to, dhe kështu është lehtë për armikun ta mashtrojë atë.
Çfarë është prej qiellit bëhet e njohur me anë të Shpirtit të Shenjtë, ndërsa gjërat tokësore zbulohen nga mendja - por njeriu, i cili do që të zbulojë Perëndinë me mendjen e tij, nëpërmjet shkencës dhe studimit, është në gjendje mashtrimi, sepse Perëndia bëhet i njohur vetëm me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Nëse do të mendoje se shikon demonë në mendjen tënde, përunje veten dhe përpiqu të mos t’i shikosh.
Nxito te konfesori yt ose te stareci, tek i cili e ke dorëzuar veten. Tregoji atij gjithçka, dhe atëherë, Zoti do të ketë mëshirë për ty dhe ti do t’i shpëtosh mashtrimit. Por, nëse ti fillon e mendon, se ti di rreth jetës shpirtërore më shumë sesa ati yt shpirtëror dhe nuk i tregon më atij në rrëfim se çfarë po të ndodh, me siguri, ti do të gënjehesh nga krenaria jote.
Luftoje armikun me armën e përunjësisë.
Kur ti gjen në mendjen tënde një tjetër mendje, përunje vetveten dhe lufta do të pushojë.
Nëse të ndodh të shohësh demonë, mos u tremb, por përunje vetveten dhe demonët do të zhduken; por, nëse ti pushtohesh nga frika, ti nuk do të shpëtosh i padëmtuar. Ji trim. Mbaj ndër mend se Zoti po të vëzhgon, për të parë nëse ti shpreson në Atë.
Nëse ti ke rënë në mashtrim dhe do të doje të çlirohesh, mos u dëshpëro, sepse Zoti i do të gjithë njerëzit, do të të shërojë dhe ti do të gjesh prehje prej mendimeve të ardhura nga armiku. Por, që të gjesh prehje prej demonëve, ti duhet ta përunjësh veten dhe të thuash, “Unë jam më i keqi i njerëzve, më i keq edhe se kafshët e paarsyeshme apo bishat e egra,” dhe bëj një rrëfim të pastër tek një prift dhe demonët do të largohen prej teje.
Ashtu si njerëzit që hyjnë e dalin nga një shtëpi, po ashtu edhe mendimet që burojnë prej të ligut, do të vijnë edhe do të shkojnë përsëri, nëse ti nuk i pranon ato.
Nëse një mendim i brendshëm të thotë të vjedhësh dhe ti rri e dëgjon atë, duke e dëgjuar, ti i jep të ligut pushtet mbi ty. Nëse një zë të pëshpërit të hash shumë - të hash sa të ngopesh - dhe ti ha e ha, përsëri një demon ka marrë pushtet mbi ty. Në të njëjtën mënyrë, nëse ti i lejon sugjerimet e çdo pasioni të zënë vend tek ty, ti do të bëhesh banesa e demonëve. Por, nëse ti pendohesh si duhet, shpirtrat e këqij do të dridhen dhe do të detyrohen të largohen prej teje.
Kur ne vajtojmë për mëkatet tona dhe i përunjim shpirtrat tanë, ne nuk shohim vizione, dhe shpirti nuk ka dëshirë për to; ndërsa kur ne ndalojmë së vajtuari dhe e harrojmë përunjësinë, ne mund të tërhiqemi për të shikuar vizione.
Për një kohë të gjatë unë nuk e kuptoja përse ne duhet të vazhdojmë me një zemër pendonjëse, kur Zoti na i ka falur mëkatet. Por, më vonë, unë e kuptova se ku mungon pendimi nuk mund të mbahet përunjësia; sepse shpirtrat e këqij janë krenarë dhe do ta fusin krenarinë tek ne, ndërsa Zoti mëson butësi, përunjësi dhe dashuri, dhe nëpërmjet tyre, shpirti gjen prehje.
Ne duhet të jemi të guximshëm në luftën ku jemi angazhuar. Zoti i tha profetit Jeremia, “Shko, prediko dhe ji trim, përndryshe unë do të të dënoj ty.” (“Thuaju atyre tërë ato që do të të urdhëroj. Mos u tmerro para tyre, përndryshe do të të bëj që të tmerroshesh para tyre.”)
Zoti e do shpirtin që është trim dhe i urtë dhe nëse ne nuk kemi, as kurajo dhe as gjykim, ne duhet t’ia kërkojmë ato Perëndisë dhe të dëgjojmë etërit tanë shpirtërorë - në ata banon hiri i Shpirtit të Shenjtë. Në veçanti, njeriu, mendja e të cilit ka pësuar dëmtim nga veprimi i demonit, nuk duhet në asnjë mënyrë t’i besojë vetes, por gjithmonë të dëgjojë konfesorin e tij.
Fatkeqësia shpirtërore na ndodh për shkak të krenarisë, ndërsa ajo trupore, shpesh dërgohet prej Perëndisë, prej dashurisë së Tij për ne, siç ishte në rastin e Jobit, në vuajtjet e tij të shumta.
Eshtë shumë vështirë ta dallosh krenarinë në vetvete. Por, ja po ju them disa shenja: nëse armiku (demonët) ju sulmon apo ju torturojnë mendime të gabuara, do të thotë se po ju mungon përunjësia, dhe kështu, edhe në qoftë se nuk e dalloni praninë e krenarisë te ju - përunjeni vetveten.
Nëse je zëmërak ose, si i thonë, “nevrik”, kjo është një fatkeqësi e vërtetë. Paraksizmet ose ataket e ankthit psikik janë sëmundje që duhen kuruar me unjësinë e shpirtit, me pendim dhe me dashurinë ndaj vëllezërve dhe ndaj armiqve.