Vajtimi i Adamit ( Pjesa e dytë ) - Shkëputur nga libri i Arkimandrit Sofronit Shën Siluan Athoniti
O dashuri e Zotit! Ai që ka arritur të të njohë, të kërkon,
pa u lodhur, ditë edhe natë, duke thirrur me zë të lartë:
“Unë po tretem për Ty, o Zot, dhe po të kërkoj me lot.
Si do të mundesha unë mos të të kërkoja?
“Ti më bëre mua të të njoh me anë të Shpirtit të Shenjtë,
“Dhe në njohjen e tij të Perëndisë shpirti im priret të të kërkojë Ty me lotë.”
Adami vajtoi:
“Shkretëtira nuk mund të më pëlqejë;
as malet e larta, as livadhet e pyjet,
as cicërima e zogjve.
“Nuk gjej kënaqësi në asgjë.
“Shpirti im hidhërohet me një hidhërim të madh:
“Unë kam hidhëruar Perëndinë.
“Dhe sikur Zoti të më vendoste përsëri në parajsë,
edhe atje, do të vajtoja dhe do të isha i hidhëruar -
“O përse e hidhërova Perëndinë tim të dashur?”
Shpirti i Adamit u sëmur kur ai u përzu nga parajsa, dhe të shumtë ishin lotët që ai derdhi në pikëllimin e tij. Po ashtu, çdo shpirt që ka njohur Zotin, ka mall për Atë, dhe thërret:
“Ku je Ti, o Zot? Ku je Ti, o Drita ime?
“Përse e ke fshehur faqen Tënde prej meje?
“Ka shumë kohë që shpirti im nuk të ka parë ty,
dhe ai lodhet pas Teje dhe të kërkon me lot.
“Ku është Zoti im?
“Përse shpirti im nuk e shikon Atë?
“Çfarë e pengon që të banojë tek mua?”
Kjo e pengon: përunjësia si e Krishtit dhe dashuria për armiqtë e mi nuk janë te mua. Perëndia është dashuri e pashuar, dashuri e pamundur për t’u përshkruar.
Adami eci në tokë, duke vajtuar nga vuajtjet e shumta të zemrës së tij, ndërsa mendimet e mendjes së tij ishin në Perëndinë; Dhe kur trupi i tij u ligështua, dhe nuk mundej më të derdhte lotë, përsëri shpirti i tij digjej nga malli për Perëndinë, Sepse nuk mundte dot ta harronte parajsën dhe bukurinë e saj.
Por, edhe më tepër, ishte fuqia e dashurisë, e cila e bënte shpirtin e Adamit të shtrihej drejt Perëndisë.