Vajtimi i Adamit ( Pjesa e katër ) - (Shkëputur nga libri i Arkimandrit Sofronit Shën Siluan Athoniti)
Përse rri i heshtur?... Ja, e tërë bota është në mundim ...
A je ti kaq shumë i mbushur me dashurinë e Perëndisë, saqë nuk mund të
mendosh më për ne?
Apo ti vështron Nënën e Perëndisë në lavdi,
dhe nuk mund ta shqitësh veten prej kësaj pamje,
dhe nuk mundesh dot të dërgosh tek ne që vuajmë një fjalë të ëmbël,
që ne të mund të harrojmë hidhërimin këtu në tokë?
O Adam, ati ynë, ti e shikon ligësinë e bijve të tu në tokë. Përse rri i heshtur?
Dhe Adami flet:
“Biri im, lermë në paqe.
“Unë nuk mund ta shkëpus vetveten prej dashurisë së Perëndisë, për të folur me ju.
“Shpirti im është plagosur nga dashuria e Perëndisë,
dhe gëzohet në bukurinë e Tij.
Si do të mund të kujtohem për tokën?
Ata që jetojnë para Faqes së të Lartit
nuk mund të mendojnë për gjërat tokësore.”
O Adam, ati ynë, ti na ke harruar ne, jetimëve të tu,
megjithëqë mjerimi është shorti ynë në tokë.
Tregona, çfarë duhet të bëjmë, që të jetë e pëlqyeshme te Perëndia?
Hidh syrin mbi fëmijët e tu të shpërndarë mbi faqen e dheut,
mendjet tona janë të shpërndara, gjithashtu. Shumë e kanë harruar Perëndinë.
Ata jetojnë në errësirë dhe udhëtojnë drejt humnerës së ferrit.
“Mos më shqetëso. Unë shoh Nënën e Perëndisë në lavdi -
“Si mund ta shkëpus veten për të folur me ju?
“Unë shoh Profetët dhe Apostujt e shenjtë; dhe të gjithë ata janë
në ngjashmërinë e Zotit tonë Jisu Krisht, Birit të Perëndisë.
“Unë shëtis në kopshtet e parajsës,
dhe kudo vështroj lavdinë e Zotit.
“Sepse Zoti është brenda meje dhe më ka bërë të ngjashëm me Atë Vetë.
O Adam, përsëri ne jemi fëmijët e tu!
Tregona, neve, në vuajtjen tonë, si mund ta trashëgojmë parajsën,
që ne, ashtu si ti, të mund të shikojmë lavdinë e Zotit.
Shpirtrat tanë kanë mall për Zotin, ndërkohë që ti jeton në qiell
dhe gëzon në lavdinë e Zotit.
“Përse thërrisni te unë, o bijtë e mi?
“Zoti ju do dhe ju ka dhënë porositë.
“Zbatoni ato, doni njëri-tjetrin,
dhe do të gjeni prehje në Perëndinë
“Mos lejoni që të kalojë asnjë çast pa u penduar për fajet tuaja,
që të jeni të gatshëm ta takoni Zotin.
“Zoti tha: “Unë i dua ata që më duan,
dhe i lavdëroj ata që më lavdërojnë.”
O Adam, lutu për ne, bijtë e tu.
Shpirtrat tanë janë të trishtuar prej shumë hidhërimeve.
O Adam, ati ynë, ti banon në qiell,
dhe vështron Zotin që rri në lavdi
në të djathtën e Perëndisë Atit.
Ti shikon Keruvimet dhe Serafimet dhe të gjithë Shenjtorët,
dhe dëgjon këngët qiellore,
ëmbëlsia e të cilave e bën shpirtin tënd ta harrojë tokën.
Por, ne, këtu në tokë, jemi të trishtuar dhe jemi shumë të lodhur për Perëndinë.
Ka shumë pak zjarr brenda nesh,
me të cilin, ta duam Zotin të flakëruar.
Frymëzona, çfarë duhet të bëjmë për të fituar parajsën?
Adami përgjigjet:
“Lermëni në paqe, bijtë e mi,
sepse nga ëmbëlsia e dashurisë së Perëndisë,
unë nuk mund të mendoj rreth tokës.”
O Adam, shpirtrat tanë janë të lodhur,
dhe ne jemi të mbingarkuar me brenga.
Fol një fjalë ngushëllimi për ne.
Këndo për ne nga këngët që ti dëgjon në qiell,
që i gjithë dheu të mund t’i dëgjojë dhe njerëzit të harrojnë vuajtjet e tyre...
O Adam, ne jemi shumë të trishtuar.
“Më lini në paqe. Koha e mundimit ka kaluar.
“Nga bukuria e parajsës dhe nga ëmbëlsia e Shpirtit të Shenjtë unë nuk mundem më të kujtohem për tokën.
“Por, unë po ju them këtë:
“Zoti ju do dhe jetoni në dashuri
dhe jini të bindur tek ata që kanë autoritetin mbi ju.
“Përunjini zemrat tuaja, dhe Shpirti i Perëndisë, do të banojë në ju.
“Ai vjen butësisht në shpirt dhe i jep atij paqe,
dhe i sjell pa fjalë dëshmi për shpëtimin.
“Këndojini Perëndisë në dashuri dhe në frymë të përunjur,
sepse Zoti gëzohet në to.