Shën Suzana, Martire Oshënare
Shën Suzana jetoi gjatë fundit të shekullit të tretë. Ishte me origjinë nga Palestina. Babai i saj ishte Artemi, i cili ishte idhujtar dhe prift i idhujve dhe nëna e saj ishte Marta, e cila ishte judease. Por ajo vetë njohu besimin e krishterë, për këtë arsye u pagëzua si e krishterë prej episkopit Siluan.
Ky veprim i zemëroi shumë idhujtarët dhe hebrenjtë, të cilët vendosën që ta vrisnin. Por planin e vrasjes së saj e mësoi episkopi dhe bashkë me Shenjtoren u përpoqën që të gjenin një zgjidhje. Përfundimisht zgjidhjen e dha Suzana. Shpërndau të gjithë pasurinë tek të varfërit, u vesh si burrë dhe braktisi Jerusalemin. Në rrugën për në shkretëtirë ndeshi një komunitet burrash besëmirë, ku jetoi edhe ajo si burrë. Aty u quajt Joan dhe asketizoi për 20 vite. Më pas shkoi në Elefteropol, ku veshi përsëri stolinë e saj femërore.
Kur kisha rrezikonte prej përndjekjeve të Dioklecianit, Suzana pa u trembur aspak, vazhdoi që të adhuronte Jisu Krishtin në mënyrë të hapur. Për këtë arsye u arrestua dhe pasi nuk dëshironte që t’ju sakrifikonte idhujve, u dënua së bashku me të tjerë me vdekje.
Shën Suzana dha frymën e saj tek Zoti brenda në zjarr.