Shën Kozmai i Etolisë > 24 gusht
August 24, 2022 at 6:00 am,
No comments
Shën Kozmai ishte apostull dritësjellës i Ungjillit, në kohët e errta të skllavërisë osmane. Kisha e Krishtit, për të nderuar përpjekjen dhe ofrimin e tij e ka quajtur Isapostull (të barabartë me Apostujtë).
Shën Kozmai lindi në vitin 1714 në fshatin Taksiarkis të zonës së Apokurës që gjendet pranë fshatit Megalo Dhendro të Navpaktos. Prindërit e tij ishin besëmirë dhe e rritën me kujdes dhe edukatë më Krishtin. Në moshën 20 vjeçare shkon në Malin e Shenjtë për të studiuar në shkollën e Vatopedhit. Fillimisht shën Kozmai quhej Kostandin. Pas studimeve të tij shkoi në Manastirin e Filotheit, ku u qeth murg (1759) dhe më pas u bë Hieromonak duke marrë emrin Kozma.
Shenjti duke e ditur se të krishterët ishin në rrezik, nuk ishte i qetë dhe ditë e natë digjej nga dëshira që të dilte dhe t’u mësonte të krishterëve të skllavëruar Shkrimet e Shenjta. Por, e konsideronte veten të përulur dhe të pamundur për të marrë përsipër një detyrë të tillë. Me zbulesë hyjnore shkoi në Kostandinopojë, ku takoi vëllain e tij Krisanthin, i cili ishte mësues. Ai i bëri disa mësime oratorie, që do ta ndihmonin Kozmain në predikime. Më pas, pasi mori leje nga Patriarku Serafim shkoi për t’i mësuar “rajasë” fjalën e Perëndisë.
Kështu, Shën Kozmai, fillimisht predikoi në Kostandinopojë dhe në vazhdim shkoi në Etolokarnani. Me një leje të re shkoi edhe në ishujt Dhodhekanezë dhe në Malin e Shenjtë. Në vazhdim shkoi në Selanik, Veria dhe në të gjithë Maqedoninë. Më vonë arriti në Himarë, u kthye pastaj në Epirin e Jugut dhe prej andej u hodh në Lefkadhë dhe Qefalonia. Shkoi edhe në Zakinth, Korfuz dhe më pas rikthehet në Shqipërinë e Jugut.
Kudo ku kaloi, ndërtoi shkolla, kisha dhe një mori njerëzish u mblodhën dhe “thithën nektarin” e mësimit të tij të shenjtë.
Përfundimisht, zilia e Hebrenjve, në bashkëpunim me osmanët, kishte si rezultat varjen e Shenjtit në Kolkondas të Shqipërisë së Jugut në vitin 1779. Lipsanin e tij e hodhën në ujërat e lumit Seman. Pavarësisht gurit të lidhur në qafë, lipsani notoi mbi ujë. U gjend nga prifti Marko dhe u varros në Manastirin e Hyjlindëses në Kolkondas.
Njohja e tij kanonike si shenjt u bë më 20 prill 1961 nga Patriarkana Ekumenike, përveç shërbesës dhe jetës së tij të shkruar në gjuhën greke, Shërbesa dhe jeta e tij u shkruajtën në shqip edhe nga Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shipërisë, Kristofor Kissi. Shumë shkrimtarë të mëvonshëm janë marrë me jetën dhe veprën e këtij shenjti të madh. Shumë ikona dhe afreska në nder të tij tregojnë për nderimin dhe mirënjohjen e të krishterëve për yllin e ndritshëm të Malit të Shenjtë.
Fjalët e tij ishin profetike, të mbushura me hir hyjnor dhe thjeshtësi. Dikur ju tha banorëve të një fshati. “Erdha në fshatin tuaj dhe ju predikove. Pra, është e drejtë të më paguani për veprimtarinë time. Me para të më paguani? E për çfarë më duhen ato? Pagesa ime është që ju të vendosni fjalët e Perëndisë në zemrat tuaja, që të fitoni jetën e përjetëshme”.