Oshënar Efremi nga Kievi
Oshënar Efremi lindi në Kiev dhe ishte ekonomist i princit të Kievit Iziaslavit, të birit të Jaroslavit (1054-1068). U bë murg dhe asketizoi në Lavrën e Madhe të Shpellave të Kievit. Por djalli që sjell urrejtje vuante teksa shihte shtimin e familjes së murgjërve. Djalli bëri që hegjemoni Iziaslav të zemërohej dhe t’u shkaktonte shumë dhimbje Etërve të Shpellave. Kur kjo sprovë kaloi, Oshënari u dha me zell të shenjtë në asketizëm dhe lutje. Dëshira e tij që të vizitonte vendet e shenjta e çoi atë në Kostandinopojë dhe në Palestinë. Dëshironte që të falej nëpër vendet ku luftuan dhe jetuan Apostujt e Shenjtë, Etërit e mëdhenj dhe Asketët e shkretëtirës. Kur u kthye në Lavrën e Kievit solli edhe tipikonë monastike dhe rendin kishtar të murgjërve të manastirit të Studitëve në Kostandinopojë.
Oshënar Efremi, rreth vitit 1090 u zgjodh Episkop i qytetit Perejaslav dhe u hierotonis prej Mitropolitit Joan të Kievit. Kështu pasi jetoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia, fjeti në paqe në vitin 1098 dhe u varros në Lavrën e Shën Andonit të Kievit.