Oshënar Petro : 1 Korrik
Oshënar Petroja jetoi gjatë viteve të mbretërimit të
perandorëve Kostandin dhe Irini (780).
Babai i tij quhej Kostandin dhe ishte Patric dhe gjeneral i perandorit. Kështu Petroja kishte mundësinë dhe studioi filozofi dhe shkenca të tjera, nëpër shkollat më të mira. Më pas u martua dhe pas vdekjes së babait të tij, u bë Domestik i shkollave dhe Patric. Atëherë perandor ishte Niqifori I. Por në një fushatë ushtarake të dështuar kundër bullgarëve, Petroja bashkë me 50 arkondë të tjerë arrestohet.
Më pas thuhet, se ju shfaq Shën Joan Ungjillori, e çliroi dhe e shoqëroi deri në atdheun e tij. Por Petroja përbuzi gjërat e botës, u ngjit në malin e Olimbit dhe u bë murg pranë Oshënar Joanikut.
Pas 34 vitesh, dhe kur vdiq jerondi i tij i shenjtë, u rikthye në Kostandinopojë (847). Aty pranë Kishës së Evandrit që kishte ndërtuar ai vetë, ndërtoi një kasolle të vogël. Brenda kësaj kasolleje jetoi për tetë vite me asketizëm dhe në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia.
Oshënar Petroja vdiq me paqe në vitin 854.