Shën Kirili Oshënar martiri nga Selaniku : 6 Korrik
I vetmi burim që ruan Martirionin dhe shërbesën e Oshënarmartirit Kiril është dorëshkrimi athonik 347 i manastirit të Dhionisit. Bëhet fjalë për një tekst të shkruar në gjuhën e folur dhe sipas të gjitha gjasave vepër autografike e autorit anonim të Martirion-it, që daton nga fundi i shekullit 17-të dhe fillimi i shekullit 18-të.
Sipas Martirionit emri i mëparshëm i Kirilit ishte Qiriako, ai kishte lindur në Selanik në vitin 1544 gjatë periudhës së sulltan Sulejmanit. I ati i tij quhej Peios dhe ishte me origjinë nga zona e Pelagonisë dhe qëndronte bashkë me familjen e tij në zonën e akropolit të Selanikut.
Në moshën 10 vjeçare Qiriako mbeti jetim, dhe si rrjedhojë kujdesin e tij e morën përsipër dy të afërmit e tij, të afërm të nënës së tij, njëri prej të cilëve ishte mysliman. Përfundimisht daja i tij mysliman, mori përsipër rritjen e tij dhe e dërgoi tek një lëkurpunues mysliman që të mësonte dhe të ushtronte pranë tij profesionin.
Megjithatë, Kiriako duke ndjekur këshillat e dajës tjetër, i cili ishte i krishter besëmirë, vendosi që të braktiste fshehtazi kujdestarin e tij mysliman dhe të ndiqte disa murgj agjiorit, të cilët në atë kohë ndodheshin në Selanik. Në moshën 14 vjeçare Qiriako arriti në Malin e Shenjtë dhe u qeth murg në Manastirin e Hiliandarit, duke marrë emrin murgjëror Kiril.
Kirili, pasi ishte i vogël në moshë dhe nuk i lejohej qëndrimi në Manastir, asketizoi për tetë vite në një metoq të Manastirit të Hiliandarit dhe në moshën 22 vjeçare udhëtoi bashkë me dy murgj hiliandarit në Selanik, ku takoi dajën e tij të krishter. Kur kalonte nga zona e akropolit drejt limanit bashkë me kushuririn e tij, të birin e dajës së krishterë, rastësisht takoi ish kujdestarin e tij mysliman, i cili edhe pse kishin kaluar shumë kohë, e njohu Kirilin. Menjëherë thirri myslimanët e tjerë që të kapnin Kirilin me akuzën se, ndërsa më parë kishte përqafuar myslimanizmin, në vijim e kishte mohuar atë dhe kishte ndryshuar besim.
Kirili u çua menjëherë tek kadiu turk i Selanikut, i cili u përpoq që ta bindte të braktiste besimin e krishterë dhe të bëhej mysliman. Kur pa se përpjekja e tij nuk solli ndonjë rezultat urdhëroi që ta futnin në burg me qëllim që të merrte vendimin e tij ditën tjetër.
Ditën tjetër Kirili u çua përsëri tek kadiu, i cili u përpoq për herë të dytë që ta tërhiqte në islam me premtime dhe kërcënime, por kur pa se përpjekja i shkoi dëm, e dënoi me vdekje me anën e zjarrit. Kirili u soll tek gjendja e tërbuar e turqve fanatik dhe e xhelatëve të tij në vendin e ekzekutimit të tij, në Hipodromin e vjetër bizantin të qytetit, pranë kishës së Shën Kostandinit dhe Elenit, e cila kujtohet për herë të parë në sinaksarin e Shërbesës së Oshënarmartirit Kiril.
Sundimtari turk u përpoq për herë të fundit, si zakonisht, të bindte Kirilin, duke i ofruar rehati dhe kënaqësi materiale, por Kirili nuk pranoi, duke thënë se për të e vetmja pasuri ishte Krishti. Pas kësaj përgjigje sundimtari urdhëroi xhelatët që ta hidhnin Kirilin në zjarr, i cili dogji trupin e tij më 6 Korrik 1566.