Oshënar Thomai në Maleo : 7 Korrik
Informacioni që kemi për Oshënar Thomain është i pakët dhe i pakonfirmuar. Nga ka ardhur dhe në cilën epokë ka jetuar, nuk e dimë. Për sa i përket kohës së veprimit dhe ushtrimit të tij, dy janë versionet më të mundshme:
Sipas një versioni ai jetoi gjatë shekujve 13-14, ndërsa sipas diptikëve të kishës së Greqisë, mendohet se ai ka jetuar në shekullin 10.
Oshënar Thomai, para se të merrte zgjedhën e Krishtit, ishte i lavdishëm dhe i famshëm si për pasurinë, ashtu edhe për fuqinë që zotëronte, ndërsa thuhet se ishte një ushtarak që kishte arritur shumë fitore kundër barbarëve. Por nga shërbesa e tij duket se ai ka hasur në disa hidhërime në jetën e tij dhe për këtë arsye ka lënë botën dhe ka ndjekur rrugën e vështirë të asketizmit. Prandaj, ai u bë murg dhe u vendos në malin Maleos në Lakoninë Jugore (në kepin e Peloponezit Malea ose Kepin Malia).
Nga vendi, me shpatet e tij të thepisura dhe gurët e pjerrët, që Shenjtori zgjodhi për të asketizuar mund të vlerësojë dikush edhe asketizmin që ai bëri. Ky njeri i pasur dhe i famshëm imitoi përulësinë dhe varfërinë e Dhespotit Krisht. Nga pallatet ai preferoi një shpellë mes qiellit dhe tokës në malin Maleos, për të nxjerrë prej andej rrugën për në qiell. Në luftën e tij të vështirë, ky ushtar i lavdishëm i besimit kishte armë kreshmën, agripninë dhe lutjen dhe arriti të sillte fitore e trofe kundër shpirtrave të këqij.
Sipas biografëve të tij, Oshënar Thomai, u denjësua të drejtohej nga profeti Ilia në malin Maleos me një shtyllë zjarri, ndërsa në sinaksarin e lashtë të Kostandinopojës shkruhet se vetë shenjtori u shfaq si një shtyllë zjarri me vizitën e profetit të madh Ilia, mënyrën e jetës së të cilit ai e imitoi me zell.
Thomai, ua kalonte shumë njerëzve për nga virtyti, kështu që kur lutej, iu shfaq atyre që ishin larg dhe në të vërtetë atyre më të avancuarve në virtyt, si një shtyllë zjarri. Gjithashtu, sipas traditës së banorëve të fshatit Velanidia, banorët e Kythirës, ishullit i cili ndodhet përballë kepit të Malisë, panë një shtyllë zjarri nga qielli në kohën kur Oshënar Thomai ishte asket.
Shenjtori, megjithatë, nuk ishte i njohur vetëm për jetën e tij, por edhe për mrekullitë që bënte: Ai dëboi demonët nga njerëzit, u jepte dritë të verbërve, çalamanët i bënte që të ecnin dhe me lutjen e tij bënte që nga toka të buronte ujë. Përsa i përket burimit së ujit, sipas gjeologëve, nuk justifikohet nga natyra. Tradita thotë se murgjit që asketizonin në malin Maleos u përballën me probleme sepse nuk kishte burim uji aty pranë. Pra, Oshënar Thomai ose goditi me shkopin e tij, ose mbështeti pëllëmbën e dorës në tokë dhe uji doli nga pesë vende. Ky burim njihet si Ajazma.
Vdekja e gjeti duke bërë bamirësi vazhdimisht, sepse gjatë kohës së vetmisë së tij, ai u lut për të gjithë dhe u përgatit për t'u bërë një instrument i denjë i Perëndisë, në dobi të të afërmit të tij.
Oshënar Thomai është përfshirë në rrethin e Shenjtorëve të Kishës sonë Orthodhokse, duke nderuar veçanërisht Lakoninë, në vendin e së cilës asketizoi dhe bëri mrekulli.