Shën Manueli nga Sfakion : 15 Mars
Ky Martiri i Ri lindi në Sfakia të Kretës, prej prindërsh besëmirë. Në moshë të vogël u zu rob prej turqve, dhe u islamizua me dhunë dhe në vazhdim shërbeu si shërbëtor i pengmarrësve të tij. Por gjeti mundësinë dhe u arratis nga shtëpia e zotërinjve të tij dhe shkoi në ishullin Mikonos, ku u rrëfye dhe filloi të bënte një jetë të krishterë.
Aty u martua dhe bëri gjashtë fëmijë. Por pasi bashkëshortja e tij tradhëtoi nderin e saj bashkëshortor, Shenjti bashkë me gjashtë fëmijët lëvizën në një shtëpi tjetër. Por vëllai i bashkëshortes së tij të pabesë, i cili shërbente në flotën turke, e akuzoi Manuelin tek kapedani turk se, ndërsa Manueli ishte bërë mysliman ishte rikthyer në fenë e krishterë.
Kur u arrestua nga kapedani turk, Manueli me guxim pohoi besimin e tij tek Krishti. Pas shumë torturash i’u dha admiralit Kuxhuk që gjendej në ishullin Kios. Ai e gjykoi dhe e dënoi me vdekje. Kështu që shërbyesit e admiralit e morën Manuelin dhe e sollën në vendin e ekzekutimit, që quhej Palia Vrisi. Dhe ndërsa martiri përkuli qafën, xhelati, që kishte marrë urdhër për ta vrarë, u frikësua, hodhi tej shpatën dhe u largua. Atëherë shpatën e mori një nënoficer, i cili pasi nuk mundi që ta priste kokën e shenjtit, edhe pse e goditi shumë herë, e hodhi në tokë dhe e theri në mënyrën më të tmerrëshme sikur të ishte një dele.
Të gjitha këto u bënë në Kios, më 15 mars 1792, ditën e hënë, në orën 4 pasdite. Lipsanin e nderuar të shenjtit, turqit e hodhën në det. Një dëshmi e këtij martiri në dorëshkrim gjendet në bibliotekën e Manastirit të Ksenofondës në Malin e Shenjtë.