Shën Anania Mrekullibërësi : 16 Mars
Shën Anania që në moshë të vogël donte qetësinë dhe asketizmin. Në moshën 15 vjeçare humbi prindërit e tij dhe shkoi në shkretëtirën e Mesopotamisë. Aty qëndroi pranë një murgu të quajtur Maiuma, i cili dallohej për shenjtërinë e jetës së tij. Asketizimi i tyre ishte shumë i rreptë, në një shkallë të tillë sa që Oshënarët shumë herë hanin çdo 40 ditë. Kur murgu Maiuma u largua nga ai vend, Oshënari qëndroi aty dhe asketizoi si eremit dhe hezikast. Dhe pasi me përpjekjen e tij hodhi tej pasionet e trupit, mori prej Perëndisë dhuntinë e zbutjes së kafshëve të egra.
Fama e Oshënarit i tejkaloi kufinjtë e vendit të tij të asketizmit dhe një numër i madh besimtarësh e vizitonin që të merrnin bekimin e tij, të dëgjonin këshilla shpirtërore dhe të shëroheshin. Oshënari kishte edhe dhuntinë e mrekullibërjes dhe me lutjen e tij shëronte të vuajturit dhe të sëmurët.
Madje edhe ujin që i nevojitej Oshënari e sillte në qelinë e tij prej lumit Eufrat. Për këtë arsye dhe për nevojat e besimtarëve që e vizitonin ndërtoi një depozitë të vogël. Kur njëherë e vizituan shumë njerëz, Oshënari urdhëroi nxënësin e tij që të sillte ujë, që udhëtarët të shuanin etjen. Nxënësi i tha se uji ishte i paktë dhe nuk mjaftonte për të tërë. Atëherë Shenjti ktheu vështrimin e tij nga qielli, u lut me besim dhe i tha nxënësit të shkonte të merrte ujë për pelegrinët e etur. Dhe çfarë mrekullie! Depozita ishte plot me ujë të freskët dhe të pastër. Dhe të gjithë u mahnitën dhe lavdëruan Perëndinë për bamirësinë e Tij.
Episkopi i Qesarisë Patrici, kur u informua, se shenjti e sillte i vetëm ujin nga lumi, i fali atij një kafshë për ta lehtësuar. Por një ditë në qelinë e Shenjtit erdhi një njeri i varfër, të cilit i bënte presion huadhënësi i tij. Ky njeri i rrëfeu Shenjtit problemin e tij. Oshënari nuk donte që ta linte të largohej me duart bosh, prandaj i fali kafshën, që ta shiste dhe të lante paratë që kishte borxh.
Oshënar Anania bëri edhe shumë mrekulli të tjera dhe e kaloi jetën në dobi të njerëzve dhe veçanërisht të vuajturve dhe të varfërve.
Jetoi në vendin e tij të asketizmit për 95 vite, pa lëvizur nga ai vend. Ai gjithashtu krijoi një Vëllazëri, e cila përbëhej nga shumë asketë. Pak para fundit të tij të lumur, mblodhi të gjithë pjesëtarët e Vëllazërisë, caktoi pasuesin e tij dhe në vijim bekoi murgjit. Pak ditë më vonë Oshënar Anania fjeti me paqe në moshën 110 vjeçare.