Për dashurinë ! (Shkëputur nga libri i Akrimandrit Sofronit "Shën Siluan Athoniti")
Asnjë njeri, nga vetja e tij, nuk mund të njohë se çfarë është dashuria e Perëndisë, nëse nuk është mësuar prej Shpirtit të Shenjtë; por dashuria e Perëndisë është njohur në Kishën tonë me anë të Shpirtit të Shenjtë dhe prandaj ne flasim për këtë dashuri.
Shpirti mëkatar, që nuk e njeh Zotin, i trembet vdekjes, duke menduar se Zoti nuk do t’i falë mëkatet e tij. Por kjo ndodh, ngaqë shpirti nuk e njeh Zotin dhe nuk e di se sa shumë Ai na do. Por, sikur njerëzit ta dinin këtë, atëherë, asnjë njeri nuk do të dëshpërohej, sepse Zoti, jo vetëm që fal, por gëzohet shumë në kthimin e mëkatarit. Edhe sikur të jeni në çastin e vdekjes, beso fort, se në momentin që ti do të kërkosh, do ta marrësh faljen.
Zoti nuk është si ne. Ai është shumë i butë, i mëshirshëm dhe i mirë; dhe kur shpirti e njeh Atë, ai mrekullohet pa masë dhe thërret: “O, çfarë Zoti është Zoti ynë!”
Shpirti i Shenjtë e bëri Kishën tonë ta njohë se sa e madhe është mëshira e Perëndisë. Zoti na do dhe na pranon butë, pa qortim, ashtu si ati në historinë e Ungjillit nuk e qortoi birin e tij plangprishës, por u tha shërbëtorëve të tij që të sillnin një rrobë të re dhe vendosi një unazë të çmuar në gishtin e tij dhe këpucë në këmbët e tij dhe urdhëroi që të therrnin viçin e majmë dhe u gëzua dhe nuk e dënoi në asgjë birin e tij.
O, sa me butësi dhe me durim, duhet edhe ne ta drejtësojmë vëllanë tonë, që të ketë ketë gëzim në shpirt për kthimin e tij!
Shpirti i Shenjtë i mëson shpirtit një dashuri e shpirtmirësi të parrëfyer O vëllezër, le ta harrojmë tokën dhe gjithçka që është në të! Toka na mashtron, duke na larguar prej soditjes së Trinisë së Shenjtë, të Cilën mendja jonë nuk mund ta kuptojë, por, shenjtorët në qiell e vështrojnë Atë në Shpirtin e Shenjtë.
Ne nga ana jonë, duhet të vazhdojmë në lutje pa imagjinime, dhe t’i kërkojmë Zotit një shpirt të përunjur, dhe Zoti do të na dojë dhe do të na japë këtu në tokë të gjitha gjërat e dobishme për shpirtin dhe trupin.
O Zot i mëshirshëm, jep hirin Tënd tek të gjithë popujt e dheut, që ata të arrijnë të të njohin, sepse pa Shpirtin Tënd të Shenjtë njeriu nuk mund të të njohë, dhe të kuptojë dashurinë Tënde. Fëmijë të vegjël, njiheni Krijuesin e qiejve dhe të dheut! O Zot, dërgo mëshirën Tënde te fëmijët e tokës, të cilët Ti i do, dhe bëji ata që të të njohin me anë të Shpirtit të Shenjtë. Me lotë po të lutem, dëgjoje lutjen për fëmijët e Tu, dhe lejo që të gjithë të mund të njohin lavdinë Tënde me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Qysh prej djalërisë sime më ka pëlqyer të mendoj: Zoti u ngjit në qiell dhe po pret ardhjen tonë; por që të jemi me Zotin, ne duhet të bëhemi të ngjashëm me Atë, ose të ngjashëm me fëmijët e vegjël - të unjët dhe të butë - dhe ne duhet t’i shërbejmë Atij. Atëherë, sipas fjalëve të Zotit, “Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im” - ne gjithashtu, do të jemi me Atë në Mbretërinë e Qiejve. Por tani në këtë ditë, shpirti im është i dekurajuar dhe i demoralizuar dhe nuk jam në gjendje ta ngre mendjen të patrazuar lart te Perëndia, dhe nuk kam më lotë, me anë të të cilëve të vajtoj për punët e mia të këqija; shpirti im është tharë dhe rrënuar nga nata e kësaj jete.
O, kush do të ma këndojë mua këngën, të cilën e kam dashur qysh prej fëmijërisë sime - këngën e ngjitjes së Zotit në qiell, të dashurisë së Tij për ne, për vigjilimin e Tij për ardhjen tonë? Këtë këngë do ta dëgjoja me lotë, sepse shpirti im është i lodhur në këtë tokë.
Çfarë më ka ndodhur mua? Si ndodhi që e humba gëzimin dhe a do ta fitoj përsëri atë gëzim?
Vajtoni me mua, të gjitha ju kafshët dhe zogjtë. Vajtoni me mua ti o pyll dhe ti o shkretëtirë. Le të vajtojë me mua, çdo krijesë e krijuar nga Perëndia dhe le të më ngushëllojnë në hidhërimin dhe trishtimin tim.
Në këtë mënyrë mendoj në shpirtin tim: nëse unë që e dua Perëndinë kaq pak, jam kaq shumë i lënduar në zemër, sa shumë i madh duhet të ketë qenë pikëllimi i Nënës së Perëndisë, kur ajo mbeti vetëm në tokë mbas Ngjitjes së Zotit të saj.
Ajo nuk e shkroi historinë e dhembjes së shpirtit të saj dhe ne dimë shumë pak për jetën e saj në tokë, por kaq ne mund ta marrim me mend - që dashuria e madhe e saj, për Birin e saj dhe Perëndinë e saj, shkon përtej kuptimit tonë.
Vazhdon....