Shën Evthimi nga Peloponezi : 22 Mars
Oshënar Martiri i Shenjtë Evthim, sipas botës Elefter, lindi në një familje të pasur të Dhimicanës. U arsimua në një shkollë të këtij qyteti dhe i vijoi studimet e tij, bashkë me të vëllanë Joanin, në Akademinë Patriarkale të Kostandinopojës. Në vazhdim shkon në Jashi të Rumanisë, ku gjendej i ati i tij me vëllezërit e tij të mëdhenj Gjergjin dhe Kriston.
Elefteri vendosi që të shkojë në Malin e Shenjtë, që të bëhej murg. Por duke mos mundur që të realizojë dëshirën e tij, për shkak të kushteve që ekzistonin, shkon në Bukuresht ku qëndron pranë konsullit francez, më pas shkon pranë një gjenerali të lartë Rus Më vonë shoqërohet me disa myslimanë dhe gjatë udhëtimit të tij për në Kostandinopojë mohon Krishtin, islamizohet dhe merr emrin Reshit.
Menjëherë pas rrethprerjes së tij, i penduar për veprimin që bëri, kërkoi që të rikthehej në besimin e tij të mëparshëm. Erdhi, pra, në Kostandinopojë dhe prej andej, shkoi në Malin e Shenjtë, ku në Manastirin e Lavrës takon Patriarkun e Shenjtë Grigorin V, të cilit i rrëfeu mëkatet e tij, duke marrë prej tij mbrojtje dhe ngushëllim. Pasi shkoi në shumë skite dhe manastire duke rrëfyer mëkatin e tij dhe duke jetuar me lutje, asketizëm dhe kreshmë, bëhet murg duke marrë emrin Evthim.
Më pas më 19 mars 1814 shkon në Galata të Kostandinopojës, i shoqëruar nga një murg me emrin Grigor. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta gjatë të Dielës së Palmave, hoqi rrobën murgjërore, u vesh me veshje turke dhe vazhdoi udhën drejt martirizimit. U paraqit para vezirit Rushit Pasha dhe pasi shkeli para tij fesin turk, pohoi Jisu Krishtin dhe deklaroi se mohon fenë e Muhamedit.
Me urdhër të vezirit Martiri u fut në burg, ku u torturua rëndë. Dhe kur u risoll përsëri para vezirit, nuk ra përsëri pre e joshjeve dhe kërcënimeve të tij. I patundur dhe me shpirt fisnik Martiri Oshënar Evthim pohoi emrin e Krishtit.
Kështu më 22 mars 1814 në Kostandinopojë i pritet koka. Bashkëpatriotët e tij, që ta nderonin, bënë një kishë në emër të tij dhe në emër të Patriakut martir Grigorit V në Dhimicana.
Kisha nderon kujtimin e Oshënar Martirit Evthim edhe më 1 maj, bashkë me bashkëatletët e tij Ignatin dhe Akaqin.