Shën Llukai nga Adrianopoja : 23 Mars
Shën Llukai lindi në Adrianopojë të Trakës dhe ishte i biri i Athanasit dhe Domnicës. Në moshën 6 vjeçare mbeti jetim nga i ati dhe nëna e tij e dorëzoi tek një tregtar, me të cilin u vendos në Kostandinopojë.
Kur ishte 13 vjeç, Llukai u grind me një fëmijë turk jashtë shtëpisë së zotërisë së tij dhe e rrahu. Këtë ngjarje e panë turqit që gjendeshin aty dhe u vërsulën me inat kundër djaloshit të krishterë. Llukai që t’i shpëtonte dënimit ju tha turqve: “Më lini dhe unë do të bëhem mysliman”. Atëherë zemërimi i turqve u qetësua dhe e çuan te një turk fisnik, i cili ia doli që të konvertonte Llukain në islam dhe e mori atë në shërbimin e tij.
Megjithatë, i vrarë nga ndërgjegja, Llukai kërkoi ndihmën e zotërisë së tij të mëparshëm, i cili u mundua që ta çlironte me ndërhyrjen e Ambasadës Ruse. Por Ambasada Ruse, për të shmangur çdo anomali, tha se do ta pranonte Llukain vetëm nëse ai ikte nga shtëpia e zotërisë së tij të ri turk. Pas pak kohësh Llukai ia doli që të largohej nga shtëpia e zotërisë turk dhe me anije shkoi në Smirni dhe prej andej në Thira. Aty me këshillën e një ati shpirtëror shkoi në Malin e Shenjtë, ku qëndroi për disa kohë. Pasi kaloi nëpër disa Skite dhe Manastire, përfundimisht qethet murg në Manastirin Stavronikita. Por e përfshiu dëshira për martirizim dhe u largua nga Manastiri për në Mitilini në Mars të vitit 1802.
Për shkak të ndonjë ngjarjeje, Mitilini në atë kohë ishte në trazira të mëdha. Llukai me uratat e Etërve të Malit të Shenjtë, u paraqit para kadiut të qytetit dhe pohoi me guxim Krishtin. Me gjithë joshjet dhe frikësimet e turqve, martiri nga Traka mbeti i patundur në besim dhe në vendimin e tij për t’u martirizuar. I drejtuar për tek Naziri, në rrugë takoi Mitropolitin e Mitilinit, të cilin po e çonin në gjykatë, i puthi dorën dhe i kërkoi që të lutej për të. Për këtë veprim, turqit që e shoqëronin e rrahën pamëshirë.
Para Nazirit, Llukai me guxim pohoi Krishtin dhe akuzoi fenë myslimane. Pas një afati treditor, i cili mbaroi pa rezultat për turqit, Naziri dha një vendim. Kështu më 23 Mars 1802 Llukai u var në Mitilini dhe mori kurorën e lavdishme të martirizimit. Lipsani i tij i shenjtë qëndroi për tre ditë në litar, dhe më pas e hodhën në det.