Dashuria e tepruar i bën fëmijët të padobishëm : (Shën Pais Agjioriti - Vitamina shpirtërore)
Kam vënë re se të rinjtë e sotëm, sidomos ata që studiojnë, dëmtohen nga shtëpitë e tyre. Ndërsa janë fëmijë të mirë, bëhen të padobishëm. Nuk mendojnë, kanë një lloj pandjeshmërie. I shkatërrojnë, i prishin vetë prindërit. Meqë prindërit kaluan vite të vështira, duan që fëmijët e tyre të mos privohen nga shumë gjëra. Nuk kultivojnë sedrën tek fëmijët, saqë të gëzohen kur privohen nga diçka. Natyrisht, ata e bëjnë këtë gjë me dëshirën e mirë. Në fakt, që t'i privojnë nga diçka pa e kuptuar këtë gjë fëmijët, është diçka barbare. Por, që t'i ndihmojnë të fitojnë ndërgjegje murgjërore dhe të gëzohen vetë që u privuan nga diçka, kjo është gjë shumë e mirë. Me mirësinë e tyre të pamatur i budallallepsin. I mësojnë t'ua çojnë të gjitha në dorë, madje edhe ujin, që të lexojnë dhe të mos humbasin kohë, kështu që i bëjnë të padobishëm edhe vajzat edhe djemtë. Pastaj fëmijët sido që nuk lexojnë, i duan të gjitha në dorë. Dhe e keqja fillon nga nënat: "Ti, biri im, të lexosh. Unë do të të sjell edhe çorapet, do të të laj edhe këmbët. Merre ëmbëlsirën, merre dhe kafenë"! Dhe nuk e kuptojnë fëmijët se sa e lodhur është nëna që ua jep të gjitha këto, sepse nuk lodhen. Pastaj fillojnë me pjatat e një përdorimi, rrobat që i veshin vetëm një herë, duan pica të hanë, ndërsa nuk dinë as si t'i mbështjellin me letër. Kështu bëhen njerëz të padobishëm. Pastaj përtojnë që të jetojnë. Vetëm lidhësja po t'u zgjidhet thërrasin "mami, m'u zgjidh këpuca"! Madje e shkelin me këmbë. Fëmijë të tillë çfarë prokopie do të bëjnë? Këta nuk bëjnë as për martesë dhe as për jetën murgjërore. Prandaj u them nënave: "Mos i lini fëmijët që të lexojnë gjithë ditën. Lexojnë, lexojnë dhe pastaj trullosen. Të bëjnë një gjysëm, një çerek ore pushim, që të bëjnë edhe ndonjë punë në shtëpi që të gjallërohen".
Ky zakon i keq i fëmijëve të sotëm po futet edhe në jetën murgjërore. Dhe shikoni në manastir shtatë sekretarë, të gjithë të rinj të shkolluar dhe bashkë me ta edhe i vjetri. Qëmoti kishte vetëm një sekretar dhe ai nuk kishte bërë as dy klasë shkollë, por ama punën e bënte. Tani ka shtatë, të zhytur në punë, dhe nuk arrijnë të bëjnë as detyrat e tyre shpirtërore edhe pse ndodhet i vjetri pranë tyre.