Shën Damaskinoi, Martiri Oshënar i Ri, nga Kostandinopoja
Shenjtori i ditës :
Shën Damaskinoi ishte me origjinë nga Galata e Kostandinopojës dhe fillimisht quhej Diamant. Prindërit e tij besëmirë ishin Qirjakoja dhe Qiriqija. Në moshë të re mbeti jetim dhe jetoi një jetë të paqëndrueshme.
Një ditë arrestohet prej turqve për një krim që kishte bërë dhe që t’i shmangej dënimit mohoi Krishtin dhe besimin e tij.
Por me kalimin e viteve u ndërgjegjësua për të keqen e madhe që kishte pësuar dhe u largua për në Malin e Shenjtë, në Manastirin e Lavrës së Madhe, ku u qeth murg. Jetoi mbi 12 vite në pendim, me shumë asketizëm, bindje, kreshmë, agripni, lutje, vetëpërmbajtje, ushqim të thatë, dhe si rezultat, në vyrtyt kishte kaluar edhe shumë murgj të kohës së tij.
Por ndërgjegja e tij nuk e linte të qetë për mohimin që kishte bërë dhe donte që të gjente rastin që të pohonte Krishtin aty ku e kishte mohuar dhe të martirizohej për të. Rastin e gjeti, kur Patriarku i Kostandinopojës Dhionisi vizitoi Manastirin, dhe në të kthyer të Patriarkut u bashkua me të dhe erdhi në Kostandinopojë.
Pas vdekjes së Dhionisit dhe me mbështetjen e një murgu tjetër Lavriot, Shenjti nisi luftën e pohimit dhe martirizimit. Preu flokët dhe veshi rroba rroba marinari, që të mos provokonte ndonjë hakmarrje ndaj murgjërve, dhe pasi u kungua me Misteret e Shenjta në kishën e Shën Nikollës në Gallata, kaloi nga Shën Sofia dhe qëndroi duke u lutur duke bërë kryqin e tij. Turqit duke e parë atë që të lutej në një vend publik mbetën të shtangur, por e neglizhuan sepse e morën për njeri të çmendur. Shenjti duke u larguar nga aty, takoi një myslyman të shkolluar, i cili mbante një libër dhe po e lexonte. Ndaloi dhe filloi diskutimin mbi besimin, aty u mblodhën edhe myslymanë të tjerë, dhe Shenjti filloi që t’u flasë për Krishtin, për të vërtetën e besimit të krishterë dhe për mashtrimin e islamit. Përsëri e konsideruan si të çmendur dhe e lanë. Por ai duke ngulur këmbë shkoi më poshtë në një xhami dhe të njëtjat fjalë u’a tha edhe hoxhallarëve dhe ata e dëbuan.
Atëherë shkoi në Pazar ku qëndroi dhe thirri me zë të lartë:
Burra Ismailitë, vetëm besimi i Krishtit është i vërtetë, ju jeni të mashtruar dhe do të shkoni në ferr.
Por edhe në këtë ambjent, njerëzit nuk i kushtuan shumë rëndësi dhe e anashkaluan.
Ditën tjetër në mëngjes shkoi në oborrin e vezirit dhe filloi që t’u thotë oborrtarëve të njëjtat fjalë. Ata e rrahën dhe e dëbuan si të çmendur.
Ditën e tretë shkoi në repartin e Jeniçerëve dhe në orën që ata dilnin nga lutja e tyre, i provokonte në të njëjtën mënyrë. Dhe ata, duke e konsideruar të çmendur, nuk i kushtuan vëmendje.
I dëshpëruar u rikthye në shtëpinë e tij në Fallata dhe tërë natën i lutej Perëndisë që ta numëronte në korin e martirëve të Tij.
Ditën tjetër, të dielën, shkoi në xhaminë e Tophanesë, dhe gjatë kohës së mbledhjes së myslymanëve për lutje, thërriti se Krishti është Perëndi i vërtetë dhe shpëtimtar i botës. Ata u zemëruan, e rrahën dhe e çuan tek kadiu i Gallatës. Aty Shenjti tha jo vetëm këto, por edhe shumë më tepër kundër Muhamedit dhe mësimit të tij. Kadiu e dërgoi tek veziri. Veziri e pyeti nëse janë të vërteta ato për të cilat ai akuzohet. Me një ton të qetë veziri i tha: “Le të të falet krimi yt sepse edhe ti raja i Sulltanit je dhe je i detyruar që të paguash taksa dhe për këtë arsye të falet jeta. Por siç duket je i varfër dhe për këtë arsye dëshiron që të vdesësh”.
Atëherë Shenjti u përgjigj:
Nuk jam i varfër, jam shumë më i pasur se ty sepse unë kam thesarin e besimit brenda zemrës sime, i cili shkëlqen më shumë se dielli. Sepse pasuria për të cilën ti po flet, nesër e merr tjetri, por pasuria e besimit që unë kam fituar do të mbetet përgjithmonë e imja dhe me atë do të shkoj në Mbretërinë e Qiejve.
Veziri, duke parë që ai nuk bindej me asgjë vendosi që ta dënonte.
Atëherë e mori kryexhelati, e lidhi dhe e çoi para portës së Patriarkanës, në Fanar, ku edhe i preu kokën. Igumeni Makario i Manastirit të Mavro Molos bleu dhe ruajti edhe portata e dyqanit përballë hyrjes së Patriarkanës, sepse ato ishin lyer me gjakun e martirit.
Lipsani i Shenjtë qëndroi aty tre ditë sipas zakonit. Më pas të Krishterët besëmirë e blenë Lipsanin dhe e transferuan në ishullin e Halkit, ku u varros me shpresëtari pas Hierores në Manstirin e Hyjlindëses.