"Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Mathe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij. 10 Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij. 11 Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë? 12 Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq. 13 Edhe shkoni e mësoni ç’është “dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim”.(Mat 9 .9-13) Në ungjillin na flitet për një takim të Zotit me një person me emrin Mathe ose i quajtur Levi si na tregohet tek; (Marku 2 13-17).
"9 Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Mathe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.Zoti Krisht shkoi afër një dogane dhe doganierit të quajtur Mathe ose Levi dhe i tha: “më ndiq”.
Neve sot nuk arrijmë dot ta kuptojmë domethënien e asaj që bëri Zoti por po të hyjmë në kohë dhe të njihemi se çdo të thoshin doganat dhe doganierët për judenjtë, veprimi i Zotit do të na dukej një veprim i guximshëm madje dhe sipas mendimit të judenjve i gabuar. Doganat ishin pengesa që viheshin nëpër rrugë, udhëkryqe, ose ura dhe menaxhoheshin nga pushtuesit romakë. Pra ata nëpërmjet këtyre doganave i merrnin taksa popullit dhe e vështirësonin lëvizjen e lirë të popullit por edhe e varfëronin. Romakët për të mos pasur konflikte me popullin vendosën në këto dogana vendas dhe këta ishin njerëzit më të urryer për shoqërinë judease, sepse jo vetëm quheshin tradhtarë që bashkëpunonin me pushtuesit romakë, por ishin edhe vjedhës të mbrojtur nga autoriteti i Romës, sepse përveç taksës që kërkonte pushtuesi ata rrisnin taksën për fitimin e tyre prandaj ishin dy herë të urryer.
Farisenjtë kishin nxjerrë në atë kohë slloganin që “tagrambledhësit dhe prostitutat nuk hynin në Mbretërinë e Qiejve”.
Por Zoti shikon ndryshe nga ç’shikojnë njerëzit, Zoti shikon në zemër. Zoti pa në zemrën e Matheut dhe ajo në brendësinë e saj ishte e mirë pavarësisht se ishte rrethuar nga lakmia dhe çdo pasion tjetër. Aq më tepër Zoti kishte ardhur të bënte përdëllim duke i thirrur të gjithë kushdo që të ishin dhe në çfarë gjendje kishin rënë. Madje edhe për prostitutën dhe tagrambledhësin. Prandaj Krishti thërritej me nofkën nga farisenjtë “miku i mëkatarëve”. Ndërsa Jisui kaloi në zyrën e taksave ai i tha Matheut “ndiqmë”. Përgjigjja ishte e menjëhershme. Dikush ka thënë “Mateu humbi një punë të rehatshme por gjeti një bekim, ai humbi të ardhura të mira por gjeti nderin, ai humbi siguri të rehatshme por gjeti një aventurë të cilën nuk e kishte ëndërruar kurrë. Pra ai u bë pasues dhe nxënës i Perëndi-njeriut, Zotit Krisht, një nga të 12 apostujt si dhe i pari ungjillor.
10 Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij. Matheu kishte përgatitur një drekë për nder të Jisuit dhe ishte mënyra e tij për ta rrëfyer Zotin Jisu Krisht publikisht dhe për ta prezantuar te shokët tagrambledhës, që njiheshin nga opinioni i judenjve si mëkatarë të pakorrigjueshëm.
11 Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
Ishte zakon në atë kohë të hajë i mbështetur me fytyrë nga tryeza. Farisenjtë të cilët e ndiqnin Zotin në çdo veprim të tij, me dëshirën e keqe që ta përflisnin, kur panë që Jisui shoqërohej në këtë mënyrë me llumin e shoqërisë, shkuan te dishepujt e tij dhe e akuzuan atë. Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët? Kjo ishte një ndërhyrje dashakeqe e farisenjve që donin të lëkundnin besimin e nxënësve te Zoti. Sipas tyre asnjë profet i vërtetë s’do të hante me mëkatarët.
12 Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq.
Ndoshta farisenjtë ishin duke folur me zë të lartë, që të krijonin një skandal, që edhe nxënësit t’i largonin nga Krishti dhe tagrambledhësit t’i akuzonin publikisht si të pashpëtuar dhe shërbesën e Krishtit ta quanin të pavlefshme dhe të paperëndishme.
Ata thoshin për të: “Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe miku i mëkatarëve” (Luka.7:34)
Zoti e dëgjoi dhe tha publikisht :“nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun por të sëmurët”.
Me anë të kësaj përgjigjeje Zoti bën gjyqin e drejtë për cilindo. Farisenjtë e konsideronin veten të shëndoshë dhe nuk ishin të gatshëm të pranonin Krishtin si shërues dhe shpëtimtar. Por në të vërtetë ata ishin jashtë mase të sëmurë dhe këtu flasim për sëmundje shpirtërore, krenaria, smira, lakmia, hipokrizia dhe ata kishin shumë nevojë për shërim.
Akuza e farisenjve në pamje të parë dukej e drejtë, vërtet Krishti hëngri me mëkatarët, por kjo akuzë binte mbi vetë farisenjtë, sepse edhe po të hante drekë me farisenjtë prapë akuza do të ishte e vërtetë, sepse edhe farisenjtë ishin mëkatarë madje më shumë sepse ishin me sëmundjen e hipokrizisë. Zoti iu thotë nxënësve: “Para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve që është hipokrizia” (Luka.12:1)
Po të mos kishte ngrënë Zoti me mëkatarët, kur erdhi në këtë botë si kjo e jona, ai do të kishte ngrënë gjithmonë vetëm, sepse të gjithë janë mëkatarë ashtu siç thotë edhe Shkrimi: “të gjithë mëkatuan, dhe nuk ka asnjë të drejtë”.
Por ka një rëndësi të veçantë se kur Zoti Krisht u ul të hante me mëkatarët Ai kurrë nuk e kompromentoi dëshminë e tij kundër mëkatit, por e shfrytëzoi atë rast për t’i thirrur njerëzit tek e vërteta dhe shenjtëria. Këtu na del një mësim se edhe neve që jemi pasues të Krishtit të krishterë si klerikë edhe laikë.
Duke pasur shoqëri me të tillë njerëz, ne nuk duhet të bëjmë ndonjë gjë që do ta kompromentonte dëshminë tonë si të krishterë dhe as nuk do të lejojmë që të tillë njerëz të na zvarrisnin në nivelin e tyre etik dhe moral.
Ne duhet të marrim nismë për ta drejtuar miqësinë që mund të jetë familjare, shoqërore në kanale pozitive me dobi shpirtërore. Do të ishte ndoshta më e lehtë sikur ne të veçoheshim nga mëkatarët por Jisui nuk e bëri këtë gjë dhe as ndjekësit e tij nuk duhet ta bëjnë. Apostull Pavli na jep një orientim të saktë për shoqërinë me njerëzit që janë pa besim dhe në gjendje mëkatare. “Ju kam shkruar në letër të mos perziheni me kurvarët dhe aspak me kurvarët e kësaj bote ose me lakmuesit ose me vjedhësit ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota. Po ju shkrova të mos perziheni me atë të ashtuquajtur vëlla që është imoral ose lakmues ose idhujtar ose shpifës ose pijane, me tillë të mos hani bashke” (I Korintasve 5:9-11)
Dhe në fund Zoti thotë;
13 Edhe shkoni e mësoni ç’është “dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim”. Problemi i farisenjve ishte që megjithëse ata përpiqeshin t’i zbatonin ritet me përpikmëri zemra e tyre ishte e ngurtë, e ftohtë dhe e pamëshirshme. Ata nuk e kishin kuptuar frymën e ligjit prandaj dhe Zoti citoi një pjesë nga profeti Osea: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime” (Osea 6:6). Megjithëse sistemimin e flijimeve e kishte themeluar Perëndia dhe këtu flas për flijimet e kafshëve për ndjesën e mëkateve që bëheshin çdo ditë në tempullin e Solomonit, prapë Zoti nëpërmjet profetit nuk i pranonte këto flijime që bëheshin pa frymën e përdëllimit. Zoti nuk donte që ritet dhe ceremonitë fetare të bëheshin zëvendësuese të botës së brendshme shpirtërore.
Perëndia nuk është një ritualist, ai nuk gjen kënaqësi në ritet që bëhen pa shpirt, ashtu siç vepronin farisenjtë. Ata e zbatonin germën e ligjit por jo frymën sepse nuk kishin dhembshuri për ata që kishin nevojë për ndihmë dhe ndreqje morale. Ata shoqëroheshin me njerëz si vetja e tyre që i jepnin të drejtë vetes duke krijuar një geto egoiste dhe gjykuese. Vetë Zoti iu tha: ‘Mjerë ju skribë dhe farisenj hipokritë sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit dhe lini gjërat më të rëndësishme të ligjit, gjyqin, mëshirën dhe përdëllimin. Këto gjëra duhet t’i praktikoni pa lënë pas dore të tjerat. (Mateu 23:23)
Në kontrast me farisenjtë Zoti Krisht me ton plot nënkuptim tha: ‘Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët por mëkatarët” Ai plotësoi në mënyrë të përsorur dëshirën e Perëndisë për mëshirë por edhe për fli. Me anë të Jisu Krishtit Perëndia bëri edhe përdëllimin edhe drejtësinë siç thotë Shkrimi: ‘Aq shumë e deshi Zoti botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në të të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme, sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që ta dënojë botën por që bota të shpëtojë prej tij” (Joani 3:17-18). Në një kuptim nuk ka njerëz të drejtë në botë dhe Zoti Krisht erdhi të thërrasë të gjithë njerëzit në pendim, por thirrja e tij është e efektshme vetëm për ata që pranojnë që janë mëkatarë. Ai nuk mund t’ju japë shërim atyre që janë krenarë të vetkënaqur me gjendjen e tyre dhe të papenduar sikur ishin farisenjtë.
Në predikimin në mal Zoti thotë: “Doni armiqtë tuaj, bëni të mira dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e shumë të Lartit, sepse Ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk. 6:35-36)
Kjo gjë jo vetëm na bën të ngjashëm me Perëndinë por është kusht për lumurimin në jetën e përjetshme sepse Zoti thotë: ‘Lum ata që janë të mëshirshëm sepse do të gjejnë mëshirë” (Mateu 5:7) Por duhet të kemi kujdes: Të jesh i mëshirshëm nuk do të thotë të justifikosh fallsitetin dhe mëkatin. Nuk do të thotë të jesh tolerant për marrëzinë dhe të keqen. Nuk do të thotë të mos vësh re padrejtësinë dhe paudhësinë. Perëndia nuk është në këtë mënyrë dhe nuk e bën këtë. Psh kur Zoti e fali laviren që ia sollën për gjykim ai tha: ‘Shko dhe mos mëkato më” (Joani. 8:11)
Dhe kur e shëroi paralitikun i thotë: “Mos mëkato më që të mos ndodhë një e keqe më e madhe” (Joani. 5:14)
Të jesh i mëshirshëm do të thotë të kesh dhembshuri për keqbërësit dhe të të vijë keq për ata që janë kapur në prangat e mëkatit. Do të thotë të heqësh dorë nga çdo vetdrejtësim dhe çdo vetjustifikim në krahasim me të tjerët. Do të thotë të mos pranosh të dënosh ata që të bëjnë keq por t’i falësh ata që të dëmtojnë dhe shkatërrojnë si vetet tona ashtu edhe të tjerët, të afërmit tanë. Do të thotë të thuash me seriozitet të plotë: ‘falna fajet tona ashtu sikundër ua falim fajtorëve tanë” (Mateu, 6:12)
Ne duhet të kemi kujdes se mund të biem në gabimin, gjykimin dhe akuzën si farisenjtë. Psh kur shkojmë në kishë ne mund të shikojmë se vijnë njerëz që nuk kanë pasur moral të mirë në jetën e tyre ose me një të kaluar të keqe për shkak të pabesis së tyre ose të vetë profesionit të pa moralshëm. Shikojmë edhe armiqtë tanë dhe në vend që të gëzohemi siç gëzojnë “engjëjt në qiell për çdo mëkatar të penduar” (Luka. 15:10), ne themi po këta çfarë duan në kishë, u mbush kisha me njerëz imoralë dhe keqbërës. Duke gjykuar në këtë mënyrë indirekt gjykojmë Zotin, që sipas nesh tregohet më shumë tolerant seç duhet sepse i lejon këta njerëz të vijnë në Kishë dhe të kishërohen duke marrë Misteret e Shenjta. Kjo akuzë ngrihet dhe kundër klerikëve të cilët kryejnë shërbimin e përdëllimit për të gjithë ata që vijnë në Kishë në çfarëdo gjendje ata janë.Nuk duhet të harrojmë se gjyqin përfundimtar do ta bëjë Zoti Jisu Krisht ashtu siç na thuhet: “Sepse Ati nuk gjykon asnjë por gjithë gjyqin ia dha Birit që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu si nderojnë Atin” (Joani. 5:22)
Kur Ati gjykimin ia ka lënë Birit të tij kush jemi ne që gjykojmë shërbëtorin e tjetrit? (Romakët. 14:4) Matheut, Apostull dhe Ungjillor ishte nga Kana e Galilesë, atje ku bëri çudinë e parë Zoti.Mbasi Zoti e ftoj në doganë : më ndiq"ai la gjthshka dhe që atëherë ai u bë një nga të 12 Apostujt. Anastasi episkop i Antiokisë, shpjegon se emri Mateo do të thotë "Urdhër i të Lartit", por më mirë e shpjegon Isidori, që Mathe vjen nga Mathan që do të thotë "dhuratë" dhe në greqisht përkthehet Theodhor. Në tre ungjijtë sinoptikë na tregohet thirrja e tij, nga Zoti. Në ungjillin e Markut dhe të Lukës përmendet me emrin Levi i biri i Alfeut ndërsa në ungjillin e Mateut përmendet me emrin Mate. Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë apostujt hodhën short në cilat vende të botës do të shkonte secili për të predikuar. Atëherë Mateu pasi pranoi fuqinë e Shpirtit të Shenjtë predikoi në fillim me shumë zell te judenjtë, të cilët i donte shumë dhe donte që të njihnin të vërtetën. Për këtë shkroi i pari ungjillin e shenjtë në hebraisht duke filluar që nga gjenealogjia e Krishtit. Tregon lindjen e Krishtit, pagëzimin, ngacmimet dhe ftesën e tij duke pohuar se qe kryedoganier dhe duke qortuar veten e tij. Ai e shkroi Ungjillin në hebraisht, në vitet (55 pas Kr ) për të krishterët e Palestinës. Ungjillin e përktheu në greqisht Jakovi i Jerusalemit. Ungjilli në origjinal në hebraisht ka humbur. Nëpërmjet ungjillit të tij Matheu shpëtoi gjithë sistemin filozofiko-moral të krishtërimit që themeloi Zoti ynë mbi shkëmbijtë e bekuar të malit të Galilesë, ky quhet "Predikimi në mal" i gjetur në kapitujt 5,6,7 të Ungjillit sipas Mateut. Ai me ungjillin e tij frymëzoi humanizmin në lartësi të veprimit më të bukur njerëzor dhe ëmbëlsoi dhimbjen.Bota i është borxhli ungjillorit Mathe për mësimet mbi kotësinë e jetës njerëzore, fjalë të Krishti që janë aktuale në çdo kohë dhe për çdo njeri; “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humbet shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? (Math 16:24) Predikoi Partëve dhe Medëve dhe krijoi kishën e tyre. Disa përcaktojnë Etiopinë, të tjerët Pontin në jug të detit të zi, Persinë, Maqedoninë, Irlandën. Vuajti, pati etje, uri, u rrah, por i duroi të gjitha me ndihmën e Perëndisë duke predikuar Shpëtimtarin dhe duke shpëtuar shumë. Fjeti i moshuar në Hierapolis në Siri qytet të cilin e kishte bërë të tërë të krishterë, kurse disa burime të tjera thonë se u martirizua me anë të zjarrit. Kisha jonë e shenjtë psalë shumë tropare prekëse që të nderojë ungjillorin e parë Apostullin dhe Ungjillorin Mateun. Mateo shum i urtë, që ka shkruar i pari Ungjillin e Jisuit dhe shndriti si pishtari , çdo gjë që është nën diell.pra Gjithësinë, është njohës misteresh të Krishtit; tani po nderohet me psalm të shenjtë; për sa e nderojnë, kërkon ndjesë mëkatesh ky" (Ndënjësore) Le të nderojmë edhe ne Apostullin e shenjtë me ndërgjegje të pastër duke u penduar sinqerisht për mëkatet tona, duke patur si shembull të ndritshëm shenjtin që nga kryedoganier u bë apostull i Krishtit,që kështu edhe ne të ndahemi nga çdo pasion dhe profesion që i shërben mëkatit dhe të shkojmë pas Zotit në udhën e lumur të porosive të tij dhe të mos pendohemi për këto sakrifica njerëzore sepse Zoti thotë: “Kush fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim sikurse unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij” (Zb.3:21) Me ndërmjetimet e shën Mateut Zoti Krisht Perëndi na mëshiroftë edhe na shpëtoftë. Amin Për shumë vjet të gjithëve, veçanërisht ata që festojnë ditën e emrit.